Nga Dr. Ndriçm Mehmeti
Raundi i parë i regjistrimeve në universitete, kaloi jo pa vëmendje nga qeveria, opozita, qeveria, LSI-ja dhe padyshim edhe nga Ministria e Arsimit. Shumë të rinj ndodheshin të zhgënjyer, të tradhtuar, të indinjuar, të pashpresë, të përhumbur për ëndrrën e tyre të vendit ende pa nisur. Në raundin e parë, pas çdo ditë kishim gjithnjë një raportim: “Kryeministri priti maturantë; maturant po protestojnë pranë kryeministrisë; ministrja Nikolla sqaron maturantët kaq e aq përqind janë regjistruar në universitete”. Prag fillimi i raundit të dytë, po ashtu u shoqërua me lajme të ndryshme.
“Si duhet të aplikoni, sa vende bosh keni, si do ndryshojë formula, ku duhet të keni vëmendje” etj. Sa filloi raundi i dytë ka një heshtje totale. Nuk ka asnjë lajm sa vende bosh ka, si po shkon aplikimi dhe regjistrimi, sa vende janë plotësuar, ku ka më shumë kuota bosh e kështu me radhë. Ndoshta të gjithë besojnë në bastin e kryeministrit dhe ministres së arsimit se në raundin e dytë do të ketë vend për të gjithë. Ndoshta vendin e lajmeve për të ardhmen e të rinjve shqiptar dhe në njëfarë mënyre të ardhmes së vendit tonë pas 5 vjetësh e më shumë, e ka zënë ligji për importin e plehrave, kërcënimi i kryeprokurorit e ndonjë lajm nga kronika rozë.
Po përse kalon në heshtje të plotë raundi i dytë?
Mundet që lajmet për reformën në drejtësi, situata e tendosur politike, kërcënimet, hashashi, akuzat dhe kundër akuzat për rendin e qetësisë, e kanë lënë jashtë vëmendjes raundin e dytë të regjistrimeve dhe në tërësi të gjithë problematikën e arsimit. Madje as përfaqësues të MAS, që ndoshta kanë më shumë interes në këtë drejtim, nuk japin lajme optimiste (nëse ka të tilla), për regjistrimet e deritanishme në universitete. Ka të ngjarë, që askush të mos shprehet pa mbaruar raundi i dytë, me frikën dhe dilemën se mund të gaboj dhe e drejta të kaloj në favor të ministres së arsimit dhe kryeministrit. Ndoshta presin rezultatin e më pas të bëjnë analizat (duke pretenduar se e dinin çdo ndodhte, por nuk folën se mos trembnin të rinjtë) mbi proceduarën e ndjekur dhe rezultatin që u arrit në këtë raund. Po sido që të jetë, opinioni publik është në errësirë totale. Askush nuk ka asnjë të dhënë, për ecurinë e regjistrimeve në raundin e dytë, së paku paraprake. Do të ishte e udhës, që duke ju afruar afatit fundor të regjistrimeve, të njiheshim me situatën, sa është numri i të regjistruarve, si po ecën ky proces, ku ka më shumë regjistrim, si është vepruar me vendet bosh që u deklaruan në raundin e parë, etj. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Heshtja e Ministrisë së Arsimit, të bën të mendosh se pritshmëritë për raundin e dytë, nuk janë në ato nivele që pritej. Po ashtu edhe mediat në shumicën e tyre e kanë jashtë vëmendjes raundin e dytë. Në mungesë të informacionit zyrtar, ato e kanë të vështirë të hamendësojnë se si shkon procesi, cilat janë vështirësitë e maturantëve, a është rritur besimi u të rinjve për një mbarëvajtje me sukses, në raundin e dytë ose jo? Por edhe media në tërësi, ka pak interes për këtë proces. Pyetjet e shtruara më sipër, nuk mund të marrin përgjigje në një ditë të vetme, por në një javë të tërë, ndoshta po. Unë, që siç dëgjoj ndonjë që nuk i pëlqen shumë kritika, hyj tek “kritizerët më të mëdhenj, nihilistët, tek ata që duan të nxijnë gjithçka në arsim”, kam të drejtë si çdo qytetar, të pyes: Pse ka kaq shumë heshtje për raundin e dytë? Si ka mundësi që asnjë media nuk flet më për procesin aq shumë të kontestuar të pranimeve sipas formulës së MAS? Pse të rinjtë, prindërit e tyre dhe profesorët që kundërshtonin tani nuk flasim më? Ndoshta profesorët presin me ankth sesa prej të rinjve do të parapëlqejnë programin e tyre të studimit, ndoshta mediat kanë më shumë interes për mbetjet sesa të ardhmen e të rinjve, ndoshta prindërit nuk duan të flasin, se “mbase edhe Zoti do t’i shoh ata dhe fëmijët e tyre”. MAS sigurisht nuk flet. Kjo për “hir të autonomisë së universiteteve”. Le ta pranojmë këtë logjikë për momentin. Por njëkohësisht duhet të kujtojmë fjalët e thëna e stërthëna të ministres Nikolla se “procesi i pranimeve në universitete, ka si shtylla të saj, transparencën, meritën dhe preferencën”. A duhet që për hir të transparencës, Ministria e Arsimit e pse jo vetë ministrja, të na thotë se pritshmëritë e saj “për një raund të dytë të suksesshëm” u realizuan, janë rrugës së realizmit ose është e njëjta gjendje si në raundin e parë. Tani që e morëm vesh meritën dhe preferencën sesa vend zënë të paktën të gëzojmë transparencën. Mirëpo edhe transparenca ka humbur rrugën, se për ku nuk dihet.
Pavarësisht pritshmërive të mëdha, ende nuk dihet se çfarë do të prodhoj raundi i dytë që do vetëm 3 ditë të përfundoj. Po ashtu nuk dimë sesi do të operohet në raundin e tretë, sa do të zgjas, kur do të quhet procesi i përfunduar, çdo të bëhet me kuota bosh, të cilat nuk do preferohen, etj. Këto përgjigje vështirë se i merr publiku i gjerë deri në nëntor, ndërsa kemi dijeni se formalisht viti akademik 2016-2017, do të filloj në 16 tetor. E deri atëherë, po aq do të jetë e vështirë për të të rinjtë, të ringjejnë kauzën e pranimeve në universitet për të protestuar apo ndryshuar diçka në padrejtësinë që u është bërë. Maturantët do të qajnë frikën, indiferencën e tyre, prindërve dhe shoqërisë që nuk i rezistuan me kohë pabesisë, antiligjshmërisë dhe ligësisë së qeverisë, ndërkohë që një pjesë po kaq të madhe të popullsisë, e ka kapur ankthi për maturën 2016-2017. Por edhe për këta të fundit, ka shumë pak mundësi të kemi ndonjë vëmendje të madhe ndaj këtij procesit të Maturës e pale më të pranimeve në universitete. Viti 2017 është viti i zgjedhjeve të përgjithshme dhe i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Duke ditur se populli ynë ushqehet prej politikës, rron e frymëzohet, ngazëllehet e rrëmbehet, blihet e shitet prej saj, arsimi do të mbete si fëmija i braktisur që askush nuk afrohet së paku t’i thotë një fjalë shprese, e jo më ta marri në krahë e ta pyes sesi i ka hallet.
Kjo mënyrë të sjelluri, padyshim që i shkon për shtat, një shoqërie si e jona, ku ndjeshmëria për arsimin as që mund të krahasohet me asnjë kohë tjetër. Dy shekuj më parë e në vazhdim, shqiptarët sakrifikonin, investonin, mbronin e derdhnin gjak për arsimin, tani të gjithë heshtin.
Mbase të gjithë shpresojnë se reforma alla angleze në arsim, do të na sjelli vetiu begatinë.