Numri i të infektuarve nga koronavirusi po përshkallëzohet me ritme alarmante, madje edhe më shumë se në ditët më të këqija të pandemisë.
Nëse në fillim javë numri i të infektuarve nga testet e bëra ishte 42, ai u ngjit në 44 dhe 48. Ndërsa sot ministria e Shëndetësisë njoftoi:
‘Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 57 raste pozitive.
Kruja ka numrin më të lartë të rasteve ditore, me 16 të prekur që lidhen me aktivitete biznesi dhe kontakte të tyre, e ndjekur nga Tirana me 14 raste, 9 në Vlorë, 8 në Shkodër, 6 në Lushnje, 2 në Pukë, 1 në Durrës, 1 në Fier. Ndërkohë që janë në hetim shumë raste të reja në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Krujë’.
Gjithashtu shqetësues është edhe numri i të shtruarve në spital.
Aktualisht janë 47 pacientë të shtruar, ndërsa 7 prej të shtruarve janë në terapi intensive.
Por po të krahasohet numri i tanishëm me atë të ditëve të para të qershorit kur filloi hapja e plotë, rritja është e frikshme (shiko tabelën poshtë).
Nëse në 1 Qershor kishim vetëm 6 raste të reja sot numri i tyre është gjashtëfishuar.
Sipas mjekut të kudondodhur Pëllumb Pipero ka tre arsye që përligjin shtimin e rasteve:
‘Po ti rreshtonin do të thosha, e para është heqja e masave kufizuese.
Besoj janë afërsisht 2 javë dhe me lehtësimin e masave ne prisnim një numër të shtuar rastesh, është e natyrshme.
Një arsye e dytë janë grumbullimet e njerëzve që koincidoi edhe me protesta.
Së treti është edhe numri i shtuar i rasteve pozitive midis bluzave të bardha’.
Në fakt, QSUT po shndërrohet në një vatër të shpërndarjes së virusit. Nga 40 personel shëndetësor i testuar, 9 prej tyre kanë rezultuar pozitivë në një status të tij Sali Berisha e ka cilësuar si ‘bombë biologjike’ Qendrën Spitalore Universitare duke pretenduar se 80% e rasteve të reja burojnë prej aty.
Por, ndonëse në Shqipëri masa e infektimit vazhdon të jetë 1 i infektuar çdo 10 tamponë, e njëjta mesatare si ajo e dy muajve më parë, kur i gjithë vendi ishte i mbyllur në karantinë, për Ministrinë e Shëndetësisë që do të mbajë lart optimizmin, ajo ende nuk përbën një problem.
Ogerta Manastirliu reagoi me një shënim në Facebokun e saj duke e përshkruar gjendjen: ‘brenda pritshmërisë sonë’. /lapsi.al/