Profesori i Komunikimit Artan Fuga në një lidhje live me Skype në “News 24”, duke folur për protestën e mbajtur sot nga maturantët përpara Ministrisë së Arsimit, deklaroi se këta nxënës duhet të kenë të gjithë të drejtë të studiojnë në degën që ata duan.
Fuga u shpreh se sistemi i zgjedhur për universitetin është i degraduar, duke shtuar se provimet duhet të bëhen në vende neutrale.
“Nuk nisem nga pyetje që mund të kenë rënë. Unë nuk nisem vetëm nga kjo. Nisem nga elementë të tjerë. Unë mendoj se maturantët nuk kanë të drejtë të shkojnë lirisht aty ku duhet të shkojnë. Orientimi i tyre bëhet në mënyrë kaotike. Unë mendoj se janë të gjitha mundësitë që maturantët të shkojnë aty ku duan. Unë s’jam dakord që të ketë kritere note për universitete. Unë jam që të gjithë maturantët të shkojnë në universitete pastaj të shohin nëse e përballojnë apo jo.
Unë jam që maturantët të bëjnë provimin në vend neutral. Kjo sepse ka privilegjim të maturantëve të caktuar për arsye politike. Duhet një vlerësim i tregut të punës. Gjimnazistët kanë nevojë për psikologë, për kujdes social. Tekstit në universitet shkencore janë në pikë të hallit. Të rinjtë shqiptarë kanë gjithmonë të protestojnë, që karriera e tyre të ketë një ardhmëri. Ky sistem ka dalë jashtë kohe, nxjerr studentë të papunë. Ministria e Arsimit 2është menaxhues burokratik dhe nuk prin mendjet. Sa herë rinia ngre zërin, ndihem fajtor në ndërgjegjen time”, tha Fuga.
Në lidhje me librin e nxjerrë në treg së fundmi nga profesori, Artan Fuga u shpreh se botimi i tij më i ri “Origjina e pushtetit, pronës e pasurisë” është një këndvështrim futurist, sesi brezat e ardhshëm do të shikojnë si ka qenë shoqëria e sotme.
“Libri im “Shoqëria periferike” i botuar në fillim të viteve 2000 dhe që merr në analizë shoqërinë shqiptare të tranzicionit, mendova se ky libër duhej zhvilluar dhe kuptova se shoqëria piramidale duhej ripunuar. Kjo sepse tashmë jetojmë në një kohë tjetër, jetojmë në kohë uebi. Jam fokusuar tek fakti i bërë dhe jo fakti i supozuar. “Origjinat” doli si rezultat i këtij përpunimi, ne kemi një botim të ri që ka bashkuar periudhat e tranzicionit.
Bëhet fjalë për një këndvështrim më global për atë që e kemi quajtur “origjinat”. Unë mendoj se pas 100 vitesh ose pas një shekulli, brezat e ri do të duan të dinë se cilat kanë qenë origjinat e shoqërisë ku ata jetojnë. Ata do të duhet të dinë për brezat paraardhës, do jetë një këndvështrim për atë çka jemi ne sot. Kjo i vlen edhe brezave të sotëm, për problemet që kemi sot në politikë, në ekonomi, në pushtet etj”, vlerësoi Fuga.
Më tej, Fuga deklaroi se Reforma Zgjedhore fatkeqësisht është ndërtuar në formë të atillë që të ruhet kontrolli vertikal i partive politike. Fuga tha se Shqipëria sot, për kushtet politike e shoqërore në të cilat ndodhet, e ka vështirë të integrohet në BE. Fuga tha se duhet një reformim total i shoqërisë, ndërsa u shpreh se politika lufton vetëm për pushtet.
“Është ruajtur kontrolli vertikal i partive mbi Kuvendin dhe kontrolli vertikal i kryetarëve të partive mbi deputetin. I thashë se si qytetar jam i mërzitur,. por si shkencëtar jam cinikisht i lumtur, sepse tek “Origjinat” kam thënë se në këto kushte është e pamundur që të kalojmë në Kod Zgjedhor të ri. Për shembull për sa i përket integrimeve europiane, se kanë këtë situatë ku ndodhemi ne si shqiptarë dhe ku ndodhet Europa, është e pamundur që Shqipëria të integrohet. Si studiues këtë përfundim mund të nxjerrë. Kjo situatë vjen nga një situatë e kaluar, ku kemi edhe kaos midis në 1997. Shoqëri që nga kaosi kaloi në arbitraritet, kjo shoqëri sigurisht që e ka defektin në gen, e ka defektin në të drejtat e njeriut, për mënyrën e organizimit të pushtetit lokal, për mënyrën si prodhohet kultura e shkenca e gjithë ky sistem na jep këtë politik-bërje.
Duhet një reformë e plotë e shoqërisë shqiptare, ndryshe jemi në batak dhe do të shkojmë në batak, ku tregues janë braktisja e Shqipërisë, është papunësia dhe degradimi i politikës, ku ka vetëm luftë për pushtet. Kodi Zgjedhor nuk ndryshon nëse nuk ndryshon njëherë e mirë shoqëria jonë. Pa bërë që të gjithë masat qytetare, intelektuale të kërkojnë ndryshimin, do të mbesim në këtë batak. kemi probleme të ;privatizimeve, duhen përparime për punësimin, për administrimin e territorit, të pushtetit lokal dhe gjithë sistemit politik e shoqëror në Shqipëri”, përmbylli Fuga.