Transporti publik mund të mos fillojë më 15 qershor, siç është deklaruar më herët nga qeveria. Shoqatat e transportit kanë përpiluar një listë me 4 kërkesa ndaj qeverisë, ku kërkojnë heqjen e akcizës dhe taksave për blerjen e karburantit, zbritjen e TVSH në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e 6%, siç është për sektorin e turizmit.
Rimbursimin e pasagjerëve të munguar për shkak të masave të distancimit social, si dhe rimbursimin e kategorive që përfitojnë shërbim falas në burim.
Kryetari i Shoqatës Urbane dhe Interurbane Veri, Dashnor Memaj, u shpreh në Euronews Albania se transporti nuk po trajtohet me seriozitetin e duhur. Ai shtoi se shoqatat e transportit janë totalisht të paqarta për mënyrën se si do të operojnë.
“Nga 12 marsi deri tani transporti është i mbyllur dhe vazhdon të jetë i tillë. Është një ndër sektorët e vetëm në Republikën e Shqipërisë që pasi u hapën të gjitha aktivitete ekonomike vazhdon të jetë i mbyllur, pa një protokoll sigurie se si do jetë edhe kur të hapet. Vetëm e dimë që ministrja doli dhe dha një lajm nëpërmjet “Facebook-ut” se do të hapet me datë 15 qershor dhe kapaciteti do të jetë 70 %. Kjo na bëri të shqetësohemi dhe të vihemi në lëvizje, sepse ne nuk e dimë realisht se si do të funksionojë. Takime kemi pasur jo të formës së prerë, që do të thotë të publikuara siç janë për të gjitha subjektet, por janë diskutuar në tavolina. Kemi pasur kërkesa që nga marsi, por realisht nuk po shihet seriozisht transporti. Në shoqatën time ka 2300-2500 individë të punësuar në transportin urban dhe ndërurban”, shtoi Memaj.
Më tej, z. Memaj nënvizoi se shoqatat e transportit nuk kanë kërkuar asnjëherë rritjen e çmimit të biletës, ndërkohë shton se nëse kërkesat e tyre nuk do merren parasysh, nisja e transportit urban dhe interurban me 15 qershor do të jetë e pamundur.
Sipas tij, shoqatat në këtë pikë janë të unifikuara dhe kërkojnë zbatimin e katër kushteve.
“Absolutisht asnjë nga shoqatat dhe operatorët nuk ka kërkuar asnjëherë rritje bilete, pasi situata ekonomike në Republikën e Shqipërisë është e vështirë dhe është e pamundur që qytetarëve t’u ofrosh një çmim më të lartë pa ndryshuar standardet e autobusëve. Realisht kjo varet nga ministria përgjegjëse dhe nga institucionet. Absolutisht jo, sepse të gjithë shoqatat e transporti janë në një mendje.”, shtoi Memaj.
Shoqatat e transportit pritet të organizojnë një protestë sot në orën 10:00 para Ministrisë së Infrastrukturës