Koronavirusi mund të ketë qenë prezent në Kinë disa muaj përpara se autoritetet të kenë njohur infeksionin. Këtë e sugjerojnë imazhet satelitore, të cilat shfaqin një shtim të numrit të makinave në parkimet e spitaleve kryesore të Wuhanit, gjatë vjeshtës së kaluar.
Zbulimi është bërë nga një studim i Shkollës së Mjekësisë së Harvardit. Gjatë po asaj periudhe, ishin shtuar kërkimet në internet për fjalët “diarre” dhe “kollë”.
Imazhet janë publikuar nga media britanike “The Guardian”, që krahason zonat e parkimit të spitaleve mes janarit 2018 dhe prillit 2020.
Sipas studimit, i cili është akoma në fazën e rishikimit, ka pasur një rritje të fortë të pranisë së autoveturave duke nisur nga gushti i vitit 2019 dhe me një pik në dhjetor po të atij viti.
“Diçka po ndodhte që në tetor. Qartësisht, po verifikohej një lloj niveli çrregullimi social përpara se të konfirmohej fillimi i pandemisë”, tha John Brownstein, studiues.
Mes shtatorit dhe tetorit, 5 nga 7 spitalet e analizuara kanë raportuar numrin më të madh të hyrje-daljeve ditore të automjeteve nga parkingjet e tyre.
Autorët e studimit konfirmojnë se edhe pse nuk mund të thuhet me siguri se shtimi i trafikut të makinave lidhet drejtpërdrejt me Covid-19, kjo provë mbështet tezën se emergjenca ka ndodhur përpara identifikimit të virusit në tregun e kafshëve të egra në Wuhan në fund të dhjetorit.
“Këto rezultate konfirmojnë edhe hipotezën që koronavirusi të jetë shfaqur në mënyrë natyrale në Kinë dhe të ketë qenë në qarkullim në momentin e shpërthimit në Wuhan”, konfirmon raporti.