Në fund të vitit 2019, të gjitha bashkitë në vend mblodhën të ardhura nga burimet e veta vendore (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asete dhe të tjera) në një vlerë prej rreth 25.6 miliard lekë, në rritje me rreth 5.5% në terma vjetorë, ose rreth 1.4 miliard lekë më të larta nga niveli i regjistruar vitin e mëparshëm, sipas raportit të financave vendore për vitin 2019, publikuar nga projekti financatvendore.al.
25% e të ardhurave të të gjithë bashkive ishin nga të ardhurat e siguruara nga Bashkia Tiranë nga lejet e ndërtimit. Sipas të dhënave nga Financat Vendore, bashkia e kryeqytetit siguroi 6.2 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, ose 74% të të gjitha të ardhurave të siguruara nga Bashkitë nga kjo taksë.
Duke pasur parasysh që taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është 8% e vlerës së shitjes, lejet e dhëna në Tiranë në 2019-n i korrespondojnë një vlerë ndërtimi prej rreth 630 milionë euro (përllogaritje të Monitor).
Sipas INSTAT, në vitin 2019, sipërfaqja e lejeve të dhena për ndërtim në kryeqytet arriti në rreth 1.5 milionë metra katror, me një rritje prej 55% në raport me vitin e mëparshëm dhe duke shënuar një nivel rekord të paktën që prej vitit 2010, kur raportohen të dhënat e detajuara sipas rretheve.
Portali i financave vendore ngre shqetësimin se taksa e ndikimit në infrastrukturë është shndërruar në një burim të qenësishëm i të ardhurave në buxhetin vendor, veçanërisht në bashkitë e mëdha si Tirana, Durrësi, Lezha etj. Rritja e kontributit të kësaj takse në buxhetin vendor do të kërkonte njëkohësisht parashikime dhe angazhime afatmesme deri/dhe afatgjata në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike vendore për zhvillimet e reja. Në total, në nëntë muajt e parë e të vitit 2019 janë shtuar rreth 1.6 milionë metër katror ndërtime të reja të cilat do të duhej të shoqëroheshin me infrastruktura publike mbështetëse. Gjithashtu, duke qenë një burim të ardhurash i fundëm dhe jo i vazhdueshëm, bashkitë duhet të gjejnë zgjidhje dhe të aftësohen për t’u bërë ballë detyrimeve financiare të sotme dhe atyre të ardhshme, përballë një buxheti të kufizuar – kjo do të krijonte kushte të favorshme dhe do të ishte në përputhje me konceptin e barazisë ndër-gjeneracionale. Praktikisht, të ardhurat e realizuara sot nga kjo taksë do të duhej të investoheshin për të siguruar infrastrukturat e nevojshme publike si dhe operimin e tyre në të ardhmen, pa rënduar në buxhetet e gjeneratave të ardhshme, thuhet në raport.
Të ardhurat nga taksat vendore, të varura nga lejet e ndërtimit
Sipas raportit, të ardhurat nga taksat përfaqësojnë një burim të rëndësishëm financiar në strukturën e të ardhurave nga burimet e veta vendore të bashkive. Në terma nominalë, të ardhurat nga taksat vendore kontribuan me rreth 15.9 miliardë lekë në buxhetin vendor, në rritje me rreth 9.1% krahasuar me një vit më parë. Norma e rritjes së të ardhurave nga taksat vendore mbetet e pandryshuar, edhe nëse nga totali i tyre do të zbrisnim të ardhurat e mbledhura në bashkinë Tiranë. Pesha e këtij zëri ndaj totalit të të ardhurave nga burime të veta vendore ishte rreth 62.4%, raport ky rreth 2.2 pikë përqindjeje nën mesataren afatgjatë (prej rreth 64.1%).
Ndonëse në terma të përgjithshëm të ardhurat nga taksat vendore rezultojnë të kenë shënuar zhvillime pozitive, një vështrim i hollësishëm mbi elementët përbërës evidenton dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash. Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elementë: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall). Ndërkohë që pesha e kësaj të fundit është tkurrur, pesha e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtime te reja është rritur me ritme të përshpejtuara. Në vitin 2019, këto dy lloje taksash përfaqësuan 85.8% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan tkurrjen edhe përgjatë vitit 2019. Gjithashtu, seria e të dhënave për taksat vendore përjashtuar bashkinë Tiranë tregon për një prirje rritëse të moderuar të të ardhurave nga taksat vendore për 60 bashkitë përgjatë periudhës 2010-2019.
Bashkia Tiranë rekord të ardhurash nga lejet e ndërtimit
Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja vijuan të rriten me ritme të përshpejtuara për të tretin vit radhazi, veçanërisht në bashkinë Tiranë. Në vitin 2019, të ardhurat nga kjo taksë shënuan një nivel prej rreth 8.4 miliardë lekë, në rritje me rreth 16.9% në terma vjetorë, ose rreth 1.2 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm. Përjashtuar të ardhurat e arkëtuara nga bashkia Tiranë, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 2.1 miliardë lekë nga TNI, me rritje në terma vjetorë me rreth 25.8%.
Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore (rritje e numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore konkretisht, rreth 1,194 leje të reja në vitin 2018 në rreth 848 leje të reja në nëntë muajt e parë të vitit 2019), ndonëse ky presion është përqendruar kryesisht në bashkinë Tiranë. Zbatimi i Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV) nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ndikon pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime si në zhvillim fillestar ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme.
Në nivel mesatar, të ardhurat nga TNI (nga ndërtimet e reja dhe të ardhurat nga legalizimet) përfaqësuan rreth 52.9% të të ardhurave nga taksat vendore në vitin 2019, në rritje me rreth 3 pikë përqindjeje krahasuar me vlerën e këtij raporti në vitin e mëparshëm. Për rreth 18% të bashkive ose 11/61 bashki, të ardhurat nga kjo taksë qëndrojnë mbi mesataren kombëtare të raportit TNI/të ardhura nga taksat vendore. Ndërkohë, në rreth 13.1% të bashkive ose 8/61 bashki të ardhurat nga kjo taksë përfaqësojnë më pak se 10% të të ardhurave nga taksat vendore duke reflektuar deri diku edhe presione më të ulëta zhvillimi apo mungesë kërkese për zhvillime të reja.
Ndonëse me peshë të madhe në të ardhurat nga taksat vendore, të ardhurat nga TNI nuk realizohen njëtrajtësisht në të gjitha bashkitë. Rreth 73.8% e të ardhurave nga kjo taksë u mblodh në bashkinë Tiranë dhe diferenca në 60 bashkitë e tjera në vend. Në vitin 2019, bashkia Tiranë arkëtoi rreth 6.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 14% në terma vjetorë.
Këto të dhëna, thekson raporti, konfirmojnë sërish për karakterin specifik të kësaj bashkie dhe diferencën e madhe që është krijuar midis bashkisë Tiranë dhe 60 bashkive të tjera në vend. Me diferencë shumë të madhe nga bashkia Tiranë, bashkia Lezhë mblodhi rreth 4.7% të të ardhurave nga TNI, ndjekura nga bashkitë Durrës (3%), Kamëz (2.3%), Vorë (2.1%) dhe Kavajë (2%). Në bashkinë Lezhë, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja rezulton të jenë rreth 394.2 milionë lekë nga rreth 143.5 milionë lekë që ishin në vitin e mëparshëm (në nëntë muajt e parë të vitit 2019, bashkia Lezhë regjistron 30 leje të dhëna, vlerësuar në rreth 63.2 mijë metër katror ndërtim). E njëjta prirje vihet re edhe në bashkinë Durrës ku nga rreth 234 milionë lekë në vitin 2018, në vitin 2019 u mblodhën rreth 257.2 milionë lekë. Në të kundërt, bashkitë Memaliaj dhe Kuçovë rezultojnë të mos kenë gjeneruar të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për vitin 2019.
Taksa mbi pasuritë e paluajtshme e nënmbledhur
Taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera mbi to, përbën një burim të qenësishëm dhe të qëndrueshëm të ardhurash për buxhetin vendor. Në tre vitet e fundit, të ardhurat nga kjo taksë vlerësohen në rreth 0.3% ndaj PBB-së nominale, raport ky ndjeshëm më ulët krahasuar me mesataren e BE-së prej rreth 1.6% të PBB-së për vitin 2017 (NALAS 2019). Ndonëse ndër vite të ardhurat e mbledhura nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme kanë ndjekur përgjithësisht prirje rritëse, problematikat e lidhura me të drejtat e pronësisë dhe mungesës së regjistrave kadastralë, ndër të tjera, pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit të kësaj takse.
Në vijim të reformimit rrënjësor të kësaj takse nëpërmjet Ligjit nr. 106/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, ‘Për sistemin e taksave vendore’, të ndryshuar”, viti 2019 pritej të ishte dhe viti kur të gjitha bashkitë në vend do të aplikonin taksën e pronës sipas metodologjisë të re, bazuar në komunikimet në media të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Aktualisht, jo të gjitha bashkitë e kanë ndërmarrë këtë hap, si pasojë e problematikave në mbledhjen e të dhënave të nevojshme për aplikimin e kësaj metodologjie.
Monitor.al