Turpi i madh i Shalësit të vogël
Nga Artur Zheji
Në seancën e turpit të miratimit të ligjit të plehrave, të datës 22 shtator, relatori i ligjit, deputeti Shalësi, ndër të tjera, u morr gjatë edhe me debatin që pati me mua në emisionin Opinion.
Në të vërtetë, seanca parlamentare e Plehrave, kjo njollë që Rama i vuri pa teklif Partisë Socialiste, se vetveten, mjerisht për të dhe për ne që e kemi dashur si mik apo si një yll në ngritje, po e njollos përditë, kjo seancë pra kishte shumë turpe. Kështu që turpi i vogël i Shalësit të vogël, në përgojimin që më bëri mua, pa më përmendur emrin, mbetet gjithsesi një pako gjë, një vogëlimë, një kakërdhi mjerane në raport me bajgën e madhe dhe kutërbuese, të 22 shtatorit.
Porse, Shalsi, që morri përsipër të bëjë apologjinë e urdhëruar nga Kryeshefi, me temë: “Sa e mirë dhe sa e shëndetëshme është bajga!”, pati një bilanc shumë të hidhur personal në emisionin Opinion.
Veshja e Avokatit të Mafias së Plehrave, që i kishte huazuar bossi i vet i përhershëm, e shndërroi në një Gaztor të Oborrit të Plehrave. Nën trysninë e polemikës, ay, në vend që ta vishte me tesha të pastra, Pisllëkun që kish marrë hov dhe po mbronte, Importin e Plehrave, Shalsi, e zhveshi edhe më, duke e bërë veten një nga figurat më qesharake të Parlamentit shqiptar, të të gjitha kohërave.
Duke bërtitur me sinqeritet budallallëkun e tij, duke i marrë shqiptarët po aq mjeranë, sa dhe është vetë ai, luante me termat, plehra dhe mbetje, duke harruar logorone e disa viteve më parë të bossit të vet të përhershëm, që ishte shprehur kundër Importimit të çdo mbetjeje, si parakusht për moslejimin e Mafias së tregtimit të mbetjeve të rrezikshme kimike apo radioaktive të hyjnë në Shqipëri. Dhe që me këtë rast, do të marrin hov të depërtojnë masivisht në Shqipëri.
Shalsi i tha Opozitës në Parlament, e cila nën sugjerimin e Mediave dhe Shoqërisë Civile, e ndërroi qëndrimin e saj të mëparshëm, nga abstenim, në votë kundra, “se po ju mbështet një analist, që priret nga inatet e veta personale dhe që kërkon të fitojë kapital politik nëpër studio televizive!..” Dhe u zgjat dhe u rikthye disa herë, të merrej me këtë analistin inatçi, që qenkësha unë dhe gëzohej tek ndjente nga pas frymën nxitëse të Bossit dhe tiganiste nga e para, kakërdhitë e tija jokonceptuale.
Është disi e padrejtë të merrem kaq shumë me këtë episod, kur Shqipërisë i kanoset kaq shumë pisllëk nga ky ligj i Ramës, të cilit Shalësi i shkretë, vetëm sa i ka shaluar shalën e pelës së ngordhur logjike dhe i ka hapur llagëmet mediatike, mbasi ay, Shalësi, ka një prirje të paparë, në të duruarit e erës së keqe të llagëmeve. Zbulesë kjo e kahershme.
Porse Shalësi, u shndërrua sakaq në një “metaforë kuptimplotë” dhe befas fitoi rëndësinë, që askurrë më parë, nuk e ka patur, si një sejmen i dorës së tretë, që është, jo për fajin tim.
Metafora Shalësi, vulos përfundimisht dekadencën e kryeministrit Rama, i cili si çdo diktatoruc, priret të imitojë periudhat diellore, të Versajës dhe të Tiranëve të mirëfilltë, ku pozicioni i Gaztorit dhe i Kllounit, si edhe e rrëfen Shekspiri, është një pasion më vete, nga i cili nuk hiqet dot dorë. Për ironi edhe Gaztori i Edit, quhet shkurt Edi, shkurtim i dëshiruar i emrit Eduart, por për fatin e tyre të keq, ka një gjë që nuk shkon.
Gaztori klasik në Mesjetë, ishte më zgjuar ose po aq i zgjuar sa dhe Mbreti, ishte pra, njëlloj këshilltari i fshehtë, që nëpërmjet humorit, mund ti thoshte Tiranit ca të vërteta të mëdha, që oborrtarët e tjerë nuk guxonin t’ja thonin.
Kurse Edi 2, është mjerisht për të dhe për Tiranin e tij, Edi 1, nën cilësitë e duhura inteligjente të Gaztorit.
Dhe kështu, jo për fajin tim, ai, Shalësi la kokrrën e namit në debatin televiziv si edhe në Parlament një ditë më pas, ndonëse duhet të them, se detyra që kishte marrë nga Tirani i vet, Edi 1, ishte e pamundur të kishte sukses. Dhe pra Shalësi, e meriton një fërkim dashamirës nga bossi dhe një mirënjohje zarftrashë, nga biznesi i mbetjeve.
Kur dolëm nga emisioni, Edi 2, më kërkoi edhe një cigare, madje, për habinë time, u përshëndetëm miqësisht. Mirëpo me sa duket më pas dhe sidomos të nesërmen, ustai i vet, do ti ketë thënë ca fjalë, nga ato me erë vërtet të keqe, që edhe hundë e Shalësit, mjaft e stërvitur në përballimin e erërave të këqija, nuk e paskësh duruar dhe u vërsul pabesisht në kuvend kundër meje, kur unë nuk isha aty, për replikë.
Megjithëse, duhet të pohoj, që Edi 2, pavarsisht të gjitha, është, ndonëse një hyzmeqar i dorës së tretë, ku e ku më zemër mirë e më zemër butë se bossi i vet, që po nxiroset dita ditës.
Dhe këtu “metafora Shalësi”, fiton një vlerë të shtuar. Kryeministri, por përdor “çuna të mirë”, por pa rezistencë morale dhe të dobët, si Shalësi dhe si Bare, për të bërë alibinë e punëve të veta të pista që dikush ja kërkuar, ose e ka urdhëruar që të bëjë. Duke nxjerrë ekraneve këta lloj “Çunash tirone”, dhe fakti që këta lloj “Çunash”, i binden kësaj detyre, erëkeqe dhe ndjellakeqe për të gjithë shqiptarët, me të vërtetë mund të themi se Punët janë Keq dhe kryeministri që kemi, e mbërriti me një shpejtësi të pabesueshme, pikën e vet më të ulët.
Mjerë ne!