Presidenti amerikan Barak Obama beson se bota jonë ka përfituar në shumë forma nga forcat e globalizimit. Zoti Obama e përdori fjalimin e tij të fundit para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si president i Shteteve të Bashkuara për të theksuar se si udhëheqja amerikane gjatë administratës së tij ka orientuar botën në një kurs më të mirë se tetë vjet më parë. Koncepti udhëheqës, sipas zotit Obama, ka qenë bashkëpunimi më i mirë mes vendeve në zgjidhjen e problemeve.
Presidenti e hapi fjalimin me një listë të atyre që i konsideron si arritje të tetë vjetëve të fundit, ku përmendi kapërcimin e krizës ekonomike që filloi në 2008; zgjidhjen e kërcënimit nga armët bërthamore iraniane përmes diplomacisë; nxitjen e begatisë dhe mundësive ekonomike për miliona vetë në mbarë globin që kanë dalë nga varfëria; normalizimin e marrëdhënieve me Kubën.
Megjithatë, bota e sotme aktualisht përballet me një krizë shkatërrimtare refugjatësh dhe me rrezikun terrorist, tha zoti Obama. Presidenti u ndal tek shpërbërja e strukturave të rendit dhe ligjit në Lindjen e Mesme, duke e përmendur si shembull të paqartësisë dhe pasigurisë që sundon në shumë shoqëri sot. Popullatat po bëhen gjithnjë e më të paduruara me institucione të paafta dhe jopërfaqësuese.
“Vërejmë që shumë shoqëri u mbyllin gojën gazetarëve, shtypin disidentët dhe censurojnë lëvizjen e informacionit. Rrjetet terroriste përdorin median sociale për të zaptuar mendjet e të rinjte duke vënë në rrezik shoqëritë e hapura dhe duke ushqyer zemërim kundër imigrantëve dhe myslimanëve të pafajshëm. Vende të fuqishme u bëjnë sfidë rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Ky është paradoksi i botës sonë sot”.
Ai shtoi se globalizimi ka sjellë vështirësi në një numër vendesh, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara ku janë zhdukur mijëra vende pune pasi sektori i prodhimi industrial ka transferuar operacionet jashtë vendit. Por përgjigja nuk gjendet duke i kthyer shpinën globalizimit, tha udhëheqësi amerikan, por tek puna e përbashkët për të zbutur efektin negativ të proceseve integruese.
Falë globalizimit, tha zoti Obama, bota është bërë më e sigurtë dhe më e drejtë; miliona njerëz kanë dalë nga varfëria ekstreme, një përqindje më e lartë vajzash ndjek shkollat, gratë kanë qasje më të mëdha ndaj mundësive ekonomike dhe politike.
Presidenti Obama pohoi se të njëjtat forca që kanë mundësuar globalizimin dhe kanë sjellë popujt më pranë njëri-tjetrit, kanë nxjerrë në pah edhe dallime të thella. Përgjigja ndaj këtyre dilemave dhe fenomeneve negative që shoqërojnë integrimin dhe globalizimin nuk është vetë-izolimi, tha presidenti, por bashkërendimi i punës në shkallë globale në mënyrë që përfitimet nga globalizimi të ndahen në mënyrë më të drejtë dhe që problemet që dalin të menaxhohen më mirë.