Mesfushori shqiptar i Twentes, Lindon Selahi, ishte një nga zbulimet më të mëdha këtë sezon në kampionatin holandez.
Falë paraqitjeve të tij mjaft pozitive me Twenten, 21-vjeçari u ftua nga Edi Reja në kombëtaren shqiptare ku ka bërë dhe debutimin e tij.
Së fundmi, Selahi, ka dhënë një intervistë për FanZone në SuperSport, ndërsa ka folur për shumë tema, duke nisur nga seancat stërvitore në Holandë gjatë kësaj periudhe, debutimi me kombëtaren kuqezi, si dhe zbuloi idhujt e tij.
“Kemi një javë që e nisëm stërvitjen dhe jam shumë i gëzuar për këtë, pasi kam ndenjur 1 muaj në shtëpi ku jam stërvitur gjithashtu por nuk është njësoj. Kemi filluar stërvitjen dhe jemi 6 lojtarë në fushë. Ndahemi në disa grupe për një muaj dhe pastaj do marrim pushimet.”
“Unë jam shumë i gëzuar, pasi ishte sezoni i parë si profesionit, kam nisur shumë ndeshje si titullar, ku kam shënuar edhe 2 gola. Ëndrra? Skuadra e ëndrrave është Real Madridi, për momentin jam te Twente ku kam edhe kontratë, më pas do shikojmë, pasi nuk dimë as kur do hapet merkato.”
“Debutimi me Kombëtaren? Kam pasur ëndërr që i vogël dhe ia arrita. Në atë kohë e kisha mendjen te familja, pasi më kanë ndihmuar shumë. Ishte diçka e veçantë, pasi luajta me flamurin që kam në zemër. Unë nuk jam maqedonas, por shqiptar dhe doja të luaj për Shqipërinë. Kur kam ardhur për herë të parë në Kombëtare, isha shumë i afruar me Taulant Seferin, meqë është nga Kumanova, por me të gjithë jam ndjerë mirë”.
“Frymëzimi? Në Europë kam si shembull Cristiano Ronaldon, ndërsa te Shqipëria kam Canën, pasi ka qenë një lojtar shumë i mirë. E kam ëndërr të bëhem si Cana te Kombëtarja, ai është një ikonë te Shqipëria”.