Në muajin e parë kur koronavirusi kishte mbërthyer Kinën, e po njihte një shtrirje në shtetet e tjera, u pretendua se më të rrezikuarit ishin të moshuarit. Por pas një sërë kërkimesh, doli se po kaq të rrezikuar ishin edhe ata persona të cilët vuanin nga disa sëmundje, e ndërsa COVID-19 i jepte goditjen fatale. Por kërkimet e fundit kanë dalë në përfundimin se njerëzit me ngjyrë janë më të rrezikuarit.
Njerëzit me ngjyrë kanë gjasa 4 herë më shumë që të vdesin nga koronavirusi, në krahasim me njerëzit e bardhë, shkruan “The Guardian”. Meshkujt nga Bangladeshi dhe Pakistani rezultojnë se kanë 1.8 herë mundësi më shumë të vdesin nga COVID-19, sesa meshkujt e bardhë. Nga ana tjetër, femrat nga këto grupe etnike i kishin gjasat 1.6 herë më të mëdha të vdisnin nga virusi sesa ato të bardhat. “Rezultatet zbulojnë se dallimi mes grupeve etnike në aspektin e vdekshmërisë nga COVID-19, vjen si rezultat i disavantazhit socio-ekonomik dhe rrethanave të tjera”, thanë nga ONS (Zyra Kombëtare e Statistikave).
Muajin e kaluar, nga kërkimet e bërë nga “The Guardian”, u konfirmuan dyshimet se grupet minoritare përballen me rrezik më të lartë nga pandemia, dhe zbuluan se zonat me numër më të madh të popullsisë që përfshinte minoritete në Angli dhe Uells, rrezikohen të kenë shifra më të larta të të vdekurve.