Në përgjithësi, vendet e Ballkanit e fituan betejën me pandeminë COVID-19, ndërsa parashikime të caktuara tregojnë se vala epidemike duhet të përfundojë deri në fund të majit ose fillimin e qershorit, tha në një intervistë me shkrim për Anadolu Agency (AA) Prof. Dr. Dragan Danilovski, epidemiolog dhe Shef i Institutit të Epidemiologjisë dhe Biostatikës me Informatikë Mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup.
Prof. Dr. Danilovski, i cili është edhe ish-ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, iu përgjigj pyetjeve të AA-së për mënyrën se si në vendet e rajonit numri i personave të infektuar dhe të vdekur me llojin e ri të koronavirusit (COVID-19) është më i ulët se vendet më të mëdha të Evropës Perëndimore, për parashikimet në lidhje me përhapjen e virusit në rajon dhe në botë, por edhe për përvojat e marra nga njerëzimi në trajtimin e “armikut të padukshëm” të quajtur koronavirus.
Në lidhje me pyetjen pse në vendet e Ballkanit numri i personave të infektuar me COVID-19 dhe vdekjet ishin më të ulëta se në vendet e tjera më të mëdha dhe më të zhvilluara në botë, Daniloski shpjegon se treguesi më i realtë i dinamikës së pandemisë nuk është numri i të infektuarve, por numri i vdekjeve, sepse numri i të infektuarve varet nga numri i personave të testuar.
Ballkani, vaksinimet e detyrueshme si avantazh në luftën kundër COVID-19/ Sipas mendimit të tij, një nga arsyet e shkallës së ulët të vdekshmërisë të shkaktuar nga COVID-19 në vendet e rajonit mund të jetë fakti që të gjitha vendet e Ballkanit tridhjetë vjet më parë kishin një rregullim shoqëror socialist, me sisteme të centralizuara shëndetësore, në të cilat vaksinimet e popullatës ishin të detyrueshme kundër shumë sëmundjeve infektive. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se vendet e pasura të Evropës Perëndimore dhe SHBA kanë sisteme shëndetësore relativisht liberale, dhe në shumicën e rasteve vaksinimet nuk janë të detyrueshme.
“Në këtë kontekst u shfaqën supozime interesante, se të gjitha popullatat në të cilat vaksinat kundër tuberkulozit (BCG) ose poliomielitit ishin të detyrueshme, tani kanë shkallë më të ulëta si të pacientëve të infektuar, ashtu edhe të vdekur nga COVID-19. Mund të jetë kështu. Supozohet se te individë të tillë sistemi imunitar ka një reaktivitet më të madh ndaj infeksionit me koronavirusin e ri, pra ai do të zhvillojë tregues më të lartë të antitrupave mbrojtës në krahasim me sistemin imunitar të atyre që nuk janë vaksinuar. Bazuar në këtë logjikë, në Australi filloi një studim premtues për të provuar fuqinë mbrojtëse të vaksinës BCG. Ndërkaq, në Gjermani, kategoritë më të vjetra të qytetarëve po vaksinohen masivisht kundër pneumonisë (Streptococcus pneumoniae, shkaktar i zakonshëm i pneumonisë), me qëllim të forcimit të tërthortë të sistemit të tyre imunitar”, tha Danilovski.
Ai shtoi se një arsye e mundshme është fakti se masat kufizuese të përcaktuara janë teknikisht më të lehta për t’u zbatuar dhe kontrolluar në vendet e vogla, siç është Ballkani, sesa në vendet me popullsi të madhe.
“Turqia, një shembull pozitiv i menaxhimit të suksesshëm të pandemisë”/ Duke iu referuar niveleve të vdekjeve në disa vende evropiane dhe SHBA, si dhe vendet e Ballkanit (sipas të dhënave nga faqja ëorldometers.info), Danilovski thotë se është e qartë se të gjitha vendet e Ballkanit kanë 10-20 herë nivel më të ulët të vdekshmërisë. “Parashtrohet pyetja, cilat janë arsyet e këtyre dallimeve? Madhësitë e popullsive nuk mund të jenë faktor kryesor, pasi, për shembull, vendet skandinave kanë popullsi të ngjashme si ato ballkanike, dhe megjithatë nivelet e vdekshmërisë së tyre janë të paktën 10 herë më të larta. Sidoqoftë, është e vërtetë se, në parim, vendet me popullsi më të madhe kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë. Ky fakt është një realitet, pavarësisht nivelit të zhvillimit të vendeve.
Kështu, Shtetet e Bashkuara kanë nivelin më të lartë të vdekshmërisë për një milion banorë (183), dhe Shqipëria si vend më i varfër në mënyrë të pakrahasueshme ka vetëm 10 vdekje për një milion. Fakti është se është më e lehtë të menaxhosh një epidemi në një vend me një popullsi prej 2 milionë sesa me 330 milion (SHBA). Në kategorinë e vendeve me popullsi të madhe, një shembull pozitiv i menaxhimit të suksesshëm të pandemisë është Republika e Turqisë, e cila me një popullsi prej më shumë se 80 milionë, ka një normë vdekshmërie nga COVID-19 me vetëm 37 në 1 milion”, tha Danilovski.
Danilovski beson se vendet e rajonit deri më tani janë ballafaquar mirë me koronavirusin, megjithëse të gjitha vendet e Ballkanit janë në mënyrë të pakrahasueshme më të varfra se vendet e tjera evropiane. Ndër arsyet e përmendura më parë lidhur me këtë situatë, ai konsideron se edhe masat në gjithë rajonin ishin më rigoroze dhe u zbatuan në kohën e duhur.
“Unë madje jam i mendimit që ato duhej të ishin zbatuar edhe më herët, si në vend, ashtu edhe në rajon. Kështu që do të kishim një shans për të prerë zinxhirët e infeksioneve, edhe pse numri i të infektuarve ishte dyshifror (në gjysmën e parë të marsit 2020). Në proporcion, edhe vdekshmëria do të ishte më e ulët. Megjithatë, gjithmonë ka një lloj inercie në të gjitha qeveritë kur bëhet fjalë për ngritjen e sugjerimeve të ekspertëve shëndetësorë. Askush në botë në atë kohë nuk besonte se sëmundja do të merrte përmasa pandemike. E që nuk është për t’u habitur, duke marrë parasysh faktin se bota nuk është përballur me një pandemi që nga 1918-1920 (pandemia e gripit spanjoll)”, theksoi Danilovski.
“Mund të mos na dukej e mundur që nga Kina, virusi të përhapet kaq shpejt në të gjithë planetin. Madje edhe kur ishim dëshmitarë të apokalipsit në Itali, ne ende nuk ishim të bindur se fatkeqësia do të na godiste në Ballkan. Kjo ndodhi përmes qytetarëve tanë që ktheheshin nga Italia. Dhe ‘shkëndijat’ që hyjnë menjëherë fillojnë të ndezen”, shtoi ai.
“Flaka nuk u shndërrua në stuhi zjarri”/ Prof. Dr. Danilovski është i mendimit se qëllimi kryesor në luftën kundër koronavirusit është arritur duke mos tejkaluar kapacitetin e sistemit shëndetësor në vend.
“Përkundër të gjitha ‘papërsosmërive’ në zbatimin e masave kufizuese (për shembull, mbyllja jo në kohën e duhur e kufijve, vonesat në masën e mbajtjes së detyrueshme të maskave, etj.), unë ende mendoj se ne të gjithë kemi arritur qëllimin themelor, dhe kjo është nivelizimi i kurbës së epidemisë, në mënyrë që të mos tejkalohet kapaciteti i sistemit shëndetësor. Flaka nuk u shndërrua në stuhi zjarri”, tha ai.
Ai shtoi se efektet do të ishin më të mira nëse paralelisht me masat kufizuese, testimi i hershëm i popullatës (kryesisht grupet e rrezikuara) do të ishte kryer me ndihmën e testeve serologjike të shpejta për të zbuluar grupimet e fshehura të infeksioneve, në mënyrë që ata sa më shpejt të izolohen.
“Te ne po planifikojmë një test të tillë në fund të majit, i ashtuquajturi studim i seroprevalencës, i cili synon të shohë shtrirjen dhe shpërndarjen e individëve tashmë imunë në mesin e popullatës së përgjithshme. Kjo do të jepte një ide për nivelin e imunitetit kolektiv të popullatës. Dhe nga ato të dhëna, mund të llogaritet rreziku i një vale të re epidemike të sëmundjes, mënjëherë pas heqjes së masave kufizuese. Në përgjithësi, të gjitha vendet e Ballkanit fituan këtë betejë me COVID-19”, theksoi Danilovski.
Lidhur me parashikimet e tij në lidhje me përhapjen e virusit dhe situatën që ai nuk pret në vend, në rajon, por edhe globalisht, prof. Dr Danilovski thotë se epidemia duhet të përfundojë deri në fund të majit ose fillim të qershorit. “Përafërsisht të tilla janë parashikimet për rajonin, por edhe për botën. Akoma nuk dihet si do të ecin punët në Afrikë. Atje duket se pandemia është në fillim. Meqenëse nuk e njohim virusin sa duhet, nuk mund të supozojmë me siguri se si do të sillet më tej”, tha ai.
Vaksina si shpresa më e mirë për imunitetin kolektiv/ Aktualisht ka tre momente të panjohura kur bëhet fjalë për koronavirusin. Secila nga këta faktorë do të ndikojë në infektivitetin e ardhshëm të sëmundjes.
“Ne ende nuk e dimë nëse koronavirusi do të bëhet sezonal, si gripi, apo do të jetë konstant gjatë gjithë vitit. Ne nuk e dimë si do të jetë mutacioni i koronavirusit me kalimin e kohës. Viruset që shkaktojnë ndikimin e gripit ndryshojnë vazhdimisht, kështu që njerëzit kanë nevojë për vaksinime vjetore. Do të shohim se çfarë ndodh me këtë koronavirus. Ai me siguri pëson mutacion me një ritëm më të ngadaltë dhe nëse vazhdon të qarkullojë, do të shohim se çfarë ndryshime janë shkaktuar. Pyetja është se çfarë do të bëjnë këto ndryshime: a do ta bëjnë ata virusin më të mirë në shmangien e sistemit tonë imunitar apo mbase do të bartet më lehtë?”, tha Dr. Danilovski.
“Ne nuk e dimë se sa kohë ata që janë të infektuar janë imunë. Disa viruse të tjerë në familjen e koronavirusit, siç janë ato që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, sigurojnë vetëm imunitet për rreth tre muaj. Vlerësohet se duhet të jemi imunë ndaj koronavirusit për të paktën një vit, ndoshta dy, në mënyrë që popullata të ndërtojë imunitet kolektiv. Nëse nuk ndodhë kjo, shpresa jonë më e mirë për imunitet kolektiv është vaksina”, shton Danilovski.
Mbi atë se cila është rruga përpara, prof. Dr. Danilovski beson se tani për tani, para se të arrihet mbrojtje e plotë përmes imunitetit kolektiv, aktivitetet më të mira që qeveritë mund t’i ndërmarrin janë të mbajnë publikun të informuar, të kryejnë testime të vazhdueshme dhe masive dhe të zvogëlojnë përhapjen duke shtrënguar kontaktet sociale.
“U dëshmua se qasja e lëshimit të virusit lirshëm të përhapet përmes popullatës (të cilën disa vende janë përpjekur ta aplikojnë dhe më pas e kanë braktisur) me qëllim të fitimit të imunitetit kolektiv në një periudhë të shkurtër kohe është plotësisht e papranueshme, sepse numri i rasteve të rënda dhe nivelet e vdekshmërisë janë rritur kaq ashpër, saqë kjo ka filluar të tejkalojë kapacitetin e sistemeve të tyre shëndetësore. Le të mos përmendim aspektet etike dhe njerëzore”, theksoi Prof. Dr. Danilovski.
“Ora policore duhet të hiqet së shpejti”/ Sipas profesorit Dr. Danilovski, tashmë janë krijuar kushte për relaksim të pjesshëm të masave kufizuese, sepse, siç thotë ai, “numri bazë riprodhues i virusit që nga 15 prilli është në nivelin nën 1.0, por kjo nuk do të thotë që ne mund të relaksohemi”.
“Mund shumë e lehtë të vijë deri te rikthimi i problemit. Derisa të arrihet pragu i imunitetit kolektiv prej 60 për qind ose të vihet në dispozicion një vaksinë kundër COVID-19, do të duhet të mësohemi të jetojmë një jetë të re normale’ (neë normal), madje edhe kur të hiqet ora policore. Do të jetojmë me virusin pranë nesh, duke iu përmbajtur rregullave të reja të sjelljes që do të zvogëlojnë shanset për transmetimin e virusit”, shprehut epidemiologu. Ai thotë se ora policore duhet të hiqet së shpejti.
“Pra, ora policore, nëse nuk ndodh diçka e paparashikuar, duhet të hiqet së shpejti, duhet të hapen restorantet dhe kafenetë, por do të punojnë nën një regjim të veçantë ruajtjes së distancës midis mysafirëve, të gjitha vendet publike dhe shërbimet do të punojnë, do të hapen pjesërisht kufijtë, dhe nga shtatori shkollat dhe fakultetet. E gjithë kjo me një masë të domosdoshme – mbajtja e maskave ose shalleve mbi hundë dhe gojë! Nëse kjo masë nuk respektohet, atëherë gjithçka që është arritur do të rrënohet shumë shpejt”, vlerëson Danilovski.
Lidhur me atë se çka do të ndodhë më tej lidhur me situatën me koronavirusin, prof. Dr. Danilovski thotë: “Virusi është pa dyshim midis nesh. Duket se do të duhet të mësohemi që të mos presim vetëm ‘sezonin e ftohjes dhe gripit’ në vitet në vazhdim, por edhe ‘sezonet e ftohjes, gripit dhe të COVID-19’. Pra, për analogji me virusin e gripit dhe viruset e tjera të frymëmarrjes, COVID-19 ka të ngjarë të bëhet një sëmundje sezonale. Të pakta janë gjasat të zhduket përgjithmonë. Të dhënat e fundit nga Afrika tregojnë se temperaturat e larta nuk ndikojnë ndjeshëm në të, përveç që e ngadalësojnë atë në një farë mase”.
“Është e papranueshme dhe jonjerëzore të flasësh për sigurimin e shpejtë të imunitetit kolektiv” Me kalimin e kohës prof. Dr Danilovski thotë se është e pashmangshme që sistemi imunitar gradualisht të rritet. “Kjo do të ndodhë me më pak apo më shumë dinamizëm, në varësi të nivelit të relaksimit të masave kufizuese, të cilat në një farë mase, duhet të qëndrojnë në fuqi edhe kur përhapja e epidemisë të ndërpritet plotësisht, deri sa të gjendet vaksina. Aktualisht, janë duke u testuar mbi 90 të ashtuquajtur kandidatë të ndryshëm për vaksina, disa prej tyre si vullnetarë. Sidoqoftë, derisa të studiohen të gjitha efektet e mundshme anësore, përdorimi masiv nuk duhet të lejohet. Vlerësohet se do të duhet të paktën një vit tjetër që të kemi një vaksinë vërtet të sigurt”, thotë ai.
Deri atëherë, sipas prof. Dr. Danilovski, në dispozicionin kemi, nga njëra anë, masat kufizuese “mesjetare” dhe masat për të zvogëluar transmetueshmërinë e virusit (mbajtja e maskave, higjena e duarve, ruajtja e distancës sociale) dhe nga ana tjetër, gjurmimi i kontakteve me ndihmën e aplikacione celulare dhe testimet serologjike në masë.
“Ideja është të ‘bejmë’ kohë (deri në zbulimin e vaksinëns) dhe të kalojmë me sa më pak viktima të jetë e mundur, njerëzore dhe ekonomike. Është e papranueshme dhe jonjerëzore të flasësh për sigurimin e shpejtë të imunitetit kolektiv, pavarësisht nga numri i vdekjeve shumëfish më i madh. Gjithashtu, ekstremi tjetër është kundërproduktiv: masat të jenë aq kufizuese dhe afatgjata, sa të ndodhë një kolaps i plotë i shoqërisë. Masat kurrë nuk duhet të shkaktojnë më shumë dëme sesa shkaku i tyre”, tha Prof. Dr. Danilovski.
“Mësimet nga kriza: Mësuam përsëri të jemi njerëz”/ Nga kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19, sipas prof. Dr Danilovski, njerëzimi ka mësuar shumë gjëra, ndër të tjera se “bota është bërë një fshat global”. Siç thekson ai, ne kemi mësuar se cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të sistemit të mbrojtjes nga fatkeqësitë masive në vend. Sipas tij, njerëzit kanë mësuar se çka duhet të ndryshojë brenda sistemit – çka mund të përmirësojmë dhe çka mund të hedhim poshtë.
“Ne kemi mësuar se suksesi në trajtimin e një pandemie, në përgjithësi, nuk varet aspak nga niveli i zhvillimit, pasuria e vendeve. Ne mësuam se pa marrë parasysh sa efektive janë masat shtrënguese, gjithmonë do të ketë njerëz të pakënaqur. Mësuam se përballë një kërcënimi të përbashkët, na duhet vetëm unitet, pavarësisht nga dallimet politike, fetare apo të tjera. Mësuam se sa e lehtë është të bëhesh viktimë e një armiku të padukshëm. Mësuam se cilët ishin egoistët e maskuar mes nesh dhe cilët ishin miq të vërtetë. Mësuam se sa e rëndësishme ishte të marrësh pak ajër të pastër dhe stërvitje. Mësuam të jemi përsëri me familjen. Mësuam të lexonim. Mësuam përsëri të jemi njerëz”, përfundon epidemiologu Prof. Dr. Danilovski në intervistën për AA.