Nga Alice Thomson
Mësimi i sotëm ka në sfond kuzhinat dhe dhomat e gjumit të nxënësve, ndërsa mësuesit e tyre përpiqen me guxim t’i mbajnë të përqendruar në mësimet e tyre në ekran. Disa fëmijë të kësaj kohe të Covid-19 mund të kenë jenë ndier gjatë këtyre javëve të relaksuar, duke shijuar kalimin e më shumë kohe me prindërit, me gatimet, me lojërat në oborre, duke fjetur më vonë, duke luajtur në telefona.
Atyre nuk u është dashur të shqetësohen për zgjimin e nxituar në mëngjes, për detyrat e shtëpisë që kanë harruar edhe pse u mungojnë takimet sociale nëpër klasa. Sipas OECD, fëmijët që i kanë kushtet dhe mundësitë edhe në kushtet e mbylljes “fitojnë përparësi” të mëdha; ata mësojnë të jenë më të shkathët, krijues dhe të pavarur.
Por për shumë fëmijë të tjerë mbyllja është një katastrofë. Ka patur më shumë fëmijëve që janë vënë nën urdhërat e mbrojtjes policore, është shtuar numri i atyre që hyjnë në sistemin e kujdesit dhe mbrojtjes nga dhuna në familje ose në shtëpitë e fëmijëve jofunksionale.
Agjensia e Kujdesit ‘Perpetual Fostering’ në Mançester ka marrë më shumë se 1.000 fëmijë në mbrojtje nga 750 para fillimit të bllokimit. Lisa Ëitter, menaxherja e qendrës thotë se: “Shumë fëmijë janë nga shtëpi të cilat kanë abuzime me alkoolin, bixhozin dhe çështje të shëndetit mendor. Ky virus ka përkeqësuar gjendjen e tyre. Ne kemi një rast kur nëna e dy fëmijëve vdiq në një incident të dyshuar në familje.” Anne Longfield, komisionere e fëmijëve, thotë: “Fëmijët nuk rrezikohen nga virusi, por ata janë përballë një rreziku të madh kur mbahen të mbyllur në shtëpi.”
Këta fëmijë gjithashtu ka shumë të ngjarë të vuajnë mungesën e edukimit. Shkollimi në shtëpi ose në internet për këta fëmijë është shpesh i pamundur. Prindërit beqarë mund të jenë në punë me turne. Kushtet e shtëpisë janë të kufizuara për fëmijë të tjerë. Ata mund të mos kenë ndonjë hapësirë të gjelbër pranë, në të cilën të luajnë e zbutin zhgënjimet e tyre. Shumë nga këta fëmijë do të shqetësohen më shumë nëse nuk kanë ushqim për vaktin e tyre të ardhshëm, apo nëse kanë mbetur mbrapa në mësime.
Sipas Sutton Trust, një organizatë bamirësie, vetëm një e treta e këtyre fëmijëve kanë qasje për mësim në internet. Edhe nëse kanë një kompjuter në shtëpi, motrat dhe vëllezërit nuk mund ta përdorin njëherësh atë. Shumë fëmijë në nevojë, shumica e të cilëve kualifikohen për ushqim falas në shkollë për shkak të të ardhurave të ulëta të prindërve të tyre, janë mesatarisht, 18 muaj pas pjesës tjetër të grupmoshës për sa i përket arritjeve arsimore deri në kohën kur arrijnë në 16 vjeç. Kjo shifër do të vijë në rritje. Studimet në SHBA, Suedi dhe Britani tregojnë se periudha të gjata larg klasës i dëmtojnë arritjet e nxënësve me të ardhura të ulëta.
Për shumë fëmijë të cenueshëm, shkolla ka siguruar siguri, strukturë dhe ushqim. Kjo vlen në të gjithë botën. Presidenti Macron ka sqaruar se në kushtet kur “situata aktuale rrit pabarazitë” shkollat do të jenë institucionet e para franceze që do të rihapen.
Heqja e kontrolleve dhe ndalimeve duhet bërë sa më shpejt që të jetë mundur. Familjet e sigurta madje mund ta konsiderojnë këtë diçka të nxituar. Por pas kësaj pandemie do të shohim një hendek shumë më thellë midis nxënësve të që i kanë mundësitë dhe atyre në nevojë. Ka ardhur koha për të meduar seriozisht për fëmijët në nevojë, para se të jetë përgjithmonë vonë! /The Times