Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka pasur sot një takim me 150 maturantët ekselentë në Shqipëri, para Kryeministrisë një grup maturantësh kandidatë për student kanë protestuar për reformën.
Kreu i qeverisë u tha maturantëve që kishte mbledhur brenda kryeministrisë se reforma funksionon mësë miri.
“Më të paktët kanë fituar 4 degë. Ky është kuptimi që kjo reformë kuptimplotë, funksionon më së miri në rradhë të parë për më të mirët”, tha ai. Nuk kanë munguar batuat që në nisje të fjalës së tij. Rama kërkoi ndjesë për vonesën dhe tha: “Ju të gjithë kishit ardhur në kohë kishit zënë vendet, përvec atyre nga Vlora, se vlonjatët vijnë gjithmonë me vonesë për të treguar që janë më të rëndësishëm”. Kryeministri ka shpjeguar edhe të mirat e reformës në sistemin e arsimit, e kritikuar shumë dhe që ka ngjallur protesta nga studentët. “Deri vjet pasi bëje zgjedhjen nuk mund të ndryshoje më as degën as mendjen, dhe llogarite tani kur është kaq e vështirë për të zgjedhur degët dhe programet sa e vështirë është të bësh renditjen dhe llogaritë, …fitonte gjithmonë alternativa e parë që zgjidhte. Skishte mundësi korigjimi sistemi, ishte i destinuar maturanti që të shkonte në secilën degë që e kishte imponuar nga halli që në 15 vjeç. Nëse sot për arsye të ndryshme ngrihet pretendimi se u penalizuan ekselentët, e vërteta është se kemi shembur një sistem që ngrihet mbi penalizimin ekselent”.
“Ky sistem për herë të parë garanton më të mirët. Hera e parë me siguri që nga viti 1990 që më të mirët janë të privilegjuar. Ne nuk e kemi fshehur këtë, që bërja e nxënësve si këmbtë e dhisë përbën një vlerë solidariteti. Barazi për të gjithë por ama më të mirët të privilegjuar, garanci për meritën. Sot akoma jeni në kushtet ku mund të reflektoni mbi bazën e alternativave që keni në dorë dhe deri në fund të bëni një zgjedhje të mirëpeshuar mbi bazën e një arsyetimi që mund ta bëni më mirë se në moshën 15 vjecare. Ka një lojë kungulleshkash, pse 10, po 5. Pyetja ime është e thjeshtë, jashtë shteti sa alternativa ka? maturantët mund të zgjedhin edhe 100”, tha Rama. Teksa shefi i qeverisë fliste, një grup studentësh ishin mbledhur para kryeministrisë për të protestuar. Por mesa duket Rama u bezdis nga fjalët e tyre që bërtisnin me megafon dhe përgjigjen ua dha studentëve ekselentë që kishte përpara: “Ja e morën vesh që ju jeni këtu dhe vijnë bërtasin dhe s’dinë për cfarë bërtasin, cfarë thonë, cfarë kërkojnë, në vend të studiojnë gjithë skemën, rrinë në rrugë dhe bërtasin. Por sikur të ishin vetëm këta do ta zgjidhnim por s’janë vetëm këta se jua corodisin mendjen të tjerët”. “Reformë e dështuar ministri e korruptuar”, ishin pankartat që të rinjtë mbanin në dorë. Ata kanë hedhur edhe bojë dhe vezë në drejtim të kryeministrisë.