Nga Edmond Tupja
Për mirësjellje po i quaj “Zonjë” e “Zotëri”. “Përse kështu?” – mund të pyesin me të drejtë lexueset dhe lexuesit e mi të shtrenjtë, veçanërisht të ngujuarat dhe të ngujuarit. Thjesht për t’i marrë me të mirë që të mos egërsohen edhe më shumë, siç po egërsohen e po vrasin në mbarë botën pa dallim race, kontinenti, vendi, feje, botëkuptimi, profesioni e, me sa duket, herë pas here, pa dallim moshe.
Rrjedhimisht dhe për fat të keq pashmangësisht, u shtrënguam edhe ne, shqiptaret e shqiptarët, që nga lypësi më anonim deri te kryeministri më heroiko-protagonist që kemi deri tani, t’u themi “Mirë se erdhët në vendin e shqiponjave!” duke u hapur dyert, dritaret e mushkëritë me pahir.
Sidoqoftë, prej më se një muaji, pyes, stërpyes e tejpyes veten përse, në kundërshtim me fjalën tonë të urtë “Kush vjen pa ftuar, gjen pa shtruar”, Znj. Korona & Z. Virus erdhën pa ftuar, por mjerisht “gjetën shtruar”, sepse dikush (po cili vërtet?) me sa duket u ka përshpëritur në vesh se shqiptareve e shqiptarëve nuk u bën syri tërr, ngaqë, fort të sigurt në vetvete, pretendojnë që ata i “ruan Zoti” ose që “janë në dorë të Zotit”, kështu që, duke sfiduar jo vetëm njerëzimin por edhe vetë “Zotin”, Znj. Korona & Z. Virus ia behën me kureshtje të eksituar e të pashuar edhe në atdheun tonë të dashur feudalo-kapitalist.
Mirëpo, duke pasur parasysh atdheun e tyre zanafillor, pra Kinën me një popullsi shumë të bindur e të duruar (aq sa në shqipe akoma thuhet për dikë që tregon shumë durim se ai ka “një durim kinezi”!), zonja dhe zotëria në fjalë u lumturuan kur ai dikushi misterioz u mësoi se, ndryshe nga ata, kinezët, shqiptarët, këta mesdhetarë e ballkanas njëkohësisht, janë krejt të paduruar e alergjikë ndaj ligjeve e rregullave të vendosur nga mjekësia, shteti dhe shoqëria civile, prandaj kureshtja e tyre u shumëzua me njëqind, një mijë, një milion!
Gjithsesi, për hir të së vërtetës lakuriqe (ose të veshur me rroba funddimri krejt të tejdukshme), kam përshtypjen se Znj. Korona & Z. Virus erdhën tek ne edhe për një arsye tjetër : Dikush (ndoshta i njëjti person si më lart) u ka përmendur një tjetër fjalë të urtë shqiptare. Cilën? Oh, ajo është aq e njohur: “T’i thuash derrit dajë”, aq e njohur, po e përsëris, dhe aq e neveritshme, saqë për ta mposhtur neverinë që më ka ngjallur qysh në fëmijëri, e kam tjerrë metaforën si vijon: Kush i thotë derrit dajë, duhet t’i thotë edhe tezes dosë, edhe gicit kushëri të parë!
Sidoqoftë, duke u nisur nga ky lloj proverbi, Znj. Korona & Z. Virus me siguri do të kenë qenë kureshtarë të shihnin nëse shqiptarët do t’i mirëprisnin, kështu që erdhën e u ulën këmbëkryq në qytetet tona ku, sot e kësaj dite, me gjithë shpjegimet e mjekëve dhe paralajmërimet e tyre, me gjithë ligjet dhe aktet e rrepta nënligjore, me gjithë vigjilencën por edhe ekspozimin e policisë ndaj Kovid-19-s, me gjithë gjobat e dënimet e parashikuara deri në burgim, jo pak shqiptarë të pavetëdijshëm ose të shkujdesur nuk i respektojnë masat dhe kufizimet e domosdoshme për të shmangur vetëmolepsjen ose molepsjen e të tjerëve.
Kjo dukuri ka shumë gjasë ta ketë intriguar Znj. Korona me Z. Virus, të cilët, duke qenë në dijeni të mbijetesës shumëshekullore të shqiptarëve ndër shekuj, duke mësuar se ata nuk kanë pyetur as për pushtuesit e jashtëm (romakë, sllavë, grekë, turq otomanë, fashistë italianë e nazistë gjermanë), dhe as për pushtuesin e brendshëm (atë enverist), presin të shohin se me çfarë emrash do t’i pagëzojnë ata ose, më saktë, a do t’u thonë dajë, teze e nip, siç u thonë derrave, dosave e gicave, apo do t’i thërrasin me emra më të lavdishëm si luan, elefant, tigër apo me ndonjë tjetër emër kafshësh a përbindëshash po aq të fismë, ndonëse gjaksorë, të nxjerra nga folklori i tyre, si kuçedër, lubi, stihi, katravesh, katallan, bajloz, ndoshta edhe dragua, aq më tepër që Kovid-19-a na vjen drejtpërsëdrejti nga Kina, ku dragoi është një figurë folklorike kombëtarisht mbizotëruese?
Ndërkohë, Znj. Korona & Z. Virus, të padukshëm siç janë, enden rreth e qark nesh, kudo, natën e ditën, dhe luajnë e zbaviten me jetët tona duke pasur për aleatë e viktima të ardhshme njëherazi ata bashkatdhetarë të pavetëdijshëm që ajrin e molepsur pikërisht nga Znj. Korona & Z. Virus e konsiderojnë si elikzir perëndish, si diçka parajsore! Mirëpo kjo është më keq se t’i thuash derrit, dosës e gicit përkatësisht dajë, teze e nip, kjo është më keq se t’i thuash ferrit parajsë, kjo është t’i thuash vdekjes jetë. /PANORAMA.al