Singapori kishte qenë i pari i klasës në mënyrën e trajtimit të shpërthimit të Covid-19. Madje, që përpara se sëmundja të kishte një emër, vendi kishte vendosur kufizime të rrepta të udhëtimit dhe një operacion të efektshëm të gjurmimit të kontakteve, që frenonte përhapjen e virusit. Por ditët e fundit, numri i rasteve të konfirmuara është rritur shumë. E enjtja e ngriti ditën më të lartë të infeksioneve të reja në 287, nga 142 një ditë më parë. Kryesisht, këto vijnë nga vendbanimet e dendur të punëtorëve migrantë.
Pasi e shmangu për disa muaj, Singapori tani është nën një bllokim të pjesshëm, me shkollat dhe bizneset jo thelbësore të mbyllura, dhe njerëzve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi. Ekspertët thonë se një nga vendet më të pasura në botë – i cili dukej se po bënte gjithçka – ka mësime të rëndësishme për vendet e varfëra.
Çfarë po shkonte mirë në Singapor?
Singapori e pati shumë herët rastin e parë të koronavirusit të ri. Ishte një turist kinez që mbërriti nga Vuhani në 23 Janar, në të njëjtën ditë kur epiqendra e virusit u vu në bllokim total. Në kohën kur sëmundja e shkaktuar nga virusi mori emrin zyrtar – Covid-19 – ajo tashmë ishte përhapur në mesin e popullatës në Singapor. Por vendasit ishin stërvitur mirë për reagimin dhe e vunë menjëherë në zbatim. Përveç kontrolleve shëndetësore në aeroporte, Singapori kreu testime të gjera për çdo rast të dyshuar; gjurmoi këdo që binte në kontakt me një rast të konfirmuar; dhe i mbylli ato kontakte në shtëpi derisa të negativizoheshin.
Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e quajti “një shembull i mirë i një qasjeje gjithëpërfshirëse”. Për javë të tëra, Singapori arriti të mbante numrat të ulët dhe të gjurmueshëm, me vetëm grupime të vogla, lehtësisht të kapshme, pa ndonjë kufizim real në jetën e përditshme. Por Prof Dale Fisher, kryetar i Rrjetit të Paralajmërimit dhe Frenimit të Shpërthimeve të OBSH-së dhe profesor në Universitetin Kombëtar të Singaporit, i tha BBC-së se sa herë që dëgjonte njerëzit që i thoshin se Singapori po shkonte mirë, ai u përgjigjej: “Deri tani”. “Kjo është një sëmundje me të vërtetë e vështirë për t’u frenuar,” thotë ai.
Kur filluan të përkeqësohen gjërat?
Sistemi funksionoi deri në mes të marsit, thotë Prof Yik-Ying Teo, dekani i Shkollës së Shëndetit Publik në Singapor. Domethënë deri kur, ndërsa rëndësia e situatës u bë e qartë në të gjithë botën, vendet filluan t’u kërkojnë qytetarëve të tyre të ktheheshin në shtëpi. Mijëra u kthyen në Singapor nga vendet që nuk kishin qenë aq proaktivë – mes tyre më shumë se 500 njerëz, që pa dashje e sollën virusin përsëri. Asokohe ishte e detyrueshme që të kthyerit të qëndronin në shtëpi për dy javë. Por njerëzve të tjerë në familjen e tyre u thanë që mund të vazhdonin me jetën e tyre, për aq kohë sa askush nuk shfaqte simptoma.
Ndërsa rastet e reja ishin rritur gradualisht, nga mesi i marsit kishte me dhjetëra në ditë. Shumica ishin të importuara ose të lidhura me raste të importuara, por për herë të parë, jo të gjitha rastet familjare mund të gjurmohen lehtësisht. Prof Teo thotë se është e lehtë të thuash sot, se ishte gabim të mos kufizoje ndërveprimet e të kthyerve. Por realiteti është që “tani, ne dimë shumë më tepër rreth sëmundjes, në krahasim me marsin”.
“Tani e dimë se përhapja asimptomatike është plotësisht e mundur – kjo ndodh dhe mund të jetë shtytësi kryesor i transmetimit për Covid-19”, thotë Prof Teo. Pikërisht sepse Singapori ka mbajtur të dhëna të hollësishme për të gjitha rastet, ka qenë në gjendje të mësojë nga përhapja në familje. “Masat kanë evoluar me të kuptuarit se nga vijnë rastet,” thotë Prof Teo.
Kjo do të thotë, shton ai, që vendet duhet të jenë të kujdesshëm kur mbështeten me tepri në informacionin e momentit – për shembull, duke besuar se njerëzit që janë rikuperuar, janë imunë ndaj infeksionit të ardhshëm, kur kjo nuk është aspak e sigurt.
A na tregon Singapori që virusi nuk mund të frenohet?
Megjithë disa akuza se ishte vonuar shumë në vënien në fuqi të një bllokimi të pjesshëm, Prof Fisher thotë se Singapori në të vërtetë ka vepruar shumë më herët se vendet e tjera, ndërsa numrat e rasteve ishin ende vetëm mbi 100 çdo ditë.
Por që një bllokim të jetë efektiv, thotë ai, tre gjëra duhet të ndodhin. Së pari që transmetimi të ndalet – gjë që do të ndodhë nëse të gjithë qëndrojnë në shtëpi. Së dyi, sistemi i kujdesit shëndetësor ka nevojë për kohën dhe hapësirën për t’u rikuperuar – që shtretërit të çlirohen, dhe stafi mjekësor të jetë në gjendje të marrë kohë pushim.
“E treta është që të vësh në veprim të gjitha sistemet – të gjitha strukturat e izolimit, kapacitetet e karantinës, ligjet, gjurmimi i kontakteve.
“Nëse bën thjesht vetëm një dhe dy dhe heeq masat, historia do të përsëritet,” paralajmëron ai.
Singapori është me fat në këtë drejtim – ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, për shembull, ai në asnjë moment nuk ka parë sistemin e tij mjekësor të mbingarkuar.
Ai ka gjithashtu një parti politike mbizotëruese dhe një media të mirëkuptueshme, por Prof Dale thotë se edhe me “mesazhe të qarta, të forta për një komunitet që i beson qeverisë” ai është i shqetësuar se “njerëzit e zakonshëm në Singapor ende nuk janë duke e kuptuar rëndësinë e rolit të tyre individual”.
“Ata me siguri që po mendojnë po, Singapori duhet ta bëjë këtë, por unë do të vizitoj nënën time gjithësesi”.
Brenda dy ditëve të para të ligjit të ri, më shumë se 10,000 paralajmërime u dhanë për shkelje si të ngrënit ulur në restorante në vnd që të merrej ushqimi me vete, ose dalja të shoqëruar në hapësira publike.
Për vendet me popullsi më të madhe dhe politikë më komplekse, mund të duhen shumë javë ose muaj para se të fillojnë të marrin kthesë.
Të gjitha vendet kërkojnë shenja shprese, por leksioni nga Singapori është se nuk ka vend për vetëkënaqësi, dhe se të gjitha vendet duhet të jenë të gatshme të përballen me një valë të dytë – dhe ndoshta të tretë ose të katërt – infeksioni.
Prof Teo thotë se nëse rastet e koronaviruseve globale të raportuara janë një pasqyrim i drejtë i përhapjes së vërtetë, “shumë vende kanë ende një dritare mundësie, që me të vërtetë të përpiqen të përgatiten”, duke kufizuar komunitetet e dendura dhe “duke u përpjekur të minimizojnë këdo që ka sëmundjen që të bashkëveprojë me komunitetet”.
“Unë mund të them vetëm se bota duhet ta shikojë Singaporin shumë qartë, veçanërisht për çështjen e konvikteve dhe të fillojë të eksplorojë atë që po ndodh.
“Ne duhet të fillojmë të përgatisim botën – madje edhe në Evropë dhe Amerikë ka komunitete ku njerëzit jetojnë shumë pranë e pranë dhe në vendbanime me dendësi të lartë. Çfarë ndodh kur të hyjë Covid-19?” / Me shkurtime nga BBC – Bota.al