Prej disa javësh bota ndodhet në një luftë me pandeminë e koronavirusit, që lindi në Whuhan të Kinës dhe me shpejtësi u përhap në mbi 200 vende të botës, duke shkaktuar mbi 82 mijë viktima dhe mbi 1.4 milionë të infektuar, nga të cilët rreth 350 mijë janë shëruar.
Italia ishte shteti i parë europian që u godit fort nga virusi, i cili pothuajse nxorri jashtë funksionin gjithë sistemin shëndetësor. Më pas u godit Spanja, me të njëjtat ritme të frikshme, vdekjesh dhe infektimesh, për t´u pasuar nga Franca që po kështu duket se shkoi drejt skenarit italian, por duke pasur kohë në marrjen e masave dhe duke mos përsëritur gabimet që u bënë në Itali dhe në Spanjë. Gjithashtu në Britaninë e Madhe, pati një goditje të fortë nga koronavirusi, megjithëse në ishull u ndoq një tjetër qasje ndaj Covid-19, në fillimet e pandemisë, çka duket se ndikoi në përhapjen e tij në përmasa të mëdha.
Dhe përballë panoramave që ofrohen nga Italia, Spanja, Franca, Britania dhe SHBA, është Gjermania, e cila duket se po përballon me mjaft sukses situatën e pandemisë.
Aktualisht vëmendja është përqëndruar në SHBA, ku Neë York duket se po kthehet në qendrën e pandemisë botërore, qoftë përsa i takon numrit të të prekurve ashtu edhe rasteve me humbje jete që raportohen.
Çfarë dinin gjermanët?
Gjermanët aplikuan një qasje krejt tjetër, të ngjashme me atë të Koresë së Jugut, me testime në masë, kufizime jo aq të forta në qarkullimin e qytetarëve, sikundër ndodhi në pjesën tjetër të Europës.
Fillimisht në Gjermani u testuan vetëm ato që kishin një histori udhëtimi në zonat e prekura, por më pas gjithçka ndryshoi, në bazë të një udhëzimi të institutit gjerman të epidemive, ku testimeve iu nënshtruan të gjithë ato që kishin dyshime, apo shenja si temperatura dhe kolla e thatë.
Por duket se skenari gjerman në përballimin e Covid 19, ka lidhje me investimin që ka bërë Gjermania në sistemin shëndetësor.
Prej disa vitesh ekipe mjekësore, kryesisht të Europës Lindore dhe Qendrore, joshen nga ofertat gjermane, duke u atashuar si infermierë, mjek apo punonjës shëndetësor, në strukturat e sistemit shëndetësor gjerman.
Për vite me rradhë vëmendje e Gjermanisë ishte sistemi shërndetësor, kur nisi edhe një projekt gjigand për të thithur punonjës shëndetësor, pavarësisht eksperiencave që kishin.
Me mijëra punonjës të shëndetësisë, nga sanitarët dhe me rradhë të gjitha hallkat e sistemit, u shtuan me një ritëm të shpejtë, aq sa shumë prej vendeve të Lindjes apo Europës Qendrore, ngritën shqetësimet me mungesat që kishin në rradhët e bluzave të bardha. E gjitha kjo situatë ngjante me një operacion që zhvillohej dhe që duket se dha rezultatet sot. Janë këto bluza të bardha që sot përballen me rrezikun në atë që konsiderohet si vija e parë e luftës. Madje, kur secili vend po luante brenda terriitorit të tij, Gjermania pati luksin që të merrte për trajtim pacientë nga Franca dhe Italia, duke dhënë mesazhin e një lideri absolut në hapësirën europiane, edhe në kohë pandemie.
Dhe veç këtyre, sistemi shëndetësor gjerman nuk pati mungesa për maska, doreza, shtretër, respiratorë dhe veshje mbrojtëse për mjekët ashtu sikundër ndodhi në Itali, Spanjë, Francë apo Britaninë e Madhe.
E gjithë panorama, krijon një përshtypje se gjermanët kanë qenë të përgatitur për t´u përballur me pandeminë, dyshim ky që shtohet pas publikimit edhe të një raporti sekret, të hartuar nga epidemiologë dhe virologë gjermanë që në vitin 2012.
Dhe kjo ndoshta shpjegon edhe faktin pse numri i vdekjeve në Gjermani, në një shtet ku sipas të dhënave të publikuara, rreth 30 % vuajnë nga asma dhe 50 % nga hipertensioni, dy kategori të rrezikuara nga Covid-19, të paktën sipas OBSH, ishte në nivelin më të ulët krahasuar me pothuajse të gjitha vendet e tjera.
Një krahasim i thjeshtë, Gjermania dhe Franca kanë përkatësisht 107663 dhe 110070 të infektuar, pra një diferencë prej rreth 3500 rastesh. Ndërkohë numri i vdekjeve në Gjermani është 2017, ndërsa në Francë mbi 10 mijë, ose 5 herë më shumë.
Veç kësaj, një kompani gjermane, duket se hyri fort në lojën për prodhimin e vaksinës, madje duke u zgjuar, të paktën mediatikisht u aludua, gadishmërinë e SHBA për të blerë ekskluzivitetin e zbulimit.
Kjo do të thotë se kompania në fjalë, ishte shumë pranë arritjes së një suksesi që do të mund të shpëtojë Botën, nga një përsëritje apo vijim i pandemisë së Covid 19.
Referuar të gjitha shifrave, mbi pasojat e pandemisë, mund të aludohet mbi atë se miliarderi gjerman Dietmar Hopp, i lidhur ngushtë me Bill Gates, mund të ketë referuar në qeverinë gjermane informacionet e kryqëzuara, po të kihet parasysh fakti se Gates kishte paralajmëruar prej vitesh një rrezik nga koronavirusi.
Ndoshta këto informacione të kryqëzuara, bënë që kancelarja gjermane të vetëkarantinohej, t´i nënshtrohej testeve ndaj Covid-19, nga ku rezultoi e negative, dhe të ruante një distancim, gjë që p.sh në rastin e kryeministrit britanik Boris Johnson nuk u respektua, pasi ai shfaqej duke u takuar me të infektuar nga Covid 19, dhe sot ndodhet në një dhomë spitalore, duke u trajtuar si një nga pacientët e prekur.
Dhe veç kësaj, duket se informacionet e Intitutit Robert Koch, por edhe BND (shërbimi inteligjent gjerman) dhe bota e biznesit, bënë që Gjermania të ndërmarrë masat në një kohë pothuajse ekzakte, të vendosë nën kontroll pandeminë, dhe pritet që të jetë vendi i parë Europian që do t´i rikthehet normalitetit.
Kjo do të thotë se ajo do të marrë edhe bumin ekonomik, duke u rikonfirmuar si vendi lider i BE-së, edhe pse në periudhën e fundit po vihej në dyshim roli i saj, dhe Franca dukej se po shfaqej si një lidere e ardhshme. Ndoshta këtu bazohen edhe parashikimet ekonomike se ekonomia gjermane do të tkurret me vetëm 2.8 %, por në 2021 rritja ekonomike do të jetë me mbi 3,5 %. Në një kohë kur në Francë, 1 ndër 5 persona është regjistruar si i papunë.
Vaksina gjermane
Në 2 prill 2020, mediat raportonin se Komisioni Evropian ofroi t´i huazojë kompanisë CureVac më shumë se 86 milion dollarë për të ndihmuar në zhvillimin e vaksinës së saj koronavirus. Një zëdhënës i CureVac i tha Forbes se kompania nuk ka vendosur ende se sa para do të marrë hua; përveç kësaj, kushtet e kredisë nuk janë përfunduar. Kompania tha se fondet nga Komisioni Evropian do të përdoren për të zgjeruar pajisjet e prodhimit dhe të sigurohen që vaksina shumë e parashikuar do të jetë në dispozicion në një shkallë të gjerë.
Një nga manjatët më të pasur të softuerit në Gjermani është aksionari më i madh në CureVac, një kompani që garon për të zhvilluar një vaksinë të koronavirusit. Dy investitorë gjermanë, miliarderë të bioteknikës janë gjithashtu pas BioNTech, i cili njoftoi në fundin e marsit se po zhvillonte një vaksinë. Ndërsa gara për të zhvilluar një vaksinë të koronavirusit intensifikohet, CureVac-mbështetet nga persona të fuqishëm.
Madje, në mbështetje të tyre është edhe fondacioni Bill dhe Melinda Gates. Aksionari më i madh i kompanisë është miliarderi gjerman Dietmar Hopp, i cili bëri pasurinë e tij si bashkëpunëtor i ndërmarrjes softuerike ndërmarrje SAP. Hopp, i cili vlerësohet nga Forbes se ka një vlerë prej 13.4 miliardë dollarë, është bërë një investitor i rëndësishëm i bioteknikës. Ai tha në një intervistë në botimin gjerman “Handelsblatt” se ai ka futur mbi 1.5 miliard dollarë në firmat bioteknike.
CureVac ka një vlerë prej 1.7 miliard dollarë, sipas CB Insights. Hopp zotëron më shumë se 80% të aksioneve të saj dhe sipas CB Insights investoi gjithsej 189 milion dollarë në kompani. CureVac është ende shumë herët në fazën e zhvillimit të vaksinave, por i thotë Forbes se pret që vaksina e saj të jetë në një faze, një provë klinike – e cila teston për siguri, jo efikasitet – deri në qershor. Për shkak të pandemisë, CureVac pret që rregullatorët e ilaçeve të shpejtojnë procesin e zhvillimit të vaksinave, i cili zakonisht zgjat më shumë se një vit, nëse jo disa vjet.
Roli i Bill Gates
Bill Gates do të investojë miliarda dollarë përmes fondacionit të tij për të ndërtuar fabrika në funksion të prodhimit të vaksinave për parandalimin e përhapjes së Koronavirusit.
Ishte vetë themelues i Microsoft që e njoftoi vendimin gjatë “The Daily Shoë”, duke specifikuar se ai është në kontakt me shtatë grupe të ndryshme që punojnë për këtë çështje.
“Fondet tona mund t’i shpejtojnë gjërat” – tha Gates, raporton WSJ. – “Edhe pse në fund do të zgjedhim vetëm dy nga shtatë vaksinat, duam t’i financojmë impiantet për t’i prodhuar të shtata, në mënyrë që të mos humbim kohë. Së pari, do të kontrollojmë se cila vaksinë funksionon dhe më pas do të ndërtojmë impiantet për ta profdhuar atë ”.
Fondacioni, tha Gates, tashmë ka angazhuar qindra miliona dollarë për kërkime dhe zhvillim rreth
Covid-19, si dhe ka financuar një program për prodhimin e tamponëve në shtetin Uashington, një nga zonat e para të prekura nga pandemia në Shtetet e Bashkuara.
Gates detajoi një plan tre-hapësh në Ëashington Post të mposhtur shpërthimin e koronavirusit të ri.
Gates, i cili parashikoi llojin e shkatërrimit që një pandemi mund të sjellë nëse liderët botërorë nuk përgatiten, plot pesë vjet më parë, ka përdorur platformën e tij për të rritur ndërgjegjësimin për koronavirusin dhe ka dhuruar 100 milion dollarë për përpjekjet e ndihmës përmes fondacionit të tij bamirës.
Krahasimi Itali-Gjermani
Italia dhe Gjermania nga një këndvështrim epidemiologjik, janë dy shembuj të kundërt në përhapjen e Covid-19 në Evropë. Në Itali përhapja e epidemisë ishte e nivelit të lartë, me shpërthimin e dy vatrave në Codogno dhe në zonën e Bergamos që përfshiu Lombardinë, epiqendrën e infeksionit dhe për disa javë çoi në mbi 11 mijë vdekje, ndërsa në Gjermani, në 64 mijë rastet e para u regjistruan vetëm 560 vdekje.
Janë pesë prova të tilla që shpjegojnë dallimin mes dy vendeve:
Së pari, Italia ka pasur dy vatra shpërthimi të epidemisë, në të cilat u përqendrua përhapja e infeksionit në Lombardi. Në Gjermani, infeksioni është përhapur gjithmonë në të gjithë Landet, pa e ngritur asnjërin prej tyre në ekuivalentin fatkeq të Lombardisë në Itali ose rajonin e Madridit në Spanjë.
Së dyti, pesha e incidencës së ndryshme demografike të epidemisë. Në Itali mosha mesatare e të infektuarve është rreth 64 vjeç, 17 më shumë se ajo gjermane. Në Gjermani bartësit kryesorë të infeksionit ishin turistët që ktheheshin nga Alpet, kryesisht të moshës mesatare, ndërsa në Itali virusi goditi një popullsi të moshuar tejet të rrezikuar në spitale, shtëpi pushimi dhe shtëpi private.
Së treti, ekziston problemi i spitaleve. Raporti i Universitetit të Harvardit tregon se niveli i lartë i shtrimevee në spitale që në krye të herës, ka çuar në një përshpejtim të infeksionit në Lombardi. Gjermania kishte më shumë kohë sesa Italia për t’u përgatitur për tronditjen dhe, falë moshës më të ulët të pacientëve, ishte më e lehtë të mbështetej në faktin që mbrojtja imunitare e qytetarëve të saj ishte në fakt mbrojtja e parë, thelbësore.
Së katërti, si pasojë e drejtpërdrejtë e vonesës kohore, Gjermania ishte në gjendje të përdorte modelin e Koresë së Jugut, i eksportuar me sukses edhe në Veneto për testimin dhe monitorimin e rasteve, gjë e cila ka marrë dhe vlerësimet e studiuesve të Harvardit.
I favorizuar nga virulenca më e ulët e sëmundjes, Berlini ishte në gjendje, si pikë e pestë, të vendoste masa për ta frenuar atë, pa patur shqetësimin e një rritje marramendëse dhe shkatërrimtare të infeksioneve.
Raporti sekret gjerman
Në vitin 2012, në vazhdën e epidemisë globale SARS, qeveria gjermane porositi institutin ‘Robert Koch’ dhe ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë për të simuluar një përhapje të mundshme të një pandemie shkatërruese në Gjermani. Rezultati ishte një analizë e detajuar e rrezikut ekstrem, duke përfshirë masat që do të ishin të nevojshme për të mbrojtur popullsinë dhe për të frenuar përhapjen e infeksionit.
Studimi, i mbajtur në arkivat e Bundestagut, është zbuluar nga Kristina Dunz, një gazetare e Rheinische Post. Ai parashikon në mënyrë befasuese atë që ka ndodhur dhe po ndodh me Covid-19.
Virusi i imagjinuar në skenar e ka origjinën në Azi, prej nga bën kërcimin te njerëzit nga tregjet e kafshëve të egra, por rreziku dhe dimensioni i tij nuk kuptohen deri disa javë më vonë.
Periudha e inkubacionit është 3 deri në 5 ditë, por mund të ndryshojë në një hapësirë prej 2 deri në 14 ditë. Infeksioni përhapet nga spërklat ose nga kontakti. Simptomat janë temperaturë, kollë e thatë, vështirësi në frymëmarrje, dridhje, dhimbje koke.
Fëmijët dhe të rinjtë e kalojnë infeksionin relativisht lehtë, por të moshuarit kanë më pak shanse për të mbijetuar.
Masat e ndërmarra nga qeveria janë të fuqishme: izolim dhe karantinë për të sëmurët, mbyllja e shkollave, anulim i çdo aktiviteti publik, kufizime të mëdha për lëvizjen e njerëzve në ajër të hapur.
Pyetja që shtrohet pas këtij zbulimi është e pashmangshme: pavarësisht se kishte një analizë kaq të plotë të rrezikut, a e nënvlerësoi qeveria gjermane epideminë e Covid-19? Ekspertët e institutit ‘Robert Koch’ pranojnë ngjashmërinë mes dokumentit të tyre dhe krizës aktuale, por thonë se nuk mund të krahasosh të dhënat virtuale me ato reale.
“Skenari Modi-Sars 2012 nuk ishte një parashikim për zhvillimin dhe pasojat e një pandemie, por një skenar ekstrem i provokuar nga një patogjen imagjinar, për të ilustruar dëmet e mundshme teorike për një sëmundje që mund të transmetohet nga një qenie njerëzore te tjetra,” tha Susanne Glasmocher, zëdhënëse për institutin ‘Koch’. Megjithatë, kur lexon dokumentin, mbetesh i shokuar.
Skenari apokaliptik gjithashtu imagjinon një kohëzgjatje të epidemisë për thuajse tre vite dhe përllogarit një nivel vdekshmërie prej 10 përqind të atyre që janë infektuar, që është më shumë se 7 milionë vdekje si pasojë direkte e infektimit. Realiteti sheh drejtorin e të njëjtit institut, Lothar Ëieler, që pranon se nëse nuk respektohen masat kufizuese të shpallura nga qeveria, Gjermania për dy ose tre muaj do të ketë dhjetë milionë të infektuar. /Boldnews.al/