Të forta kanë qenë akuzat që nënkryetari i PD-së, Edi Paloka ka hedhur në “Tempora” nga Sonila Meço në TV Ora.
Sipas Palokës, shifrat që raporton qeveria për të infektuarit me Covid-19, nuk janë reale, madje ai u shpreh se duket sikur vendosen nga shtëpia e kryeministrit në Surrel.
Paloka: Unë nuk u besoj shifrave që raportohen, sepse nga të gjitha rrethanat dhe nga të dhënat që kam privatisht, nuk besoj se janë shifrat që deklarohen nga qeveria. Duket sikur mblidhen në Surrel dhe vendosin se sa do të deklarojnë. Kam vënë re se edhe disa mjekë zyrtarë që bëhen pjesë e lojës së qeverisë, që nuk duhet të ndodhë kështu pasi kanë një rol shumë të rëndësishëm.
Paloka shtoi se kur OBSH-ja ka kërkuar testime, ministria e Shëndetësisë gënjen duke thënë se po bëhen pak testime se kështu është kërkuar nga OBSH.
Paloka: Pashë zv. Ministren e Shëndetësisë në një media tjetër kur iu bë pyetje se pse nuk po bëhen testime më tepër, ajo tha se kjo është ajo që OBSH ka vendosur që të ndiqet kjo mënyrë, por kjo nuk është e vërtetë pasi OBSH ka një javë që thotë testime, testime.
Pra, është detyruar që për hir të qeverisë së saj të gënjejë dhe nuk është i vetmi rast. Ndërsa informacionet private që nuk po i them, kanë të bëjnë me kohën përpara se kryeministri të thotë “çfarë është ky virus”. Ka pasur edhe vdekje. Të dhënat e mia do të vërtetohen, do të vijë dita.