Nga Boldnews.al
Në mesin e muajit shkurt, saktësisht më 13 shkurt, Erjon Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, u shfaq në një aktivitet të organizuar me Ambasadën kineze. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, sikur në Botë të mos qarkullonte virusi që sot ka vendosur njerëzimin në pozitat më të vështira prej luftës së dytë botërore.
Veliaj u shfaq i shqetësuar për dy gjëra: së pari se komuniteti kinez në Tiranë po shihej me skepticizëm, dhe së dyti se disa nga bizneset kineze në kryeqytet rrezikonin të falimentonin pasi kishte rënë xhiroja.
“Rreziku ynë është injoranca dhe po të luftojmë injorancën me të njëjtin zell dhe me të njëjtën histeri që japim fake neës, do ishim një komb i paparë.
Nëse e mbushim mendjen me dije e njohuri, kuptojmë se paranoja nuk ka vend në qytetin tonë, as paragjykimet nuk kanë vend në qytetin tonë. Kjo nuk është një sëmundje gjenetike, nuk është një sëmundje me pigmentin e ngjyrës së lëkurës, kjo nuk është një sëmundje me lakimin e formës së syve. Këto janë të gjitha produkte të injorancës. Kjo është një sëmundje që, si çdo epidemi tjetër, psh gripi sezonal, nëse tregojmë higjienë maksimale, lajmë duart, ziejmë perimet, nëse gatuajmë me kujdes, mund të përballohet”, shprehej Veliaj më 13 shkurt.
Nuk dihet nëse ende kryebashkiaku i gjithëditur i qëndron ende këtij mendimi për koronavirusin, duke e trajtuar thjesht si një grip sezonal, ndërkohë që në Shqipëri ka shkaktuar 12 viktima, dhe prej gati 1 muaji ka paralizuar jetën ekonomike në vend.
Në atë kohë Veliaj fliste për fake news mbi koronavirusin, por duket se lajmi i rremë i vetëm në këtë rast është pikërisht ai, kryebashkiaku që sot shfaqet për show duke shpërndarë pako me ndihma, duke i dhënë makinës, apo duke gjetur një shofer militant që lëshon dizifektantë në rrugët e Tiranës dhe do të duket më militant se anëtari më i vjetër i PS-së.
Fake news tjetër në këtë kohë pandemie, sikundër po raportohet në mediat ndërkombëtare, janë numrat e vdekjeve në Kinë, jo 3 mijë, siç ka thënë Republika Popullore, por mbi 40 mijë, si dhe mosdhënia e informacioneve nga autoritetet kineze në kohën e duhur për atë që kërcënonte Botën, dhe që ka futur në kolaps vendet që goditi.
Italia dhe Spanja janë të paralizuara. Në SHBA ka një tjetër situatë kritike, ku New York-u duket se po kthehet në qendrën e pandemisë.
Gjermania dhe Franca gjithashtu po përballen me situata të vështira, ndërsa në vendet e varfëra si Shqipëria, po thellohet hendeku mes të varfërve, oligarkisë dhe një shtrese që mund të ketë të ardhura mbi mesataren.
Veliaj një muaj e gjysëm më parë shfaqej i mërzitur dhe apelonte se mos shqiptarët paragjykonin kinezët, por ende nuk e kemi parë të shprehë ndonjë mërzitje apo keqardhje kur në media shfaqen qytetarë të këtij vendi që luten ti kapë koronavirusi dhe të ndahen nga kjo jetë, pasi po ushqehen me bukë, ujë e sheqer.
Bizneset e vogla, që janë edhe burimi kryesor i të ardhurave për shqiptarët, janë të mbyllura, madje janë në kolaps, ndërsa mbi 70 % e tyre janë përjashtuar apriori nga ndihma e Qeverisë. I mbyllën me dhunë, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, por nuk vepruan njëlloj me oligarkinë të cilës nuk i prekën as koncensionet, as PPP, as milionat që përfitojnë nga kontratat e lidhura në mënyrë të dyshimtë.
Ato para do të mjaftonin për ti dhënë oksigjen këtyre bizneseve, që as më shumë e as më pak mbajnë me frymë mbi 60% të shqiptarëve.
Show vazhdon me një Kryeministër që i futur në panik sot bën edhe rolin e centralistit, gjoja në emër të zgjidhjes së problemeve, që kanë njerëzit e mbyllur në shtëpi dhe që presin të shpëtojnë nga armiku i padukshëm.
E ndërsa Veliaj bën shoferin dhe shpërndarësin, Rama ka për borxh të bëjë edhe rojen e derës, vetëm e vetëm që show të vazhdojë dhe qytetarët të besojnë se e kanë edhe baba, sikundër e cilësoi vetë veten.
Në një vend ku ka një administratë prej së paku 10 mijë personash që paguhen me taksa, nuk është e nevojshme që Kryeministri të bëjë rolin e centralistit, do të mjaftonte të organizonte ekipet, qoftë edhe ato të ushtrisë për të çuar në çdo shtëpi pako me ndihma dhe ilaçe, në rastin më të pakët, dhe të mendonte realisht se si do të shpëtonte ekonominë.
Por jo, ai vazhdon lojën, atë që nisi që 1998 me fasadat e godinave dhe tani e ka zgjeruar duke krijuar një fasadë të madhe, ku qytetarët i sheh si godina, të cilave ia ka ndryshuar ngjyrën dhe formën sipas humorit.