Nga BoldNews.al
Komisioni i Venecias shtyu për në sesionin e Qershorit publikimin e Opinionit përfundimtar për krizën kushtetuese në Shqipëri nën argumentin e situatës me korona-virusin, por që duket se është vendim, i cili, me shumë mundësi, lidhet me reagimet për kritimat që draft-konkluzioni ishte tejet kritik për procesin e Vetingut.
Komisioni i Venecias përgatiti rreth dy javë draft-opinionin, të iniciuar nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili kërkonte në zgjidhje për konfliktin me Presidentin, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në disa paragrafë të këtij drafti, të publikuar nga media, ekspertët e Komisionit të Venecias sugjeronin që Presidenti kishte vepruar, në përgjithësi, në përputhje me Kushtetutën dhe nuk kishte vend për vijimin e procedurave, të nisura tashmë, për shkarkimin e tij.
Por, përtej konfliktit me Presidentin, disa paragrafë të draft-raportit të Venecias, që lidheshin me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetingut), duket se ishin më shumë shqetësuese për maxhorancën socialiste.
Komisioni i Venecias ka hartuar kritika të forta për mënyrën se si po zbatohet në praktikë Vetingu, duke i goditur në këtë mënyrë “kalin e betejës” politike kryeministrit Edi Rama dhe maxhorancës së tij të majtë.
Kryeministri Rama, i cili synon që të jetë në pushtet kur Bashkimi Europian të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë, mbështet të gjithë ligjërimin e tij pro-europian në procesin e Vetingut.
Ky proces, për të cilin analistë të shumtë janë të bindur se kontrollohet nga partia në pushtet, ka sjellë dëme themelore në funksionimin e sistemit të drejtësisë, gjithësesi ka mbështetjen e burokratëve të Brukselit.
Këta të fundit po mundohen me çdo kusht të justifikojnë shpenzimet dhjetra milionë euroshe, të cilat kanë krijuar një vakum gati 2-vjeçar në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë në Shqipëri.
Pra, për arsye të ndryshme, Rama dhe burokratët e Komisionit Europian, janë të detyruar të qëndrojnë në të njëjtin front-kryeministri shqiptar për të mbrojtur pushtetin që po i rrëshqet me shpejtësi për shkak të keq-qeverisjes; dhe burokratët e Brukselit për të mbrojtur dështimin e tyre me projektin kontravers të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Përballë kësaj “ortakërie” Rama-burokraci e Brukselit duket se u vendos Komisioni i Venecias. Një trupë ekspertësh me përvojë, nën ombrellën e Këshillit të Europës, juristët e “Venecias” janë të prirur që të konstatojnë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe proceseve të rregullta ligjore në vende të ndryshme.
Të tilla shkelje duket se kanë gjetur plot në procesin e Vetingut në Shqipëri. Në atë që zbuloi media në 7 Mars 2020, Komisioni i Venecias nuk u tregua aspak delikat në kritikat e tij për Vetingun.
Ekspertët e Komisionit të Venecias sugjerojnë rihapjen e hetimit për rastet kur gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk u është dhënë afat i mjaftueshëm për të siguruar dokumentat e kërkuar për të justifikuar pasurinë e tyre.
“Në raste të arsyeshme, me afate shumë të ngurta për paraqitjen e dokumentave, kontrolli duhet të rihapet”, këshillon Komisioni i Venecias
Një këshillë, e cila nëse merret në konsideratë, do të përkthehej në rihapjen e hetimit për rreth 80 përqind të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar gjatë procesit të Vetingut.
Ndaj, duket e logjikshme që kanalet e komunikimit Tiranë-Bruksel janë intensifikuar për të mbrojtur Vetingun në Komisionin e Venecias.
Secila prej palëve duket se ka ushtruar presion mbi ekspertët, të cilët kanë zgjedhur që t’i japin kohë vetes deri në Qershor e të shmangin intensifikimin e presionit, me shpresën që situata e pandemisë globale t’ua ulë nivelin e ndërhyrjes.