E gjithë bota po izolohet; vende që dikur gëlonin nga njerëzit, sot janë kthyer në qytete fantazmë me rrugë të boshatisura.
Kjo është sot një përgjigje e paprecedentë ndaj një sëmundjeje, por kur do t’i vijë fundi pandemisë dhe jeta të rikthehet në normalitet? Kryeministri britanik Boris Johnson beson se vala e koronavirusit në Britaninë e Madhe do të tërhiqet brenda 12 javësh.
Por edhe nëse rastet nisin e bien vërtet pas tre muajsh, do të jemi sërish larg fundit të sëmundjes, thotë BBC. Që virusi të zhduket plotësisht mund të duhet një kohë e gjatë, ndoshta vite. Për këtë arsye, shteteve do t`i nevojitet një strategji “daljeje”, një mënyrë për të hequr kufizimet.
Situata e krijuar, vazhdon gjigandi mediatik, nuk funksionon dot në periudhën afatgjatë pasi dëmi ekonomik dhe ai social do të ishte katastrofik. Parashikimet nuk janë shumë optimiste: edhe nëse një vend e mposht virusin, ekziston gjithmonë rreziku i një rikthimi të tij në momentin kur hiqen kufizimet.
Hulumtimi për vaksinat po zhvillohet me një shpejtësi të paparë, por nuk ka garanci se do të jetë i suksesshëm dhe do të kërkojë imunizim në një shkallë globale. “Të presësh një vaksinë nuk duhet të quhet me emrin strategji, kjo nuk është një strategji,” i tha BBC-së Profesor Woolhouse.