NGA BESNIK MUSTAFAJ
Ata që e njohin nga afër Edi Ramën, e tregojnë si njeri verbërisht hakmarrës. Në qoftë se ai nuk do të kishte pushtetin që ka, ky do të mbetej një tipar i karakterit të tij, sigurisht një tipar primitiv, por me ndikim vetëm mbi njerëzit që e rrethojnë. Privatisht le ta durojë kush të dëshirojë! Ndryshon krejt puna kur ai është Kryeministër, de facto drejtues i shtetit. Të gjithë shqiptarët patën rast ta shihnin sa shëmtuar u soll ai pak ditë më parë me zonjën Voltana Ademi dhe me çfarë gjuhe rruge iu drejtua qytetares së parë të Shkodrës.
Ishin bashkuar në një rrethanë gëzimi: po përurohej stadiumi “Loro Boriçi” me ç’rast Kombëtarja jonë e futbollit do të luante dhe një ndeshje miqësore me Marokun. Zonja Ademi, siç i takonte, po bënte detyrën e mikpritëses. Nuk kishte pra asnjë arsye të lidhur me çfarë po ndodhte aty rrotull për ta nxjerrë Kryeministrin e vendit nga binarët e mendjes. Siç del nga faktet, gjithë ai mllef i tij nuk lidhej as me ndonjë hesap të vjetër personal midis tij dhe Voltana Ademit.
Ajo lloj urrejtjeje e papërmbajtur në të vërtetë drejtohej kundër popullit të Shkodrës, i cili nuk e kishte votuar në shumicë as në vitin 2013, në zgjedhjet e përgjithshme dhe as në vitin 2015, në zgjedhjet për pushtetin vendor.
Voltana Ademi thjesht mishëronte në sytë e Edi Ramës mosbesimin e përsëritur të shkodranëve ndaj tij si udhëheqës politik, gjë kjo e padurueshme për një njeri të dashuruar thellësisht me veten, siç është Kryeministri. E keqja e madhe vjen pse ai përdor pushtetin politik dhe ekzekutiv si kryetar i qeverisë për të kënaqur egon e vet të sëmurë, duke shfryrë urrejtjen ndaj kundërshtarëve.
Nuk janë opinione këto që po shpreh unë. Bashkia e Shkodrës, siç mësohet nga rrjetet sociale, ka hartuar një rezolutë për t’ia paraqitur Qeverisë pasi ta miratojë në Këshillin Bashkiak. Ky dokument vlen shumë për problemin e madh që shtron para mbarë opinionit publik shqiptar e posaçërisht përpara qytetarëve të Shkodrës, ndaj të cilëve pushteti vendor ka detyrimin për transparencë.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më 4 gusht 2016, Bashkia Shkodër ka përfituar vetëm 0.8 për qind të fondit të përgjithshëm që qeveria shpërndan nëpërmjet agjencive kombëtare për zhvillimin e njësive vendore. Ndërkohë që Bashkia Shkodër, me ndarjen e re territoriale, është e dyta në vend, qoftë për nga shtrirja e qoftë për nga numri i popullsisë.
Për ta kuptuar më qartë diskriminimin që i bëhet Shkodrës dhe qytetarëve të saj nga qeveria, le të bëjmë një krahasim! Jo me Tiranën, sigurisht. Por me Divjakën, për shembull. Cili shqiptar, i ri a i vjetër, demokrat a socialist, do e merrte me mend se Divjaka merr jo për frymë, por në shifër absolute 5 herë më shumë fonde se Shkodra? Vetëm sepse atje deputet është socialisti i thekur Erion Braçe. Apo Librazhdi? (Nuk është për të qeshur.) Librazhdi merr nga qeveria, në sajë të besimit që i ka dhënë Taulant Ballës, 3 herë më shumë fonde se Shkodra. Krahasimi mund të vazhdonte edhe me Patosin apo me Roskovecin, që marrin po ashtu disa herë më shumë fonde se Shkodra. Shkodra nuk është një rast i shkëputur.
Është vetëm rasti më ulëritës i hakmarrjes së egër të Edi Ramës ndaj atyre që nuk e kanë votuar. Eduart Kapri, kryetar i Bashkisë së Pogradecit, dha në fund të gushtit një intervistë për gazetën “Panorama”, ku bënte një pasqyrë të përmbledhur të sezonit turistik në qytetin e tij. Dihet nga të gjithë se Pogradeci është njëri nga destinacionet turistike më të rëndësishme të Shqipërisë.
Eduart Kapri është gjithashtu njëri nga përfaqësuesit e paktë të Partisë Demokratike, zgjedhur me votë popullore një vit më parë për të drejtuar pushtetin në një nga njësitë vendore. Eduart Kapri shfaqet në intervistën e tij i qartë për detyrën që ka marrë përsipër për t’u shërbyer jo vetëm atyre që e kanë votuar, por të gjithë qytetarëve të Pogradecit pa përjashtim, i vendosur po ashtu për të përmbushur premtimet dhe frymëzues.
Megjithatë, ai detyrohet të pranojë: “Menaxhuam një sezon të mbarë turistik pa mbështetjen e qeverisë”. Me shumë dinjitet, ai nuk zgjedh të fshihet pas faktit se qeveria me qëllim nuk u është përgjigjur detyrimeve të veta në radhë të parë kushtetuese si qeveri njësoj e barabartë për të gjithë shqiptarët, por edhe detyrat e veta programore.
Në programin politik të kësaj qeverie, tre vjet më parë turizmi është shpallur si përparësi. Po sjell edhe një rast të tretë e që tregon se fryma hakmarrëse e Edi Ramës kundër qytetarëve që nuk i besojnë votën është në të vërtetë frymë e gjithë qeverisë së tij.
Këto ditë që zhvillohet fushata zgjedhore në Bashkinë e Dibrës, ministri Damian Gjiknuri u shfaq me zë e me figurë në të gjitha mediat duke shpallur, pa iu skuqur fytyra, se “Kryeministri Rama dhe qeveria nuk do të jepnin fonde për një demokrat në krye të Bashkisë”.
Ky sigurisht është një shantazh i pastër në kundërshtim të plotë me ligjin zgjedhor. Opozita do të duhej ta kishte paditur menjëherë në gjykatë Damian Gjiknurin, i cili, duke e përsëritur kërcënimin e vet, vetëm tregoi se ecte plotësisht i bindur në rrugën e zgjedhur për të marrë me hir e me pahir votat e dibranëve. Ministri Gjiknuri thjesht po përpiqet të zbatojë proverbin se “buka e gojës të çon në derë të hasmit”. Me një fjalë, në Shqipërinë e Edi Ramës, kush nuk voton Partinë Socialiste është armik i mirëfilltë dhe do të ketë fatin e armikut.
Duke e përdorur buxhetin e shtetit për të ndëshkuar kundërshtarët politikë, Edi Rama dhe qeveria e tij dhunojnë rëndë demokracinë politike, siç dhunojnë rëndë edhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ndikimi i një sjelljeje të tillë me elemente të pastra të luftës klasore cenon në thelb parimin e barazisë së qytetarëve si në detyrime, edhe në përfitime nga politika ekonomike e shtetit.
Më konkretisht, qytetarët e rretheve ku pushtetin vendor e kanë demokratët, edhe pse detyrimet i kanë të barabarta me bashkëkombësit ku qeverisin socialistët, shërbimet e garantuara me ligj i marrin shumë herë më të pakta e cilësisht më të dobëta.
Të ndëshkuar këtu nuk janë vetëm shumica e shkodranëve, bie fjala, të cilët kanë votuar Voltana Ademin, por edhe pakica që votoi konkurrenten socialiste. Rrjedhimisht, edhe reagimi mospajtues ndaj padrejtësisë duhet të jetë i njëzëshëm dhe i fortë për t’u dëgjuar. Më së paku, Edi Rama do të kuptonte në këtë rast se njerëzit nuk janë budallenj.
Ndoshta do ta kuptonte edhe se qytetarët e lirë nuk tërhiqen pas vetes nëpërmjet frikës dhe shantazhit. Në intervistën e Eduart Kaprit në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Pogradecit binte në sy që ai nuk ndihej fare i trembur përpara hakmarrjes qeveritare. Por ai nuk shfaqej as i habitur përpara një arbitrariteti të tillë, ku paligjshmëria është vetëm njëri nga aspektet e rënda.
Me shumë vetëpërmbajtje, duke përmendur arritjet e sezonit turistik që po mbyllet, ai dukej sikur u thoshte të gjithë pogradecarëve: Ne jemi më të fortë se padrejtësia. Nuk do të na mundë e keqja e ngjitur në qeveri. Unë isha në Dibër kur kandidati demokrat për kryetar Bashkie shpalosi para bashkëqytetarëve të vet programin elektoral.
Ishte realisht një program ambicioz. Si ekonomist i shkëlqyer dhe me përvojë të pasur në politikë e në administratë, profesori Sherefedin Shehu tregoi edhe burimet e financimit të projekteve të veta. Në asnjë rast nuk e dëgjova të përmendte qeverinë. Ishin ose të ardhurat e vetë bashkisë, ose bashkëpunimi me institucionet e huaja financiare që veprojnë në Shqipëri.
Edhe Sherefedin Shehu shfaqej kështu i bindur se ministri Damian Gjiknuri kishte shprehur të vërtetën kur kishte kërcënuar dibranët me ndëshkim nga Edi Rama, po të mos votonin Partinë Socialiste. Por as profesor Shehu nuk shfaqej i trembur. Ky është guximi për të cilin kanë nevojë votuesit e lirë. Ndërsa Voltana Ademi, në debatin e shëmtuar që provokoi Edi Rama në ecje e sipër, dha përgjigje më të hapura, më të rrepta, të cilat, siç u pa nga kamerat televizive, e hutuan Edi Ramën aq sa ai ktheu kokën mënjanë dhe iu lut Zotit për ndihmë. Kjo sepse Edi Rama, siç është në karakterin e njerëzve arrogantë e hakmarrës, nuk është i aftë, nuk ka as nerva të përballet sy më sy me kundërshtarët.
Kjo sidoqoftë është një situatë thellësisht problematike për demokracinë, e cila nuk zgjidhet në sajë të cilësive individuale të njërit apo të tjetrit nga të zgjedhurit demokratë në pushtetin vendor. Kjo në radhë të parë duhet të përbëjë një kauzë shumë serioze për opozitën parlamentare, e cila e ka për mision politik të përballet në rrugë institucionale me padrejtësinë dhe pabarazinë shtetërore. Një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar gjendjen duke mbledhur dhe analizuar faktet më duket urgjent dhe i domosdoshëm.
Po ashtu, duhet informuar në vazhdimësi, posaçërisht Kongresi i Autoriteteve Vendore në Strasburg, i cili ekziston pikërisht për të mbikëqyrur e vlerësuar problematikën e pushtetit vendor e ku Republika e Shqipërisë ka angazhime parimore, si të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës. Si një cenim i barazisë së shtetit, ky fenomen me pasoja të drejtpërdrejta mbi demokracinë politike duhet ngritur me fakte nga ana e opozitës edhe përpara Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, të cilët monitorojnë në dinamikë ecurinë e proceseve demokratike në Shqipëri, si një vend kandidat për në Bashkimin Europian. Jashtë vëmendjes nuk duhet lënë as Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka për detyrë të gjykojë mbi përdorimin e buxhetit nga ana e qeverisë.
Janë edhe një numër jo i vogël organizatash të shoqërisë civile, me objekt mbarëvajtjen e qeverisjes vendore, të cilat nuk e kuptoj me çfarë merren kur mbyllin sytë përpara një arbitrariteti të tillë me buxhetin. Opozita duhet t’u drejtohet pa kompleks këtyre organizatave, me të cilat e lidh interesi i përgjithshëm i qytetarëve. Transparenca e plotë dhe kriticizmi i shëndetshëm do të ndërgjegjësojnë opinionin publik në radhë të parë në bashkitë e ndëshkuara, por edhe në mbarë vendin. Vetëm nënshtrimi nuk duhet pranuar. Pushteti arbitrar i Edi Ramës si shprehje e hakmarrjes së tij të sëmurë, do të shënonte vdekjen e lirisë. /Panorama/