Michael Osterholm ka shkruar librin “Armiqtë më Vdekjeprurës” që u botua në vitin 2017. Në pjesën me titullin “SARS dhe MERS, një parafjalë e atyre që do të vijnë” ka një kapitull se si do të ishte një pandemi gripi nëse shfaqej në Kinë. Nëse e lexoni, është pikërisht kjo që po ndodh me Covid.
Zinxhirët e tregtisë u këputën, Kina u mbyll; virusi u përhap në vendet e tjera; më pas të gjithë filluan të drejtojnë gishtin e fajit nga njëri tjetri.
“Është ai lloji i gjërave që edhe pse i dëgjojmë dhe ridëgjojmë, nuk përgatitemi”– thotë ai në këtë intervistë dhënë për gazetarin Joe Rogan.
Gazetari: Me çfarë merreni ju Michael?
Osterholm: Faleminderit në mungesë të një termi më të gjetur, jam një farë detektivi mjekësor, kam kaluar të gjithë karrierën time duke ndjekur sëmundjet infektive, duke u përpjekur t’i ndaloj ato, duke u përpjekur të kuptoj se nga vijnë, kështu që të mund të sigurohemi që ato në radhë të parë, të mos ndodhin, por nëse ndodhin, të jemi të gatshëm t’u përgjigjemi.
Sa serioze është kjo e tanishmja me Covid 19? A është diçka nga e cila duhet të tmerrohemi apo është diçka e fryrë? Cili është qëndrimi juaj për këtë?
Para së gjithash, ju duhet të kuptoni kohën (e veprimit) të saj, në kuptimin që sapo ka filluar. Nga pikëpamja e dhimbjes, vuajtjes, vdekjeve ajo që ka ndodhur deri më tani është vërtet fillimi. Kjo do të shpaloset e plotë muajt e ardhshëm dhe kjo është ajo që, sipas mendimit tim, njerëzit nuk e kuptojnë ende.
Tashmë ne kemi të dhëna që dëshmojnë se ju jeni infektues edhe para se të sëmureni; në disa raste mjaft infektues: mjafton të merrni frymë për këtë. Unë e kuptoj pse njerëzit thonë “mirë prit një minutë, gripi vetë vret shumë më shumë çdo vit sesa kjo”. Por, edhe njëherë, u kujtoj njerëzve se ky është vetëm fillimi. Parashikimi më e mirë që kemi tani, bazuar në këto të dhëna të kufizuara që kemi, është që kjo të mund të jetë të paktën 10 deri 15 herë më keq se viti më i keq i gripit sezonal.
10 deri 15 herë më keq për sa i përket viktimave?
Po! Por edhe vetë sëmundjes. Kam disa shifra si parashikime fillestare; kjo mund të rezultojë në 48 milionë shtrime në spital, 96 milionë raste faktike, duke shkaktuar mbi 480 mijë vdekje në tre deri në shtatë muajt e ardhshëm. Pra, kjo nuk është diçka që duhet marrë lehtë.
Unë e kuptoj nëse ju thoni tani që ka pasur vetëm 10 vdekje ose 20 vdekje ose 50 vdekje. Vetëm mos harroni, se dy javë më parë ne nuk kishim pothuajse asnjë rast në Shtetet e Bashkuara, dhe tani që ne po testojmë për të dhe po shohim përhapjen teksa shpaloset, numrat po rriten në mënyrë astronomike. Tre javë më parë Italia po jetonte për bukuri jetën e vet. Tani ata janë, në të vërtetë, pothuajse të mbyllur.
Ishte një email që doli dje nga një prej mjekëve të tyre në Milano, në spitalin më të madh atje. Ai njoftoi një mesazh shqetësues nga një kardiolog; ata janë në pikën që po marrin vendim se kë duhet të lënë të vdesin. Nuk po e kontrollojnë më as stafin, u duhen të gjithë të angazhuar 24 orë, dhe kanë mbetur zona shumë të vogla të spitalit që mund të funksionojnë ende për pacientë jo COVID-19. Të gjithë të tjerët u janë përkushtuar pacientëve me COVID.
Ai thotë se ata kanë parë një numër alarmues të rasteve edhe në intervalin dyzet vjeç e diçka. Kështu që ne duhet të ndalojmë së menduari se kjo është vetëm një sëmundje e personave në moshë, apo se kjo nuk është diçka që do të përhapet vetëm në Ëuhan apo në Milano. Po përhapet këtu në Seattle. Do të vazhdojë të përhapet dhe shpaloset në të gjithë botën.
Ju përmendët se ka një farë periudhe inkubacioni përpara se njerëzit të sëmuren. Periudhë gjatë së cilës ata janë gjithsesi infektues. Cila është kjo periudhë e inkubacionit dhe çfarë dimë për të?
Ajo që e quajmë periudhë inkubacioni nis nga koha kur ju apo unë jemi ekspozuar, pra si të thuash, nga koha kur je në një dhomë me dikë që ishte i infektuar, deri në momentin kur sëmuresh. Kjo quhet periudha e inkubacionit. Kemi të dhëna, se njerëz të cilët janë ekspozuar vetëm një herë, po flas për një herë të vetme, pranë një të infektuari, ata sëmuren pas kësaj. Nëse shoferi i makinës ku udhëtuat është një individ i sëmurë edhe pse nuk tregon simptoma, atëherë, duke nisur nga katër ditë më vonë, prej atij shoferit nisin të sëmuren të gjithë ata që ishin atje. Qoftë edhe një herë. Një herë të vetme.
Edhe nëse shoferi nuk tregon ndonjë simptomë? A është ai prapë person infektues?
Ai prapë mund të jetë infektues. Dhe kjo është një nga gjërat sfiduese me këtë sëmundje. Ju dhe unë mund të infektohemi prej dikujt që është plotësisht asiptomatik, pra nuk shfaq simptoma të këtij virusi. Për të nuk është një virus shumë i fortë por për ne, kur na infekton mund të na vrasë. Pra, kemi parë raste të sëmundjes që kanë rezultuar fatale pasi janë infektuar prej njerëzve të cilët vetë kishin simptoma fare të pakta.
Uau!
Kjo është ajo që po shfaqet dhe prandaj mendoj se kemi të bëjmë me një problem të madh. Ja pse të thashë se koha është kaq e rëndësishme. Kjo nuk do zgjidhet shpejt. Unë jam i shqetësuar. Vazhdoj të them se njerëzit po merren me këtë si një “shkëndijë corona”. Mendojnë se ja dy ose tre ditë dhe do kthehemi në normalitet. Ky është një corona-virus dimëror dhe ne do ta kemi atë për tre muajt e ardhshëm ose më shumë, apo gjashtë muaj ose më shumë. Deri më tani kjo gjë ka qenë duke u përhapur pikërisht siç e parashikuam.
Ne dhe Qendra jonë publikuam një artikull më 20 Janar dhe thamë se kjo do të përhapet në të gjithë botën ndaj shfrytëzoni kohën se po vjen! Njerëzit thanë jo! Nuk është vetëm Kina. Po ndodh ajo që quhet “numri R”, po dyfishohet çdo katër ditë. Kjo është ajo që ne po shohim të ndodhë në vende si Italia. Njerëzit qetësohen me atë bindjen për “vdekshmëri të ulët”, por që nuk është më aq e ulët. Kjo është ajo për të cilën ne duhet t’i përgatisim njerëzit.
Tani, çfarë mund të bëhet? Çfarë funksionon tek njerëzit e zakonshëm? Ne shohim njerëz që shëtisin me maska ??mbi doreza, a është e pakuptimtë kjo?
Kryesisht po! Në Gjermani kanë studiuar një grup njerëzish që ishin infektuar prej dikujt në fabrikën e prodhimit të automobilave. Nëntë vetë. Atyre iu tha se nëse keni ndonjë simptomë, na kontaktoni sepse ne dëshirojmë t’ju ndjekim në detaje dhe kështu u ra dakord me marrëveshje. Kur raportuan se ishin duke u ndjerë keq me dhimbje fyti, iu morën kampionet, u bënë analizat e gjakut, jashtëqitjes, urinës dhe u zbulua se në atë moment kur ata u mendua se u sëmurën për herë të pare, kishin nivele tepër të larta të virusit; kjo do të thotë se ata ishin kishin qenë infektivë që më parë. Nuk kishin patur ende simptoma të asnjë natyre.
Kjo është ajo që na shqetëson, sepse kjo tregon shkallën dhe llojin e përhapjes. Unë gjithmonë kam thënë se të përpiqesh të ndalosh përhapjen e një gripi është si të përpiqesh të ndalësh erën. Ju e dini që kurrë nuk kemi pasur sukses tek gripi, përveç se me vaksinën. Ne nuk kemi një vaksinë për këtë rast. Njerëzit ndërkohë po infektohen. Nuk do të kemi një vaksinë së shpejti. Të thuash të kundërtën është optimizëm pa shkak.
Kufizimi i kontaktit ndihmon vërtet?
Po, sepse është si të bësh eksperiment me shufra magnetike. Nëse nuk keni kontakt aq të afërt, nuk mund të transmetoni (tërhiqni) aq shumë. Nëse unë jam ulur në një dhomë me njëqind njerëz dhe ne jemi në një farë mënyre duke e ndarë ajrin bashkarisht, transmetimi është i jashtëzakonshëm. Pikërisht ketu në brigjet e Kalifornisë ju keni një anije krocerë; krocerat janë famëkeqe për riqarkullimin e ajrit. Brenda kabinave të brendshme ka pasur një numër shpërthimesh Covid 19. Dhe pastaj i lemë aty. Unë mendoj se eksperimenti më i egër njerëzor që kemi bërë në një kohë të gjatë është t’i lëmë ata në këto anije. Largojini menjëherë!
Duket sikur ne nuk jemi vërtet të përgatitur për diçka të tillë edhe pse CDC na ka thënë për një kohë të gjatë se duhet të jemi…
Ju e dini që nuk jemi të përgatitur fare. Kjo është, me shpresë një thirrje për t’u zgjuar sidomos komuniteti i biznesit, shpresoj, se do të zgjohet. Ne kemi identifikuar njëqind e pesëdhjetë e tre barna në këtë vend, për të cilat njerëzit kanë nevojë të menjëhershme ose vdesin. Dua të them, ilaçe të protokollit të krizës, ilaçe akute kritike. Të gjithë ata në thelb prodhohen jashtë Shteteve të Bashkuara dhe një pjesë e madhe e tyre prodhohen në Kinë dhe Indi. Këto zinxhirë furnizimesh kanë rënë.
Vetëm mendoni për një çast. Departamenti i Mbrojtjes i SH.B.A nuk ka më akses te këto ilaçe dhe askush tjetër; ata janë të varur nga Kina për këto ilaçe. Gjashtëqind e nëntëdhjetë mijë amerikanë kanë sëmundje renale në fazën e fundit në këtë moment; shumica e ilaçeve të tyre parësore vijnë nga Kina dhe tani me mbylljen çfarë po ndodh me këtë? Nuk ka të bëjë vetëm me atë që po bën virusi; ka të bëjë me atë si i gjithë sistemi është strukturuar dhe çfarë bën ky virus pasi të futet në të.
Jesus, po më bën nervoz…
Po flasim për atë që mund të bëjmë që njerëzit të mos nervozohen … Pra çfarë duhet bërë që të mos vimë në këtë pikë.
Është tepër vonë…
Jo jo jo çfarë dua të them është se po vijmë te kjo pike. Puna ime nuk është t’ju frikësoj, apo t’ju prish qetësinë. /Përkthyer me shkurtime nga Dita/