Drejtori i Institute of Global Health (Instituti i Shëndetit Global) në Universitetin e Gjenevës (Zvicër), profesori i shëndetit public, francezi Antoine Flahault komenton masat e shpallura për të përballuar pandeminë e Covid19.
Para së gjithash, cilat janë pikëpamjet tuaja për situatën e pandemisë, në Francë dhe ndërkombëtarisht?
Dinamika e epidemisë në Francë i ngjan asaj të Italisë. Të gjitha epidemitë kanë një fillim të shënuar me rritje eksponenciale. Epidemia në Francë ka të njëjtën forcë transmetimi me atë që Kina ka njohur në Wuhan dhe ajo që ndodh tani në Itali. Ka një rritje shumë të fortë dhe shumë të shpejtë. Franca është me fat që ka pasur pak më shumë kohë për t’u përgatitur dhe për të ndërmarrë masa për distancimin shoqëror më parë përpara se sistemi i saj i kujdesit shëndetësor të ishte ngopur, ndryshe nga sa ndodhi në Itali. Por nëse shikojmë në Zvicër, nuk ka larg nga 1.000 raste, që, në krahasim me popullsinë, është shumë e madhe: është ekuivalenti i 10,000 rasteve për Francën, menjëherë pas Italisë ose Iran.
Çfarë gjykimi të përgjithshëm keni për masat që Franca ka vendosur të zbatojë?
Këto janë masa të forta, me qëllim mbrojtjen e më të prekurve dhe për të frenuar përhapjen e virusit SARSCoV2. Pesëmbëdhjetë ditët e para të mbylljes së shkollave janë shumë të rëndësishme për të penguar qarkullimin e koronavirusit. Rekomandimi për të shmangur kontaktin midis të moshuarve dhe fëmijëve të vegjël gjatë kësaj periudhe, është një ide e mirë.
A duhej të merreshin më parë masat e ndalimeve?
Transmetimi i virusit është një problem global. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) nuk mund të jetë një organ mbikombëtar, megjithatë ne jemi dëshmitarë të një kakofonie. Një pandemi është si Bolero e Ravelit: instrumentet shtohen njëri pas tjetrit, pasi vendet preken njëri pas tjetrit. Meqenëse nuk ka rekomandime ndërkombëtare, është shumë e vështirë për qeveritë t’u referohen kritereve objektive. Kjo është arsyeja pse unë do të përmbahem në kritikat ndaj reagimeve.
Lufta kundër një pandemie bazohet në katër masa: mbyllja e shkollave, kufizimi i tubimeve, kufizimi i lëvizjes dhe krijimin e një kordoni sanitar me karantinën e tërë popullatave. Italia i zbatoi të gjitha, edhe pse ka ende aeroplanë dhe trena që funksionojnë. OBSH nuk ka thënë se çfarë veprimesh duhet të ndërmerren, ku të vendosen kufizimet, dhe askush nuk ka hartën e rrugës në të cilën duhet të ecim. Pandemia e tanishme po ndjek dinamikën e gripit spanjoll të 1918-1919, edhe pse konteksti është krejt i ndryshëm. Por ajo që mund të thuhet është se kjo është kriza më e madhe shëndetësore që bota ka përjetuar në një shekull.
A qe mbyllja e shkollave mënyra më e mirë për të frenuar epideminë?
Në rastin e gripit, ndodh kështu: fëmijët e shkollave e transmetojnë virusin katër herë më shumë se të rriturit. Kjo nuk është demonstruar për koronavirusin e ri, por është një supozim i mirë paraprak për të menduar se ndodh njësoj si për gripin.
Disa vende, si SHBA i mbyllën kufijtë e tyre sipas kritereve që nuk duket se mbështeten në fakte shkencore …
Ata nuk po shkelin rekomandimet ndërkombëtare pasi të tilla nuk ka asnjë. Por ne po shohim të shfaqen të njëjtat qëndrime si në rastin e fillimit të pandemisë së AIDS-it. SHBA, eksportues të mëdhenj të rasteve, mbyllën atëherë kufijtë e tyre për Haitin. Unë botova një artikull në atë kohë që tregonte se nuk kishte asnjë bazë racionale për kufizime në udhëtimet ndërkombëtare, sepse modelet matematikore tregonin se ashtu nuk parandalohej hyrja e virusit. Aktualisht më shumë se 125 vende kanë raportuar raste, nuk ka asnjë bazë për vendosjen e kontrolleve shëndetësore kufitare, virusi është tashmë atje. Do të jetë vetëm kombinimi i katër masave të përmendura më lart që do të mund të sjellë efektivitet. Ky është një mësim i qartë edhe nga ajo që ndodhi në Kinë dhe Korenë e Jugut, ku kurba e epidemisë u ndryshua me masa të rrepta, që nganjëherë ishin edhe në shkelje të lirive. Në karantinën e shpallur në Kinë pati njerëz që trokisnin në dyert e shtëpive duke i urdhëruar familjarët të mos dilnin jashtë. Masat drastike jpin ndikim në një afat të shkurtër. Nëse ato hiqen shumë shpejt, epidemia mund të fillojë përsëri menjëherë.
Ashpërsia e krizës që po ndikon jetët njerëzore dhe ekonominë, veçanërisht po ndihet në sistemet e kujdesit shëndetësor…
Mbipopullimi i spitaleve siç po shihet në Itali, ka pasoja të mëdha. Imagjinoni një person që ka një infarkt të miokardit dhe që nëse nuk mjekohet brenda 90 minutave, ai ka më shumë të ngjarë të vdesë. Mund të ketë vështirësi të mëdha për qasje në kujdesin shëndetësor, për të mos përmendur zgjedhjet e vështira për të përcaktuar se cilët pacientëve u duhet dhënë përparësi. Ky është tashmë rasti për të bërë testime sistematike ose për të rezervuar teste për rastet më serioze. Koreja e Jugut ishte më ambicioze se vendet e tjera në testimin masiv.
A i trembeni një vale të dytë të epidemisë?
Nuk do të ishte befasuese. Pandemia e gripit të vitit 1918 ka të njohur tre të tilla.
Le Monde