Dosja “Geron Xhafaj” ndodhet tanimë edhe në dorën e ndërkombëtarëve. Mësohet se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ju ka dërguar shkresë ambasadave kryesore në vend, duke i vënë në dijeni për dosjen e manipulimeve dhe fabrikimeve nga ana e pushtetit në një skemë ku është përfshire politika, policia dhe drejtësia: të gjitha institucionet në shërbim të vëllezërve Xhafaj.
Në dokumentet e dërguara nga Partia Demokratike zbardhen rrethanat se si u manipulua çështja “Geron Xhafaj” për të shpëtuar vëllain trafikant droge të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kush janë zyrtarët e lartë të përfshirë në këtë skemë mafioze. Në dosje janë bashkangjitur gjithashtu përgjimet e prokurorisë të përkthyera në anglisht, që bëjnë fjalë për pazaret dhe pagesat të drejtuesve të Policisë, me dëshmitarin e rremë të përdorur nga Xhafaj, Fredi Alizoti.
HISTORIA
Përgatitja dhe vënia në zbatim e skemës nis pas publikimit të përgjimit, ku Albert Veliu i kërkon Agron Xhafajt (të dy të dënuar për trafik droge në Itali në vitin 2012, si pjesë e së njëjtës bandë) mbështetje për t’u rikthyer trafikut në Shqipëri (viti 2018) dhe ky i fundit pranon dhe e përfshin.
Kemi një seri përgjimesh telefonike dhe ambientale mes Xhafajt e Veliut me qëllim një transaksion droge. Albert Veliu i dëshmon gazetarit investigimi Jetmir Olldashi përfshirjen e Agron Xhafajt në trafikun e drogës në Vlorë. Gazetari i kërkon ndihmë deputetit Salianji për të publikuar përgjimin investigimi. Deputeti Salianji denoncon publikisht Agron Xhafajn si të përfshirë në trafikun e drogës në Vlorë. Disa javë pas publikimit të përgjimit, Fredi Alizoti rekrutohet nga Drejtues të Policisë dhe vetë-shpallet i përfshirë në përgjim. Ai vetë-dorëzohet në Polici si mashtrues duke deklaruar se ka luajtur rolin e Agron Xhafajt në përgjimin me Albert Veliun.
SKEMA MAFIOZE POLITIKË-POLICI-DREJTËSI
Kush janë zyrtarët e përfshirë në skemën mafioze?
Politika
Fatmir Xhafaj – Si Kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, falsifikon draft ligjin për ekstradimet për të mbrojtur vëllain e tij. Si Ministër i Brendshëm, mbështet aktivitetin kriminal të vëllait (trafik droge) dhe e mbron nga ekstradimi drejt Italisë nga viti 2012 deri në 2018-ën. Manipulon përgjimin ku shfaqet vëllai i tij në pazare droge në vitin 2018, që ta shpëtoje nga një dënim i ri.
Edi Rama – Mashtron te nesërmen e publikimit te Audio Përgjimit se materiali është një montazh i pavërtetë, me aktorë, sipas një analize të një laboratori të huaj. Kjo analizë nuk u bë kurrë publike.
Taulant Balla – Paraprin deklarimin e sajuar të Alizotit duke i siguruar këtij mbështetje financiare, me qëllim influencimin e opinionin publik.
Dëshmitari i rremë Fredi Alizoti – Deklarohet fajtor dhe si personi qe ka “aktruar” zërin e Agron Xhafaj në përgjim pasi paguhet dhe instruktohet.
Policia
Albert Nushi – Shef i Policisë Fier, bashkëpunon dhe paguan Fredi Alizotin që ky i fundit të vete-shpallet fajtor sikur ka aktruar zërin e Agron Xhafajt në përgjim.
Ardi Veliu – Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit orkestron sajimin e një dëshmitari të rreme, me qellim shpëtimin e vëllait të Ministrit.
Drejtësia
Prokurori Genci Qana – Prokuroria ngre aktakuze vetëm mbi dëshminë e pa-provuar të Fredi Alizotit, duke përjashtuar Agron Xhafajn nga çdo hetim.
Gjyqtari Artan Gjermeni – Gjyqtari Artan Gjermeni refuzon të gjitha provat e paraqitura përfshire përgjimet zyrtare ku Alizoti flet për paratë e marra dhe dënon të pandehurit për mashtrim.