Ish-gjyqtarja e Gjykatës për Krimet e Rënda, tani Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit, Irena Gjoka u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualfikimit. Gjatë seancës publike Gjokës iu vunë në dukje 3 momente të mosdeklarimit në kriterin e pasurisë, ndërsa u theksua se në një prej dosjeve të hetuara në kriterin e profesionalizmit ajo ishin gjetur shkelje procedurale të rënda.
Gjoka, e cila u hetua nga një trupë e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Valbona Sanxhaktari, pranoi mosdeklarimet, por tha se ato ishin harresa dhe keqinterpretim i ligjit. Ajo po ashtu tha se në dosjen në të cilën ishin gjetur shkelje të procedurës, kishte qenë në pakicë. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Klijstra.
Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Për më shumë se një dekadë, Gjoka ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Prej dhjetorit 2019, ajo është pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ku për të siguruar një emërim të përhershëm i nevojitet të kalojë me sukses procesin e vetingut.
Mosdeklarimet
Relatorja Genta Tafa vuri në dukje gjatë seancës ndaj Gjokës se ndërsa nuk ishin gjetur mungesë burimesh dhe të ardhurash për një banesë të blerë 45 mijë euro në vitin 2005, vetë gjyqtarja kishte dhënë deklarime të ndryshme mbi burimin në deklaratën vjetore, në një kontroll të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë e Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, në deklaratën veting dhe në pyetësorët e nisur nga KPK.
Sipas relatores deklarimet për sa i përket kursimeve në shumën 23 mijë euro nuk përputheshin.
Gjoka e cila vlerësoi pozitivisht procesin dhe hetimin, tha se nuk kishte mospërputhje mes deklarimeve, por kishte të bënte koha në të cilën ishin bërë. Ajo po ashtu tha se ndryshimi kishte të bënte me njohjen e legjislacionit. Ajo pretendoi se një shtesë e padeklarua, që plotësonte shumën, ishte konsidereruar në fillim si e mirëqenë duke qenë se ishte pjesë e llogarisë bankare dhe shtimit në të.
Relatorja po ashtu vuri në dukje mosdeklarimin e pjesës në apartamentin e prindërve në Patos. Sipas relatimit gjyqtares i takonte ¼ e këtij apartamenti. Gjyqtarja pranoi këtë mosdeklarim dhe cilësoi këti si një harresë. Ajo tha se ansjëherë nuk e kishte konsideruar veten me të drejta pronësie mbi këtë apartament dhe për këtë nuk ishte kujtuar të deklaronte. Ndërsa tha se bëhej fjalë për harresë njerëzore dhe të paqëllimtë.
Dy mosdeklarimet e tjera kishin të bënin me bashkëshortin e gjyqtares. Në një rast sipas relatimit ai nuk kishte deklaruar marrjen pas të një shumë prej 1 milion lekësh nga e bija, të cilës ia kishte huazuar për të bërë studimet. Paratë ishin deklaruar më pas për blerjen e dy garazheve, por KPK doli në përfundimin se mosdeklarimi i kësaj shume e nxirrte bashkëshortin me minus 500 mijë lekë të ardhura nga burimet e ligjshme në vitin 2011.
Po ashtu një tjetër mosdeklarim kishte të bënte me depozitimin e një shume prej 12 mijë eurosh në vitin 2007 në bankë.
Gjoka pretendoi në të dy rastet se mosdeklarimet kishin të bënin me mënyrën e kuptimit të ligjit në atë kohë dhe se nuk kishin qenë të qëllimshme. Ajo tha se ndërsa paratë e dhëna hua nga bashkëshorti për të bijën ishin kthyer brenda vitit, nuk ishte parë e arsyeshme që ato të deklaroheshin, pasi nuk kishte ndryshim në gjendjen e të ardhurave. Ajo tha se kjo duhej konsideruar si “parregullsi formale” dhe se nuk duhej të ndikonte në procesin e rivlerësimit të saj.
Ndërkohë sa i përket mosdeklarimit të shumës prej 12 mijë eurosh ajo dha pak a shumë të njëjtin shpjegim, duke pretenduar se kishte një keqkuptim të ligjit nga bashkëshorti. Gjoka tha se shuma në fjalë ishte deklaruar dhe depozituar në bankë nga shitja e një lokali në Fier dhe të ardhurat nga qiraja, por nuk ishte deklaruar mbajtja e saj cash pas tërheqjes dhe rivendosja në bankë. Ajo tha se këto ishin kursime nga burime të ligjshme dhe se mosdeklarimi nuk duhej të konsiderohej si shkarkues.
KPK nuk gjeti probleme në transaksionet e tjera të bashkëshortit të gjyqtares, ndërsa u pranuan si të provuara të ardhurat nga qiraja e një godine dy katëshe në Fier dhe shitja e saj dhe shpenzimi për blerje aksionesh dhe më pas shitja e tyre.
Nga ana tjetër në lidhje me denoncimin për shkelje të normave proceduriale dhe zbatimin e gabuar të ligjit, në një çështje, Gjoka u mbrojt se kishte qenë në pakicë. Ajo tha se nuk ishin shkelje të rënda siç pretendohej, pasi siç ishte vendosur në apel bëhej fjalë për një akt ekspertimi që mund të plotësohej, por po ashtu tha se ajo kishte qenë në pakicë në lidhje me këtë akt ekspertimi, duke e lënë përgjegjësinë te dy kolegët.
Duke iu referuar pjesës tjetër të vendimit ajo tha se nuk kishte të bënte me ndryshim të shkaqeve ligjore, por me saktësim të padisë dhe se kjo nuk mund të konsiderohej shkelje.
Gjoka tha po ashtu se kishte denoncuar të gjitha rastet, kur kishte pasur përpjekje për të ndikuar në punën e saj dhe se kishte ruajtur imazhin si gjyqtare, ndërsa tha se pasuria e vetme ishte apartamenti i blerë për 45 mijë euro. Në fund ajo kërkoi të konfirmohej në detyrë, ndërsa tha se parregullsitë që i ishin gjetur “ishin formale dhe jo relevante” dhe nuk mund të përbënin shkak për shkarkim. Seanca e njoftimit të vendimit u caktua më 26 shkurt në orën 9.15.
/Reporter.al/