Ditën e djeshme në policinë e Korçës u denoncua nëpërmjet një telefonate vrasja e një personi në fshatin Lekas, por uniformat blu nuk gjetën asnjë shenjë të vrasjes, pasi disa kontrolleve që bënë në fshat.
Fillimisht u denoncua për vrasjen e dy personave në afërsi të fshatit Tudas. Burime zyrtare nga policia e Korçës pohuan se nuk janë gjetur trupat e viktimave dhe se nuk ka persona të vrarë. Gazeta Shqiptare raporton sot se një postbllok policie është ngritur nga një automjet i Ministrisë së Brendshme në dalje të Voskopojës, në vendin e quajtur “Kulet”.
Mësohet se efektivët kontrollonin çdo automjet që kalonte aty. Banorët e zonës që nuk pranuan të identifikohen thanë se mund të jetë vrarë një person me mbiemrin Llapanji. Ata pohuan se viktima merrej me kultivimin e bimëve narkotike dhe se para disa vitesh ai kishte vrarë një person për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Jo vetëm kaq, por banorët u shprehën se trupi i viktimës mund të jetë zhdukur dhe se nuk mund të flasin më shumë, pasi kanë frikë se u ikën koka.
Sipas tyre, policia po fsheh ngjarjen, e cila ka marrë shkas nga kontrolli i parcelave me hashash. “Ka pasur krisma armësh dhe është vrarë një person. Dyshojmë se viktima ka mbiemrin Llapanji. Para disa vitesh ai ka vrarë një person nga fisi i tij po për drogë. Në atë kohë, ai u dënua vetëm me 3 vjet burg, pasi ngjarja u konsiderua si aksidentale”, thanë banorët.
Sipas tyre, viktima e ditës së djeshme merrej me kultivimin e hashashit në këtë zonë. Gjithashtu, banorët e Lekasit deklaruan se në zonën e tyre lulëzon hashashi. “Persona nga rrethe të ndryshme të vendit, si Fieri, Elbasani dhe Gramshi, kanë kultivuar në zonën tonë hashash. Ata kanë punësuar banorë të zonës, të cilët paguhen nga 20 mijë deri në 25 mijë lekë në ditë. Tokat tona janë zaptuar, dhe për këtë jemi ankuar disa herë në komunë dhe polici. Këta të fundit janë në dijeni se çfarë ndodh këtu, por deri tani nuk është marrë asnjë masë, ndaj kemi frikë të flasim më shumë, pasi na ikën koka”, u shprehën banorët.