Sot është zhvilluar seanca e masës së sigurimit të padisë në Gjykatën Administrative të Tiranës për “EDIL Centro” impiantin e prodhimit të tullave në zonën e Laprakës në Tiranë.
Padia është bërë nga studioja ligjore e avokatiti Altin Gonxhaj në emër të banorëve të zonës së Laprakës në kryeqytet dhe si palë të paditur kanë kërkuar ministrinë e Mjedisit dhe Agjensinë Kombëtare të Mjedisit.
Përmes një reagimi në rrjet, Gonxhaj bën të ditur se sot u vërtetua që impianti gjigand i tullave ushtronte veprimtarinë e tij pa leje mjedisore. Gjithashtu ai bën me dije se ka kërkuar pezullimin për aq kohë sa do të zhvillohet procesi gjyqësor të këtij impianti por është skandalizuar nga qëndrimi i avokates së shtetit e cila ka thënë se nuk kishte rëndësi nëse ishte me lejë apo jo, impianti nuk duhet të pezullohej.
Banorët e zonës së Laprakës në kryeqytet kanë dalë në protestë disa here kundra fabrikës së tullave në zonën ku ata banojnë. Ata shprehen se ajo shkakton ndotje masive të ambjentit dhe apelojn për mbylljen e kësaj fabrike.
“Në Gjykatën Administrative të Tiranës duke mbrojtur banorët e Laprakës kundër ndotjes mjedisore (kimikateve kancerogjene) që shkakton për mijëra banorë EDIL Centro Impianti i Prodhimit të Tullave.
Sot u vërtetua që impianti gjigand ushtronte veprimtarinë e tij (ndotjen masive të popullsisë) pa leje mjedisore por përfaqësuesja e Shtetit tha se nuk ka rëndësi nëse është me leje apo pa leje, dëmton apo jo shëndetin e qindra fëmijëve, masa e sigurimit të padisë të kërkuar nga banorët të rrëzohet! Ky është shteti që s’të lejon as të pjekësh qofte pa leje mjedisore por të lejon të pjekësh tulla në mes të qytetit nëse je oligark! Kjo eshte Qeveria e Kancerit ndersa gjykatat Reforma ne Drejtesi i ktheu ne zyra te Qeverise dhe gjykatesit ne nepunes civil te shtetit te cilet po guxuan dhe zbatuan ligjin i pret gijotina e Reformes Soros ne Drejtesi!” -shkruan Goxhaj në postimin e tij.