Në procesin e Vetingut do t`i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët ku për secili prej tyre do të ketë një dosje të veçantë për kontaktet që mund të kenë pasur me personat të botës së krimit.
Po ashtu kundër tyre mund të përdoren edhe pamjet filmike apo fotografitë e gëzimeve familjare, si dasma, fejesa apo festa të ndryshme, në të cilat kanë qenë të pranishëm dhe persona me rekorde kriminale, apo të përfshirë në trafiqe.
Gjatë debatit në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, deputetja e PS¬së, Vasilika Hysi, ka kërkuar sqarime se si mund të vlerësohet nëse gjyqtari apo prokurori është vënë nën presion në punën e tij.
Shefi i Misionit të EURALIUS ka sqaruar deputetët se pjesë e vlerësimit do të jenë dhe miqësitë apo shoqëritë e personave të krimit të organizuar me gjyqtarët dhe prokurorët. Ai ka kërkuar që të mblidhen sa më shumë evidenca kundër magjistratëve që do t’i nënshtrohen vetingut. “A mund të kemi mjaftueshëm evidencë, që në fund ne të bëjmë një gjykim. Këta tregues, për shembull, mund të kemi që transportojnë para, fluturojnë për në Vjenë, bëjnë shkëmbimin në euro dhe kthehen me to, ndoshta nuk mund t’i kenë deklaruar ato 10 mijë eurot, apo marrin një makinë dhe ajo drejtohet nga persona të cilët nuk i njohin fare, ose një makinë që mund të transportojë drogë.
Pra, keni tregues të tillë. Nuk është subjektive, por është një vlerësim që duhet të bëhet dhe, sigurisht, vlerësimi i ‘background’¬it është një nga instrumentet më të vështira që kemi dhe ne duhet të kërkojmë një sërë treguesish. Por nëse ju keni, gjithashtu, një fotografi ku kemi këta njerëz, apo ceremoni martese në Jug, në Sarandë apo Lazarat, në mes të një fushe ku kultivohet drogë, dhe ju të thoni që nuk i dinim këto plantacione, mund t’i koleksiononi këto gjëra. Ne i kemi parë në praktikë dhe jemi përpjekur të koleksionojmë, të mbledhim dhe nuk dimë se çfarë lloj evidence duhet të marrim. Mund të jetë e nevojshme të kemi një panoramë të madhe, e cila përbëhet nga pjesë të vogla, dhe në qoftë se i bashkoni këto 10 pjesë së bashku me pjesët e tjera, ju mund të keni një panoramë dhe mund të thoni që, nëse i vendosa të gjitha këto pjesët e ‘puzzle’¬it, atëherë pamja që kam unë në fund mund të më justifikojë të gjitha vlerësimet dhe në fund kjo nuk është ajo që ju doni të shikoni si gjyqtar, pra barra e provës kthehet”, është shprehur Rainer Deville.