Vajza e këngëtarit të njohur po punon për këtë projekt të ri, pas klipit me titull “S’ka dashni” që realizoi me Seldi Qalliun, për të cilin u përfol se janë në një lidhje. Për marrëdhënien e tyre foli edhe Sabiani për “Panorama Plus”, i cili u shpreh se nuk ka asnjë kompleks për ta pranuar Seldin si dhëndër, të cilin e ka dhe bashkëpunëtor në muzikë, pasi kohët e fundit udhëtojnë bashkë në koncerte.
Kjo edhe për shkak të vajzës, e cila u pa të shoqërohej gjithandej nga Seldi. Hera e parë që Keisi mori pjesë në një projekt muzikor ishte ai si modele në klipin e të atit. “Pa ty dashni” titullohej klipi i Sabianit me Marselin, ku si imazh pamë vajzën e tij aq shumë të komentuar në media për pamjen. Nga ana tjetër kishte kohë që flitej se vajza e tij do t’i hynte muzikës si këngëtare e grupit “OTR” me lider Noizyn.
Sabiani mendoi dy vite më parë ta prezantonte vajzën si modele në klipin ku ai i këndonte një vajze që e kishte bërë të vuante, duke e lënë të lënduar. Me bikini, duke kaluar dhe duke ekspozuar format e saj, Keisi shfaqej si një seks bombë. Keisi është vajza nga martesa e parë e Sabianit, e cila në këtë klip shfaqet me gërshetat e të atit.
Ajo ishte 17 vjeçe kur u bë e famshme në një kohë të shkurtër, pas një interviste që dha për një televizion të Kosovës. Sipas Sabianit, ajo nuk është vetëm një modele e pëlqyer, por ka dhe zë shumë të bukur për të kënduar. Nuk dihet nëse ajo dhe Noizy do ta nxjerrin ndonjëherë duetin, për të cilin u fol për një kohë të gjatë. “On this day queen was born”, ishte dedikimi sipër tortës së ditëlindjes që djemtë e grupit OTR, me lider Noizyn, i bënë Keisi Meidinit.
Bjondja me sy të shkruar dhe trup perfekt festoi ditëlindjen gjatë një feste, ku gjithçka ishte surprizë nga reperi më i komentuar për famë, para dhe histori me vajza të ndryshe, Rigels Rajku. E lançuar fillimisht në botën e modës duke pozuar për marka të ndryshme, Keisi prej vitesh punoi intensivisht për të qenë partnerja në muzikë e Noizyt, ndërkohë që flitet se po punojnë bashkërisht për duetin dhe klipin e tyre, që do të jetë pa dyshim një hit.
Ndërkohë, duket se Keisin e do fama, pasi vetëm në pak muaj ajo u bë një nga vajzat më të komentuara dhe më të klikuara në rrjetet sociale e portale. Për babanë e saj, Sabianin, i cili ka një karrierë të gjatë në tregun muzikor, fakti që e bija e tij po bën bujë në kohë të shkurtër nuk është rastësi.
“E vërteta është që s’e kisha menduar ta bëj të famshme vajzën. Çdo gjë po ndodh në një mënyrë të habitshme nga një miniprezantim që i bëra në një nga intervistat e mia rutinë. Dhe ja, tani s’po ndalen më portalet…”
Sa i takon talentit për të kënduar, ai përgjigjet: “Mua më ngjan me Jessie J, por edhe me Rihannën. Ka diksion, ngjyrë, tingull. E çuditshme, i ka dhënë Zoti bukuri dhe vokal të mrekullueshëm.”
Ndërsa në lidhje me komentet që bëhen për jetën e saj luksoze, përgjigjet: “Jetë luksoze s’mund të them. Por asgjë s’i mungon nga ato që kërkon të ketë e që ka nevojë. S’e kam idenë se kujt i thonë ‘luks’, gjithsesi çdo gjë me një cak dhe pa ekzagjerime”.
Sabiani, si një nga ndjekësit e Keisit në “Instagram”, i bën komente në lidhje me fotot që vajza e tij poston, duke treguar më shumë rreth marrëdhënies së tyre të veçantë babë e bijë. Në foton e fundit, Keisi pozoi e ulur në një kolltuk pranë një pishine me fustan të shkurtër. Dhe Sabiani i shkroi: “U njohëm shumë bashkë”.
Ndërkaq, Keisi iu kthye duke thënë se ishte vetë Sabiani që ia realizoi foton, ndaj nuk kishte vend për kritika për foton seksi. Sabiani dhe Keisi kanë folur gjithmonë hapur për marrëdhënien e tyre të afërt dhe si shokë që kanë më njëri-tjetrin. Para dy vitesh, vajza tashmë e njohur e këngëtarit u komentua nga mediat, pasi ajo postoi një foto në “Instagram” me një unazë diamanti në gisht. Portalet ngritën pyetjen e një fejese të mundshme të saj.
I pyetur nga gazeta “Panorama” nëse bëhej fjalë vërtet për fejesë, Sabiani, i cili kujdeset dhe për imazhin e së bijës, u shpreh: “Jo. S’mund të provojë një unazë vajza?! Se janë bërë portalet si qenër të uritur për ndonjë lajm pa lidhje. Dua të them se i fejojmë dhe i martojmë në moshë madhore ne fëmijët, jo para kohe si në Azi apo Afrikë”.
Keisi Medini u bë e njohur në mënyrë të habitshme, fillimisht si modele dhe tani si këngëtare.
“E vërteta është që s’e kisha menduar ta bëj të famshme vajzën. Çdo gjë po ndodh në një mënyrë të habitshme nga një miniprezantim që i bëra në një nga intervistat e mia rutinë. Dhe ja, tani s’po ndalen më portalet…”, është shprehur Sabiani.
Në lidhje me prindërimin e një vajze tashmë të njohur, ai tregon: “Jam baba dhe shok i mirë i Keisit. Tolerant dhe i mirëkuptueshëm. Mundohem të mos shpërthej në kritika, edhe kur s’më pëlqejnë disa sjellje të saj. Thjesht fajësoj moshën dhe kështu përmbahem…”.
Marre nga: Panoramaplus.al