Gjyqtarët dhe prokurorët, që do të arrijnë të bëhen pjesë të strukturave të posaçme antikorrupsion, do të duhet të kalojnë një kalvar të vërtetë kontrollesh. Ata dhe të afërmit të tyre do t’u thonë “lamtumirë” komunikimeve private, qoftë telefonike, SMS, emaile, apo rrjeteve sociale nga më të ndryshmet.
Komunikimet e magjistrave që do të jenë pjesë e strukturës antikorrupsion do të jenë të mbikëqyrura 24 orë dhe do të ruhen, nëse konstatohen se ka tentativa për korrupsion apo shkelje nga më të ndryshme ligjore.
Pasuritë e tyre, llogaritë bankare, blerjet, lëvizjet jashtë vendit do të jenë të monitoruara. Gjyqtarët dhe prokurorët aktualë do t’i nënshtrohen procesit të “Vetingut”, që parashikon kontroll të figurës, pasurive dhe të aftësive profesionale. Ndërkohë që, magjistratët e rinj që do të duan të jenë pjesë e strukturave të posaçme antikorrupsion, që janë gjykata e posaçme, prokuroria posaçme antikorrupsion dhe Byroja e Kombëtare e Hetimit, do të filtrohen që në hyrjen në Shkollën e Magjistraturës.
“Në çdo rast, kandidati nuk do të pranohet në Shkollën e Magjistraturës kur:
- a) burimet e tij financiare nuk justifikojnë pasuritë e tij/ saj.
- b) është duke fshehur pasuri ose asete, ose ka dhënë një deklaratë të rreme ose jo të saktë të aseteve;
- c) ka lidhje me krimin e organizuar sipas parashikimeve të ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo e bërë me dije nga raportet e Byrosë Kombëtare të Hetimit ose Shërbimit Inteligjent Shtetëror; ose
ç) ka ndonjë arsye tjetër skualifikuese të bërë me dije të parashikuara sipas ligjit”, thuhet në nenin 37 të projektligjit për “statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
PËRFITIMET
Përveç lënies peng së privatësisë, jeta e magjistratëve që do të jenë pjesë e strukturave antikorrupsion, por edhe sistemit të Drejtësisë në tërësi, do të mirëpaguhet. Sipas parashikimeve të projektligjit të ri, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të pësojnë një rritje të ndjeshme, duke ua kaluar atyre të ministrave apo deputetëve. Në projektligj është vendosur dhe një nen i posaçëm, i cili parashikon që paga e magjistratëve të mos ulet nga qeveria. I vetmi rast është nëse vendi preket nga kriza e madhe ekonomike. “Paga dhe përfitimet e tjera të magjistratit nuk mund të ulen, me përjashtim të rasteve kur: ka kriza të mëdha ekonomike ose emergjenca të tjera kombëtare”. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, pagat e magjistratëve do të shkojnë nga 300 mijë deri në 330 mijë lekë në muaj. Por nuk mbaron me kaq. Përveç pagës së lartë, gjyqtarët dhe prokurorët do të kenë benefite të tjera qoftë për strehimin, apo për shkollimin e fëmijëve.
“Magjistrati gëzon të drejtën për të pasur si pjesë të pagës edhe sigurimin e detyrueshëm të jetës, shëndetit dhe pronës për shkaqe të lidhura gjatë dhe për shkak të ushtrimit të funksionit, sëmundjet, aksidentet, veprimtaritë njerëzore dhe fenomenet natyrore. Gjithashtu, sigurimi i detyrueshëm përfshin dhe familjen e magjistratit, bashkëshorti/ja ose partneri/ja, fëmijët deri në moshën 18 vjeç ose deri në moshën 25 vjeç nëse ndjekin studimet e larta, si dhe personat me aftësi të kufizuara, për të cilët magjistrati i ka nën kujdes”, thuhet nenin 12.
Çdo vit, magjistratët që do të marrin vlerësime në punë do të shpërblehen me një pagë të plotë. Ndërkohë që për fëmijët të tyre, shteti do të paguajë për edukimin, duke i shtuar 5% më shumë pagës së magjistratit, derisa fëmijët të arrijnë moshën 25 vjeç. Po ashtu, magjistratëve shteti do t’i financojë me kredi për strehim. Në projektligj është parashikuar që gjyqtarëve dhe prokurorëve t’u krijohet mundësi jetese, duke u blerë një apartament në qendër të qytetit ku ushtrojnë detyrën. Për çdo pjesëtar të familjes, apartamentit do t’i shtohet 10 metra katrorë më shumë.
PENSIONI
Veç të ardhurave të larta vjetore, magjistratët do të përfitojnë një pension që, sipas Ministrisë së Financave, është njëlloj sa paga që merrnin kur ishin në detyrë. Pensionet e magjistratëve me projektligjin e ri janë barazuar me pensionin e Presidentit, Kryeministrit apo kryetarit të Kuvendit. Sipas analizës së Ministrisë së Financave, fondi total për pensionin e 1000 magjistratëve do të arrijë vlerën e 32 miliardë lekë në vit. Reforma, një magjistrat do paguhet 325 mijë lekë/muaj Ndryshimet kushtetuese të votuara në Kuvend dhe draftet e paketës ligjore shoqëruese që pritet të miratohen, nuk kanë ende një tabelë me paga për gjyqtarët e prokurorët në sistemin e ri të Drejtësisë në vend.
Por drafti ligjor përmban të shkruar një formulë, e cila do të zbatohet pas miratimit të paketës ligjore që shoqëron Reformën në Drejtësi. “Panorama” shkruan se formula duket se krijon një handikap për raportin e pagave të sistemit të Drejtësisë me ato të presidentit apo kryeministrit të vendit. Sipas kësaj pakete, në vetëm njërin nga rastet e parashikuara (pasi ka tri kategori pagash për gjyqtarë e prokurorë në Shkallën e Parë, në Apel e në prokurorinë e përgjithshme e gjykatën e posaçme), pagat duken më të larta sesa rroga aktuale e presidentit (258 mijë lekë) dhe e kryeministrit.
Për shembull, prokurorët e gjyqtarët e Shkallës së Parë do të përfitojnë një pagë, llogaritja e së cilës nis me rrogën aktuale të sekretarit të Përgjithshëm të një ministrie (rreth 130 mijë lekë në muaj). Formula në draftin ligjor që shoqëron Reformën në Drejtësi, për gjyqtarët e prokurorët e Shkallës së Parë parashikon që shumës së pagës në fjalë t’i shtohet edhe 150 për qind, duke e çuar 325 mijë lekë të rinj pagën e prokurorëve e gjyqtarëve pa vjetërsinë dhe shtesat e tjera. Në këtë shumë llogaritet të shtohet më pas 5% bonus për çdo fëmijë deri në moshën 18 vjeç dhe 25 vjeç (kur ndjekin studimet). Një tjetër shtesë në pagë është ajo për vjetërsinë, 2 për qind të pagës referuese për çdo vit shërbimi në funksion dhe me shtesë 4 për qind në fillim të vitit të tretë, ndjekur me 8 për qind shtesë për çdo katër vite të plota në ushtrimin e funksionit.
PËRFITIMET E TJERA
Drafti i përgatitur për ligjin “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” parashikon veç pagës edhe një seri përfitimesh të tjera financiare për magjistratët në gjykata dhe prokurori të sistemit të ri të Drejtësisë. Magjistratët gjyqtarë apo prokurorë në sistemin e ri që sjell Reforma në Drejtësi, parashikohet të kenë edhe përfitime në kredimarrje për strehim. Pas vitit të tretë në detyrë ata përfitojnë kredi për shtëpi nga shteti në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti të paktën 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku punojnë. Për çdo anëtar familje të magjistratit, masa e banesës për të cilën ai përfiton kredi nga shteti rritet me 10 m2. Pika 3 e nenit 18 të ligjit, ngarkon ministrin e Drejtësisë për të hartuar më tej legjislacionin për mënyrën se si do të jepen kreditë në fjalë.
Këto përfitime bien dhe magjistrati duhet të kthejë në shtet gjithçka ka përfituar në rast se shkarkohet nga detyra me masë disiplinore ose kur ka kryer një krim. Ligji parashikon edhe bursa studimi për kandidatët për magjistratë. Po ashtu në draft janë vendosur edhe parashikime ligjore për një masë shpërblimi për ata magjistratë që janë vlerësuar për aftësi në një vit pune. Sipas draftit të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, magjistratët do të përfitojnë sigurim të jetës, shëndetit dhe pronës për veten dhe bashkëshorten ose bashkëjetuesen.