Bashkia e Tiranës ka filluar punën për të krijuar një ndërmarrje publike, e cila do të pastrojë qytetin dhe do të menaxhojë mbetjet. Zbardhet biznesi plani si do funksionojë ky monopol shtetëror. Frika më e madhe në këtë mes është nëse Bashkia e Tiranës, thjesht po ndërron klientët e saj në kontratat që ka me privatët, apo po synon përmirësimin e mënyrës se si pastrohet qyteti.
Në datën 5 janar, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, firmosi një marrëveshje me homologun e tij të Veronës, Flavio Tozi. Në thelb qëndronte marrja e modelit dhe përvojës nga autoritetet vendore të Veronës për të pastruar edhe Tiranën. Bashkia e Tiranës ka filluar punën për të krijuar një ndërmarrje publike, e cila do të pastrojë qytetin dhe do të menaxhojë mbetjet.
Pastrimi i Tiranës sot
Jo vetëm qendra e Shqipërisë, por edhe qyteti më i madh për sa i takon numrit të popullatës, Tirana, me 1 milion banorë, e kishte zgjidhur menaxhimin e pastrimit përmes kontraktimit të 6 firmave të mëdha, të cilat për territorin që kishin në mbikëqyrje, kontraktonin edhe firma të tjera. Këto ndërmarrje veprojnë sipas ndarjes së hartës së qytetit në 6 zona. Fondi që buxheti i bashkisë miraton çdo vit për të menaxhuar mbetjet shkon në 10 milionë euro. Por sa eficent ka qenë pastrimi i qytetit nga privatët? Me sa duket, Bashkia nuk është e kënaqur me këtë mënyrë, për sa kohë që po kërkon alternativa të tjera dhe për më tepër, rikthim te menaxhimi publik. “Tirana, pas një viti, është shumë më e pastër dhe e gjelbër sesa ishte një vit më parë. Vendosëm tualete portative publike. Kemi nevojë për investime në infrastrukturë e kulturë. Sot kërkohet që atdheun të mos e bëjmë pis. Ne po e bëjmë Tiranën si gjithë Europa. Tiranën nuk mund ta vandalizosh, ta bësh pis apo ta shkatërrosh. Anuluam kontratat për dy kompani që u vlerësuan shumë keq nga qytetarët”, – deklaroi kryebashkiaku një muaj më parë. Ai nuk e fshehu pakënaqësinë në lidhje me menaxhimin që deri më sot kishin bërë privatët. “Krijuam kompani publike me Bashkinë e Veronës për kalimin e ndërmarrjes së pastrimit në publike e jo private. Hoqëm 22,000 tonë mbetje urbane, por unë u bëj apel qytetarëve: Pak më shumë kujdes në drejtim të mbajtjes pastër të ambientit. Një kompani e re, qoftë edhe publike, nuk do të heshtë për pastrimin e qytetit. Në shtator puna e saj do të fillojë me ndërrimin e koshave të plehrave. “Tirana do të ketë kosha të rinj dhe kompani të re publike, do të ndalohet futja në çdo kosh dhe nxjerrja e plehrave jashtë për të kapur një kanoçe ose shishe plastike. Personat që zbrazin koshat, bashkia do t’i punësojë në impiantin e riciklimit që ne kemi në Sharrë. Tirana do të ketë landfill të ri dhe modern. Për këtë, kemi realizuar edhe takime me ministrin e Mjedisit dhe kryeministrin, në mënyrë që kjo nismë të realizohet shpejt”, – tha para disa javësh Veliaj.
Në një relacion të siguruar nga “Monitor”, thuhet se shërbimi i pastrimit të qytetit sot lë shumë për të dëshiruar në një kohë që numri i qytetarëve është në rritje. Raporti thotë se pastrimi me kontejnerë, i cili nisi në vitin 2008, sot është tërësisht i amortizuar. “Mjafton këtu të kujtojmë dy nga elementet bazë të këtij shërbimi, të cilët janë kontejnerët publikë, sot pronë e Bashkisë, si dhe mjetet që aktivizohen për realizimin e këtij shërbimi. Të dy këto elemente janë aktivizuar në vitin 2008, që do të thotë për 8 vite aktivitet intensiv, kur koeficienti i amortizimit është 20% në vit, ndërsa mjetet teknologjike datojnë nga viti 1998”, thuhet në raport. “Janë pikërisht këto elemente që na bëjnë të kërkojmë krijimin e një ndërmarrje të re në partneritet me ndërmarrje të së drejtës së huaj, që shquhen si ofrues elitarë të shërbimit të pastrimit, mbledhjes dhe largimit të mbeturinave, selektimit të mbetjeve urbane, riciklimit të tyre, si dhe për edukimin qytetar për bashkëpunimin në ndarjen, seleksionimin dhe mbrojtjen e mjedisit”, konkludohet në raport.
Cila është kompania e re publike?
Në datën 22 qershor 2016, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), u regjistrua kompania publike “Eco Tirana”, e cila përbëhet nga një kapital aksioner i përbashkët mes Bashkisë së Veronës dhe asaj të Tiranës. 49% të këtyre aksioneve janë në pronësi të Holding AGSM Albania, 51% e ka në pronësi bashkia e kryeqytetit. Në bordin e kompanisë po ashtu ka anëtarë të cilët janë marrë nga kompania publike që pastron qytetin e Veronës. Emra si Giampaolo Tessari, Andrea Miglioranzi, Diego Testi, Fabio Venturi, Maurizio Alfeo figurojnë në dokumentet e regjistrimit të firmës si administratorë apo anëtarë të bordit mbikëqyrës, të cilët pasohen nga emra të njohur në menaxhimin e Bashkisë së Tiranës, duke nisur me Taulant Tushën, Dorjan Shehun, Jonida Halilin dhe Arbjan Maznikun. Afati për të mbajtur këto poste në kompaninë joint-venture është 3 vjet për secilin dhe qëllimi i krijimit të saj është i shprehur qartë në dokumentet që dy bashkitë kanë depozituar në QKB. “Menaxhimi i shërbimeve mjedisore, duke përfshirë por pa u kufizuar në: mbledhjen, transportin, ndërmjetësimin dhe tregtimin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe grumbullimin e diferencuar të tyre, si dhe pastrimin e hapësirave publike, ndërtimin dhe manaxhimin, edhe për llogari të palëve të treta, të impianteve për rikuperimin, riciklimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave nga substancat ndotëse, veprimtari të riparimit të automjeteve, elektroauto, llamarinist, gomist, xhenerik dhe motorrist”, thuhet në përshkrimin e objektit të aktivitetit të “Eco Tirana”.
Por, megjithatë, edhe pse në thelb të saj kompania është publike, 49% e aksioneve janë në pronësi të “Holding AGSM Albania” (kjo e fundit është në pronësi 75% nga AGSM Verona dhe 25% nga Amia Verona), fakt që nuk përjashton marrjen sërish të operatorëve privatë në menaxhimin e saj. Frika më e madhe në këtë mes është nëse Bashkia e Tiranës, thjesht po ndërron klientët e saj në kontratat që ka me privatët, apo po synon përmirësimin e mënyrës se si pastrohet qyteti. Deri më sot, ajo nuk ka paraqitur asnjë projekt konkret se mbi çfarë bazash do të veprojë kompania që sapo ka krijuar për të parë mënyrën se si do të trajtohen. Edhe pse “Monitor” iu drejtua zyrtarisht për të kërkuar informacion mbi mënyrën se si do të pastrohet qyteti e se nga do të fillojë puna e kësaj ndërmarrjeje, Bashkia nuk u përgjigj. Megjithatë pas disa përpjekjeve, “Monitor” siguroi mënyrën e veprimtarisë së saj nga burime të tjera.
Biznes-plani i “Eco Tirana”
Në 18 muajt e parë të saj, ose në harkun kohor të një viti e gjysmë, ndërmarrja “Eco Tirana” do të menaxhojë një fond prej 2.5 milionë eurosh, ku 10% e këtij fondi do të shtohet për të mundësuar mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. Zona ku do të punohet fillimisht nga kjo kompani njihet si zona e kuqe, që është pjesa e qendrës dhe Tiranës së Re. “Monitor” ka siguruar planin e biznesit të saj. “Në përfundim të kësaj periudhe, menaxhimi i shërbimeve dhe mbledhja e diferencuar do të zgjerohen automatikisht deri në përfshirjen e të gjithë territorit të Bashkisë së Tiranës, ku përfshihet territori i bashkisë përpara reformës territoriale. Nga 1 qershori 2017, zona zgjerohet në 50% të territorit që mbetet dhe nga 1 qershori 2018 do të mbulojë të gjithë territorin si më sipër”, – thuhet në planin e biznesit të “Eco Tirana”.
Kostot financiare të saj do të rriten me 10% më shumë se buxheti që sot jep bashkia për të pastruar qytetin, kjo shpjegon se biznesplani nevojitet për të bërë diferencimin e mbetjeve, ndarjen e tyre fillimisht në dy lloje, të lëngshme dhe të thata, e më pas ndarjen në disa nënfaza të tjera. “Mbledhja e diferencuar do të jetë edhe burim të ardhurash për shoqërinë. Me mbështetjen e bashkisë për zbatimin e ligjit kundër grumbullimit të paligjshëm të plastikës, fondet e ngritura do të jenë dukshëm më të larta dhe do të ndihmojnë për mbulimin e kostos shumë të lartë të trajtimit të mbetjeve organike”, thuhet në raportin e Bashkisë. Megjithatë, kjo pjesë do të hapë shumë debate për shtresën vulnerabël të shoqërisë që mbledh mbetjet për t’i shitur te ricikluesit, pasi nuk do të kenë mënyrë tjetër për të mbledhur të ardhura. E njëjta gjë mund të vërë në pikëpyetje edhe çmimet që bashkia do t’ua shesë mbetjet kompanive që i përpunojnë ato, duke qenë se është një ndërmarrje monopol, e cila nuk lejon mbledhjen e tyre nga të tretët, por ligji po ashtu ndalon importin e tyre.
Si do të operohet pastrimi nga ndërmarrja sipas viteve.
“Në ‘zonën e kuqe’ parashikohet t’iu shërbehet rreth 200 mijë rezidentëve. Sasia e mbetjeve në këtë zonë është parashikuar 20% e totalit të Tiranës, afro 200,000 tonë. Pra supozohet se në zonën e kuqe janë 40,000 tonë”, thuhet në planin e ndërmarrjes publike të sapo krijuar. Vitin e parë, kompania do të përpunojnë vetëm 20,000 tonë, duke qenë se do të operojë vetëm për 6 muaj, më pas ajo do të zgjerojë aktivitetin vitin e dytë me 80,000 tonë dhe të tretin me 120,000. Në fund të planit të saj, 2019-a do të fillojë menaxhimin e 200,000 tonë mbetjeve.
Po ashtu parashikohet që të bëhet zëvendësimi i 650 kontejnerëve ekzistues, apo kazanëve të plehrave, duke nisur që prej shtatorit të këtij viti, zëvendësimi do të bëhet në zonën më të ngarkuar që është qendra, ku ka shumë flukse qytetarësh dhe institucionesh.
Por si do të organizohen kontejnerët? Grumbullimi i mbetjeve do të bëhet përmes sistemit me tre kosha, të cilat do të kenë ngjyra dhe sinjalistikë sipas materialit që duhet të depozitohet në atë kosh.
aktivizimi i kontejnerëve 1300-1700 litra me rrota për të garantuar grumbullimin e materialeve të “thatë”, fillimisht në zonat me aktivitet të lartë ekonomik
aktivizimin e kontejnerëve 1300-1700 litra për grumbullimin e mbetjeve që duhet të dërgohen në landfill
aktivizimin e kontejnerëve me rrota 240-360 litra për grumbullimin e mbeturinave organike, të cilat do të dërgohen për t’u trajtuar pranë impianteve apo ambienteve të dedikuara për këtë proces.
Shpenzimet e kompanisë
Investimet e ndërmarrjes së re do të përqendrohen në blerjen e automjeteve dhe makinerive e pajisjeve teknologjike për ofrimin e shërbimit dhe do të synojë teknologjinë më të mirë në dispozicion. Në vitin e parë të operimit, shpenzimet kapitale do të arrijnë në 1.8 milionë euro, ndërsa në të dytin dhe të tretin kjo shifër do të dyfishohet. Në harkun kohor të 5 viteve, shpenzimet do të arrijnë 10.9 milionë euro.
“Shoqëria parashikohet të operojë në pjesën e dytë të vitit 2016 me 23 punonjës staf administrativ dhe 123 punonjës staf operacional me një fond pagash prej 317.174 euro”,- shkruhet në planin e biznesit. Në fund të 2017-s, numri i punonjësve parashikohet të arrijë në 234 staf operacional me një fond të dyfishuar dhe nga viti i katërt e në vijim, punonjësit e terrenit do të arrijnë në 352. Në total, fondi i pagave në këtë vit shkon në 912.286 euro.
Publike apo private?
Nuk ka kaluar shumë kohë që shqiptarët të harrojnë menaxhimin që shteti bënte në çdo fushë ekonomike. Shumica prej nesh e kanë jetuar atë kohë dhe sot debati është ende i madh: cili bën administrim më të mirë, shteti apo privati? Deri më sot, Tirana nuk është konsideruar një qytet i pastër, por edhe mënyra e menaxhimit të bashkisë dhe ndarjes së mbeturinave sipas llojit të tyre, në fakt, nuk është një gabim i kompanive që pastrojnë qytetin, por një mungesë vullneti në realizim i drejtuesve, qoftë kjo edhe për bashkitë e tjera që janë në territorin shqiptar. Një projekt “Unë ricikloj” i nisur nga shoqata Ekolëvizja u realizua në Tiranë dy vite më parë dhe ende dhe sot, koshat që mundësojnë ndarjen e mbetjeve janë rrugëve të qendrës dhe ish-Bllokut të Tiranës. Pavarësisht kësaj, mbeturinat që hidhen aty janë të përziera, por edhe në rastet kur qytetarët i hedhin të ndara, ato bashkohen dhe përzihen në landifill …
Kompania e re, që po fillon si projekt me Bashkinë e Veronës, sipas kryebashkiakut Erion Veliaj mund të zgjidhë më mirë këtë problem, por në mes të saj qëndrojnë pyetje për rrezikun dhe cilësinë e pastrimit të qytetit. Nëse puna e saj nuk funksionon si duhet, kush do ta kontrollojë atë? A mund ta ndëshkojë bashkia veten? Kë do të ketë konkurrente ajo në punë dhe çfarë do të marrë si model për të pastruar më mirë zonat e qytetit? Do të bëjë ndarjen dhe garën me skuadrat e punëtorëve si dikur? Sa rrezikon ajo krijimin e monopoleve, jo vetëm në fushën e pastrimit, por edhe në atë energjetike, të gazit, përpunimit të ujit etj.?
Ata që kanë një biznes të këtij lloji, do të bënin mirë që të lexonin ekstraktin që ka depozituar “Eco Tirana” në Qendrën Kombëtare të Biznesit, e cila nuk e kufizon veten nga ofrimi i shërbimeve të tjera për qytetarët.
“Shoqëria mund të zhvillojë edhe veprimtaritë në vijim: manaxhimi i integruar i burimeve ujore, konkretisht: thithja, ngritja, transporti, trajtimi, shpërndarja dhe shitja e ujit për çfarëdolloj përdorimi dhe në çfarëdolloj forme, mbledhja, trajtimi dhe pastrimi i ujërave të ndotura dhe/ose i ujërave të shiut, ndërtimi dhe menaxhimi i impianteve për trajtimin dhe pastrimin e ujërave shkarkuese; projektimi, realizimi dhe menaxhimi i rezervuarëve artificialë dhe digave”, – thuhet në përshkrimin e aktivitetit të saj në QKB. Monopoli po rrezikon krijimin e monopoleve të tjera.
—————
Zgjidh ndotjen me kosto të ulët
Joleza Koka, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësuese e Partisë Socialiste
Menaxhimi nga kompania publike do të zgjidhë problemin e ndotjes në kryeqytet dhe me kosto më të ulët. Joleza Koka thotë se situata ishte emergjente dhe kërkonte zgjidhje. Bashkia e Veronës do të japë një përvojë shumë të mirë sqaron ajo.
Ju jeni anëtare e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, por edhe anëtare e Komisionit për Planifikimin, Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Territorit dhe Mjedisit, a mendoni se Tirana është një qytet i pastër?
Tirana sot është një qytet që për nga shtrirja në territor, si dhe fluksi i frekuentimit (flas këtu për atë të popullatës), për nevoja nga më të ndryshmet, mund të konsiderohet si një metropol, ku pa dyshim po të investigosh do të mund të gjesh edhe shmangie në kualitetin e shërbimeve që Bashkia e Tiranës ofron. Në këtë kontekst, po t’i referohesha edhe pyetjes tuaj, do të thoja se gjetëm një qytet i cili në vetvete lëngonte në cilësinë e shërbimit për të cilin po flasim. Skema e këtij shërbimi aktualisht quhet e kapërcyer, për faktin e vetëm sepse nuk mund të plotësojë në mënyrë esenciale detyrimet e bazës ligjore që rregullon këtë proces (mund të përmendim këtu detyrimin për fillimin e grumbullimit të ndarë të mbetjeve, statusin e kontejnerëve etj.)
Si iu është dukur deri tani menaxhimi dhe pastrimi i mbetjeve në kryeqytet nga firmat private?
Sikurse u shpreha edhe më sipër, skema e pastrimit të qytetit tashmë rezulton e kapërcyer si për nga ofrimi i standardeve, ashtu edhe për nga mbulimi i territorit. Jam e mendimit se nuk mund të kërkojmë apo të pretendojmë rritje të standardeve me këtë skemë, ku elementet bazë të saj si mjetet teknologjike, kapacitetet reale për të menaxhuar situata, niveli i kontejnerëve që shërbejnë për tërheqjen e mbetjeve si dhe disa elemente të tjerë parësorë e bëjnë këtë skemë tashmë të përfunduar. Duke qenë se gjetëm një shërbim totalisht të nënkontraktuar, i cili aktualisht mbulon në territor gati 80% të nevojave, pa llogaritur këtu rritjen e qytetit për efekt investimesh, them se shërbimi në fjalë duhet të riformatohet plotësisht e parë kjo edhe në nivele politikash mjedisore për të cilat Bashkia e Tiranës është totalisht e aktivizuar. E parë në këtë kontekst duhet të konsiderojmë çfarëdo oportuniteti që tregu ofron për të bërë të mundur përmirësimin e këtij shërbimi, qoftë edhe duke futur elemente të tjerë në kontekstin e menaxhimit të tij.
Mbrojtja e mjedisit dhe menaxhimi i mbetjeve është një nga problemet kryesore jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të Europës që kanë eksperienca më të mëdha në këtë fushë, sa mendoni se duhet të jenë fondet për pastrimin e saj dhe a duhet të rriten? Mund të bëni një krahasim se sa fonde mund të dojë nëse këtë detyrë e merr përsipër një ndërmarrje publike e menaxhuar nga pushteti lokal dhe shumës që marrin sot firmat pastruese?
Pa dyshim, ashtu sikurse edhe ju shpreheni problemi në fjalë përbën për Bashkinë e Tiranës prioritetin bazë në politikat ambientaliste të saj. Është detyrimi parësor i këtij stafi që t’i garantojë qytetit dhe qytetarëve të saj një cilësi jetese sa më të mirë në këtë territor. Pa dashur të shmangem nga pyetja do të thosha se aktualisht ky shërbim ka qenë i planifikuar që në tërësinë e zërave të nënkontraktuar të mbulohej nga tarifa e pastrimit që bashkia aplikon për të gjithë aktorët e kësaj skeme, duke filluar nga familjarët deri te bizneset. Tarifa në vetvete është e orientuar sipas parimit kush ndot më shumë duhet të paguajë më shumë. Problemi që ne kemi konstatuar konsistonte në kapacitete reale të grumbullimit të kësaj tarife, i cili në vitin 2015 rezultonte në masën 64-65%, ndërsa sot që flasim, falë edhe bashkëpunimit me ndërmarrjet e ujësjellësit (UKT), tarifa e pastrimit mblidhet nëpërmjet faturës së ujit. Këta tregues rezultojnë më të përmirësuar. Aktualisht, në funksion të skemës aktuale, si dhe kontratave ekzistuese të cilat ne i kemi gjetur aktive, ky zë në buxhetin e bashkisë zinte një vlerë deri në masën 10%. Për të mos dalë jashtë kontekstit të pyetjes, do të thosha që, së pari, mbetet detyrë e bashkisë të rrisë nivelet e arkëtimit të kësaj tarife. Së dyti, të konsiderojë çfarëdo lloj oportuniteti në nivel bashkëpunimi, me qëllim përmirësimin dhe afrimin e shërbimeve më cilësore. Pa dyshim, duhet të rishikohet në tërësinë e tij ky zë, por jo në mënyrë empirike. Unë jam e mendimit se ka ardhur koha që të kemi një manual të standardeve apo kostove që do të duhet të konsiderojmë në nivel kombëtar, në funksion të zgjidhjeve që jemi të detyruar të ndërmarrim, për përmirësimin e këtij shërbimi dhe sjelljen e tij në standarde bashkëkohore.
Për sa i takon pjesës së dytë të kësaj pyetjeje, do të sqaroja se rivlerësimi i skemës ekzistuese nga Bashkia e Tiranës, aktualisht nuk do të sjellë rritje të vlerave të parashikuara në buxhet për këtë shërbim, për faktin e vetëm se po bëjmë një rikonfigurim të territorit mbi të njëjtat zëra shërbimi, pra edhe kostoje, por duke futur standarde të reja në shërbim, si dhe duke bërë të mundur që për herë të parë të krijojmë terrenin për fillimin e grumbullimit të ndarë të mbetjeve, apo pse jo për zona të caktuara, edhe elementin e grumbullimit derë më derë.
Në qershor, Bashkia e Tiranës ka themeluar në Qendrën Kombëtare të Biznesit një kompani publike me pronësi të përbashkët me Bashkinë e Veronës për të marrë përsipër pastrimin e qytetit. Mendoni se do të zgjidhë problemin më shumë se sot ky menaxhim?
Gjetëm një skemë shërbimi të tejkaluar në kohë, dinamika e zhvillimit të qytetit, si dhe përfshirja e politikave të reja në këtë fushë na bënë që të konsideronim mundësinë e përmirësimit të këtij shërbimi nëpërmjet gjetjes së formave të bashkëpunimit me interes reciprok. Në rastin konkret, krijimi i kësaj ndërmarrje të përbashkët publike do të na japë mundësinë që të fillojmë një cikël të ri bashkëpunimi po me një ndërmarrje publike, por që zhvillon këtë aktivitet në një nga qytetet më elitare të Italisë, pra në Bashkinë e Veronës. Jemi të sigurt se kjo formë bashkëpunimi do të sjellë ndryshime esenciale në skemën aktuale, të gjitha investimet në rastin konkret që kanë të bëjnë me përmirësimin e standardit të mjeteve teknologjike aktualisht në shërbim për zonën në fjalë, do të mbulohen nga partneri italian, po kështu, sjellja dhe aktivizimi i kontejnerëve të rinj, falë të cilëve do të mund të fillojmë edhe procesin e grumbullimit të ndarë të mbetjeve në këtë territor, do të mbulohen në nivel investimi prej tyre, përmirësimi i skemës aktuale me futjen e koshave rrugorë, si dhe disa elementëve të tjerë esencialë do të mbulohen po prej tyre. Në këtë kontekst, forma e bashkëpunimit nuk rëndon aspak mbi buxhetin aktual të bashkisë, por përkundrazi i jep mundësinë kësaj të fundit që të sjellë elementë të rinj në këtë shërbim, duke bërë të mundur përmirësimin, si dhe përafrimin e tij në standarde bashkëkohore. Plotësimi i standardeve, si dhe i detyrimeve, janë pjesë e monitorimit të procesit nga afër dhe pa tjetër që do të shoqërohen me analiza dhe me vlerësime reale. Bashkëpunimi nuk presupozon ulje të standardeve apo detyrimeve reciproke.
Cila mund ta bëjë më mirë pastrimin, një kompani publike apo një kompani private?
Pa dyshim është një përvojë e parë, e cila ka referencat e saj në territorin përqark, rasti konkret në Italinë fqinjë, po kështu edhe në Kosovë, apo në vende të tjera. Ecuria e bashkëpunimit do të monitorohet, sa i plotësojnë detyrimet dhe për pasojë do të jetë objekt vlerësimi edhe në influencën në buxhet. Në këto kushte, unë do të thoja t’ia lëmë kohës dhe banorëve të qytetit të shprehen më realisht për këtë sipërmarrje të Bashkisë së Tiranës.
Jeni njohur me projektin e ri të pastrimit dhe si ju duket ai?
Jam njohur me projektin në fjalë, i cili ka marrë miratimin edhe nga Këshilli Bashkiak ku bëj pjesë. Për mua është një projekt ambicioz, falë të cilit do të mund të fillojmë ristrukturimin real të këtij shërbimi. Të gjitha investimet, të cilat realisht për buxhetin tonë përbëjnë problem planifikimi, do të mbulohen nga pala italiane. Fillimisht, projekti do të ndërhyjë në njërën nga zonat më elitare të qytetit, duke aktivizuar elementet bazë të fillimit të grumbullimit të ndarë të mbetjeve, do të konsistojë gjithashtu në sjelljen e një flote mjetesh të reja me parametra bashkëkohore, pra në vetvete projekti do të na japë mundësinë që të fillojmë plotësimin e elementeve bazë apo detyrimeve që ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane parashikon për pushtetin vendor.
———————
Kthim pas në kohë, që bëhet për interesa të ngushta të kompanive
Flet Leonard Olli, anëtar i Këshillit Bashkiak, Përfaqësues i Partisë Demokratike
Demokratët në Këshillin Bashkiak votuan kundër nismës për ndërtimin e një kompanie publike që do të menaxhojë pastrimin e qytetit. Leonard Olli sqaron se ky është një kthim pas në kohë, që bëhet për interesa të ngushta korruptive
Besoj se jeni njohur me nismën, e cila u miratua javën e shkuar në Këshillin Bashkiak për krijimin e një kompanie publike që do të marrë përsipër pastrimin e qytetit. Si ju duket?
E gjithë mënyra e organizimit dhe funksionimit të modelit të ri që duan të ndërtojnë me nismën për të krijuar një ndërmarrje publike, për të menaxhuar pastrimin e qytetit, është bërë në shkelje të të gjitha procedurave. Nuk na është shpërndarë materiali disa ditë para që ta studionim dhe të jepnim mendime ekspertësh, por është futur për miratim në mbledhje atë ditë. Çdo gjë është bërë në mungesë të plotë të transparencës.
Pasi u njohët me materialin, çfarë mendimi keni?
Unë jam i mendimit që ka tre probleme madhore në statutin e kompanisë, por dhe në mënyrën se si ajo do të funksionojë: krijon një version Partneritet Publik-Privat, pra ndërmarrje sh.a., ku pjesa e punës që do të marrë Bashkia është në shkelje të ligjit për konkurrencën e ndershme dhe të ligjit për prokurimet publike. Marrëveshja me palën italiane për pjesën që ajo do të futet të japë ndihmë dhe përvojë nuk është tenderuar, por është dhuruar. Ne nuk dimë nëse mund të ishte një institucion tjetër apo qoftë edhe një kompani private, që do ta bënte këtë më mirë se Bashkia e Veronës. Bashkia thotë se do të ruajë paketën kontrolluese prej 51%, por ne nuk e dimë këtë. Për sa kohë kompania do të menaxhojë mbetjet urbane, që janë pronë publike, duhet të tenderohej. Kjo sjell riskun se po favorizohen italianët, duke shkelur ligjin e konkurrencës në treg.
Mendoni se çështjen e menaxhimit të mbetjeve urbane mund ta bëjë më mirë privati apo publikja, në këtë rast Bashkia e Tiranës?
Në gjykimin tim individual, por edhe nga pikëpamja e filozofisë së Partisë Demokratike, më mirë këtë mund ta bëjë privati. Po të marrim edhe modelin e Bashkisë së Veronës, një pjesë të marrëdhënieve kontraktuale në këtë fushë ajo ua ka deleguar kompanive private. Prandaj këtu është frika mos thjesht po ndryshojnë klientët. Ajo duhet të respektojë kriteret dhe kushtet që përcakton ligji dhe nuk ka nevojë të krijojë organizma shtesë përmes kësaj kompanie.
Nëse nuk respektohet synimi dhe projekti që ka për pastrimin e Tiranës a ka penalitete, ndërprerje të kontratës etj.? Por nëse kjo kompani del me humbje çfarë do të ndodhë?
Një ide e krijimit të kësaj ndërmarrjeje publike mund të nxitë monopolet?
Kjo ndërmarrje bëhet për përpunimin e mbetjeve të integruara, në mënyrë që kur të ndërtojnë kompani për përpunimin e mbetjeve përmes një konsorciumi që mund të krijojnë nesër pasnesër, të marrin mbetjet që kanë mbledhur në qytet, t’i përpunojnë apo shesin dhe të sigurojnë fitim. Kështu rrezikohet dhe biznesi tjetër, ai i riciklimit. Këtu përfshirja e publikes kthehet në mburojën më të madhe të korrupsionit.
Sa i përket ndërprerjes së kontratave me dy kompani pastrimi që kanë dalë më të dobëtat në rezultate nga pyetjet që iu bënë qytetarëve, si ju duken si metoda?
Këto janë metoda bolshevike dhe më kujtojnë revolucionin kinez. Kjo është një tjetër mënyrë abuzive për të ndëshkuar kompani që nuk i përmbahen kushteve kontraktuale. Nëse ato nuk u përmbahen shko dhe bëji me proces ligjor, me audit etj. Problemi më i madh këtu është që qytetarëve mund t’iu merret një opinion, por jo të bazohesh për ndërprerjen e një kontrate. Këto janë kontrolle që iu bëheshin punëtorëve në kohën e diktaturës.
——————–
Pastrimi sa për show
Flet Sazan Guri, profesor në çështjet e mjedisit
Edhe pse qytetarët paguajnë çdo vit 30 milionë euro për pastrimin e qytetit, ata nuk e marrin shërbimin që kanë paguar. Sazan Guri thotë se tentativa për ta bërë nga një ndërmarrje private nuk i zgjidh çështjet e pastrimit të Tiranës
Mendoni se Tirana është një qytet i pastër?
Unë mendoj që Tirana nuk është absolutisht më e pastër se një vit më parë, me përjashtim të qendrës që ka një kujdesje më të madhe në konceptin e show-t. Kjo është normale për një kryeqytet si Tirana, por po të shohësh unazën e dytë e të tretë dhe periferinë është në të njëjtën gjendje si 20 vite më parë. Plehrat janë të pambledhura, kazanët janë po ata metalikë dhe jo plastikë, pa kapak, vetëm të lyer me ngjyrë portokalli. Është e njëjta mënyrë e mbledhjes, nuk ndahen mbetjet në burim, por të nakatosura shkojnë në një landfill për t’u groposur. Landfilli bën një ndarje, por mbetjet janë të papastra. Nëse ndahen në burim, plastika në kazan plastik, metali në kazan metalik, kjo do të ndryshonte. Këto nuk kanë sot vlerë për riciklim dhe u jepen kompanive që paguhen për këto punime, por nga një lloj ndotje shkojnë në një ndotje tjetër. Hapi i dytë i gabuar është për mbetjet që hidhen në landfillin e Sharrës. Ato nuk i nënshtrohen procesit të pastrimit ekologjik, ato thjesht hidhen, në një landfill të ashtuquajtur sepse gazrat shkarkohen në ajër, nuk pastrohen, por dhe ujërat acid që dalin nga poshtë duhet të pastroheshin dhe të hidheshin në lumin Erzen. Asnjëra prej këtyre nuk ndodh. Ai nuk është landfill ekologjik apo sanitar. Kjo ka qenë si situatë edhe në qeverisjen e shkuar. Mbledhja, transporti dhe hedhja janë në të njëjtin vend.
Nuk mendoni se ka ndonjë ndryshim apo përmirësim?
Të fshish rrugët me fshesa me xhami si në kohën e komunizmit. Nga ora 9:00 deri në 7:00 të mëngjesit pluhuri hidhet në ajër, mund të kishte automjete dhe fshirëse që pastrojnë qytetin.
Por ndërmarrja e re që po krijohet, mendoni se e zgjidh këtë problem?
Dhe kompania që vjen këtë bën, heq ato që ka pasur Bashkia dhe sjell të tijat. Nuk kam dëgjuar të ketë projekt paraprak për këtë punë.
Si mendoni ju, cila është mënyra e zgjidhjes së pastrimit të kryeqytetit?
Mbetjet duhet të ndaheshin në 5 kazanë: Një për të thatat, një për të lëngshmet, një për plastikën, një për metalet dhe një për të rrezikshmet elektronike. Në projekt, këta duhet të vinin medoemos kazanë plastikë. Filozofia që ndërton, logjika e bashkëpunimit me ekspertët, është ajo që ka rëndësi. U bë një vit e një muaj me këtë lloj qeverisje lokale dhe jemi tek i njëjti standard. Kompania që vjen gjen të njëjtën metodikë, ndryshon nga një e PD-së në një tjetër që e vendos PS-ja. Nëse vjen në shtator, ne duhet të ishim njohur 6 muaj përpara me projektin. Unë nuk di ndonjë ndryshim në filozofi. Duke qenë kompani e huaj ka shpenzime më të larta, sepse ka standarde private, se nuk do të vijnë kompanitë italiane. Do të vijë një kompani me kosto më të larta.
A do të shkurtohen kostot me këtë menaxhim?
Sot qytetarët në Tiranë paguajnë 30 milionë euro taksa. 1,000 euro është taksa për biznesin e madh sh.a. dhe sh.p.k., 20 mijë për 200 mijë biznese të vogla dhe 6 mijë për banorët. Kjo shkon 30 milionë euro. Ku janë investuar këto? Askund. Bashkia nuk i kthen qytetarit shërbimin e paguar, por vetëm 1/3 e tij. Sepse paguhen 30 milionë euro dhe investohen për pastrim vetëm 10 milionë. Qyteti do të ishte më i pastër dhe qytetari do të jetonte në një qytet model. Në këto kushte jemi të dhunuar, sepse paguajmë taksa europiane dhe marrim shërbim afrikan. Mbetjet nuk trajtohen më si mbetje por trajtohen si plehra.
Mendoni se modeli i Bashkisë së Veronës është një shembull që do të ndihmojë?
Ata e kanë me djegie termike. Mbetjet urbane kthehen në lëndë të djegshme urbane, por dyshoj të bëhet kjo këtu te ne. Se ne modelin e kemi me landfill dhe kemi një projekt në Bërxullë për të bërë një landfill tjetër. E ka të vështirë t’i nënshtrohet procesit me djegie Tirana dhe pastaj ka taksa më të larta./ Monitor