Institucioni i Avokatit të Popullit ka kritika të shumta për ligjin e qeverisë që votohet sot në parlament, e që synon të kapë median dhe të censurojë lirinë e shprehjes.
Avokati i Popullit shprehet se që nga prezantimi i draftit të parë, nga ana e qeverisë ka pasur mungesë të reflektimit konstruktiv. Në një analizë të ligjit, AP zbulon pjesët problematike të tij.
Në fund, shprehet se “ligji mbetet ende jo në përputhje me standardet ndërkombëtare”.
Analiza e AP
Institucioni i Avokatit të Popullit, në përmbushje të misionit të tij kushtetues, atë të mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka monitoruar në vazhdimësi diskutimet në organet shtetërore shqiptare si edhe rekomandimet e komentet e grupeve të interesit e partnerëve ndërkombëtarë, lidhur me ndryshimet ligjore të propozuara sa i përket shërbimeve mediatike në Republikën e Shqipërisë.
Kjo nismë e rëndësishme ligjore e cila lidhet drejtpërdrejt me lirinë e shprehjes, ka hasur jo pak kundërshti nga grupet e interesit, organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare, nisur jo vetëm nga përmbajtja e dispozitave dhe detyrimet që ato sansksionojnë, por edhe nga informacioni i munguar në lidhje me draftin përfundimtar i cili po paraqitet në Kuvend.
Me gjithë përmirësimet që janë pasqyruar në projekt-ligj nga varianti i parë i paraqitur për miratim si propozim i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në përgjithësi vlerësojmë se ka pasur mungesë të reflektimit konstruktiv. Projekt-ligji synon rregullimin e veprimtarisë së portaleve online përmes një kornize ligjore, arritjen e një ekuilibri ndërmjet qasjes në shërbimet e përmbajtjes online, mbrojtjen e konsumatorit dhe konkurrencës, garantimin e të drejtave të njeriut, respektimin e të drejtave të autorit, arritjen e një gazetarie profesionale, të lirë dhe të pavarur, si edhe respektimin dhe garantimin e së drejtës së jetës private, moslejimin e transmetimeve që nxisin intolerancë, gjuhë urrejtje dhe dhunë në shoqëri.
Si institucion kombëtar i të drejtave të njeriut në Republikën e Shqipërisë, Avokati i Popullit vlerëson se duhet të ekzistojë një balancë e mirë strukturuar në raportin mes të drejtave dhe lirive themelore të individëve nga njëra anë, dhe lirisë së medias nga ana tjetër.
Nisma legjislative për ndryshimin e ligjeve nr. 97/2013, “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfshin një sërë çështjesh të cilat nuk duhet të mbahen larg vëmendjes dhe duhet të rishikohen për të mundësuar garantimin e lirisë së shprehjes në përputhje me standardet më të larta, si edhe me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare për këtë çështje.
Procedura administrative e shqyrtimit të ankesave, e cila parashikohet në këtë propozim, nuk ofron garanci për një vendimmarrje objektive e të paanshme, në përputhje me detyrimin për respektimin e lirisë së medias për t’u shprehur. Veshja e një organi administrativ si AMA me kompetenca kuazi-gjyqësore nuk ofron garanci kushtetuese të mjaftueshme për paanshmërinë e këtij institucioni, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se Bordi i AMA zgjidhet nga Kuvendi, dhe është pikërisht ky organ i cili do të përzgjedhë edhe përbërjen e Këshillit të Ankesave, strukturë kjo e cila do të ketë në dorë vendimmarrjen në përfundim të shqyrtimit të ankimeve ndaj operatorëve të shërbimeve elektronike. Ndonëse në variantin përfundimtar të projekt-ligjit është parashikuar që përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit bazohet në rregullat e konkurrueshmërisë, si edhe që ky Këshill do të ketë në përbërje juristë, vlerësojmë se nevojitet garanci që kapacitetet dhe përgatitja profesionale teknike e këtij këshilli të jenë në nivelin e duhur për të ushtruar funksionet e ngjashme me ato të një gjykate.
Për këtë arsye, rekomandohet që të gjendet një mekanizëm/organ tjetër i cili të kryejë këto funksione. Veçanërisht duhet të mbahet në konsideratë që ky organ duhet të jetë jashtë organit të AMA.
Po kështu, nga kjo nismë mbeten të paqarta një sërë çështjesh të lidhura me karakterin subjektiv të ankesës, të tilla si: (1) burimi për të kuptuar se lajmi është i rremë; (2) përcaktimi dhe matja e masivitetit të problematikës; (3) vërtetimi i lajmit të pavërtetë, niveli dhe kufijtë e tij; (4) provueshmëria e fajësisë për deklarimin e pavërtetë; (5) vërtetimi se janë kryer kërkime të mjaftueshme për të provuar vërtetësinë e lajmit apo informacionit para publikimit të tij; (6) rrethanat në të cilat do të mund të kryejë Këshilli i Ankesave një hetim të mirëfilltë për të konkluduar se rasti në fjalë përbën lajm të pavërtetë dhe deri në ç’masë ai është i rremë, se cila është masa e fajit, e pasojave dhe dëmit të shkaktuar.
Të gjitha këtyre çështjeve të cilat nuk gjejnë zgjidhje për të ofruar një garanci kushtetuese në lidhje me një proces administrativ transparent, objektiv e të paanshëm u shtohet edhe problematika e afatit tepër të ngushtë prej 72 orësh që Këshilli i Ankesave ka në dispozicion për të marrë vendim lidhur me një ankesë, duke vendosur në dyshim mundësinë për të shteruar një hetim të mirëfilltë administrativ brenda një afati kaq të shkurtër.
Ndonëse vërehet se në variantin përfundimtar të projekt-ligjit i cili do të kalojë për shqyrtim në Kuvend ka pasur disa ndryshime në drejtim të masave që mund të marrë AMA ndaj operatorëve, duhet theksuar se gjithsesi sanksionet dhe tarifat e gjobave të parashikuara nga projekt-ligji, janë tepër të larta dhe aplikimi i tyre do të vendoste operatorët që ofrojnë shërbime të publikimeve elektronike në pozita të pabarabarta. Në aplikimin e këtyre sanksioneve duhet të sigurohet respektimi i parimit të proporcionalitetit, duke mbajtur në vëmendje jo vetëm kapacitetet e kapitalin (madhësinë) e ofruesve të shërbimeve të publikimit elektronik, por edhe shkeljen e kryer nga operatorët. Në këtë drejtim rekomandojmë rishikimin e dipozitave në fjalë, me qëllim që sanksionet të vendosen në përputhje me kapacitetet e ofruesve të shërbimeve të publikimit elektronik, si edhe me rëndësinë apo pasojat e shkeljes së kryer.
Edhe parashikimi sipas të cilit vendimet e Këshillit të Ankesave bëhen menjëherë të ekzekutueshme, mendojmë se duhet të ndryshojë. Ky ndryshim duhet bërë duke parashikuar se këto vendime bëhen të ekzekutueshme vetëm pas kalimit të afateve procedurale për ankimin administrativ apo gjyqësor, e në rast se çështja bëhet objekt i shqyrtimit gjyqësor, vendimet duhet të bëhen të ekzekutueshme vetëm pasi vendimi i Gjykatës të marrë formë të prerë. Në këtë pikë vlen të sillet në vëmendje se bazuar në ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” (neni 45/a), nuk lejohet ankim ndaj vendimeve përfundimtare të gjykatës administrative për padi me objekt kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi. Referuar masës së sanskioneve në formën e gjobës të parashikuar nga projekt-ligji, rezulton se çështja e cila do të jetë objekt i shqyrtimit gjyqësor në pjesën më të madhe të rasteve do të klasifikohej nën parashikimin e kësaj dispozite, e për rrjedhojë vendimi i Gjykatës Adminisrative të Shkallës së Parë të do të jetë i formës së prerë dhe i paankimueshëm, duke mos shkaktuar tejzgjatjen apo zvarritjen e afateve të shqyrtimit gjyqësor, por ndërkohë duke garantuar respektimin e një të drejte themelore, atë të procesit të rregullt ligjor.
Në lidhje me detyrimin për regjistrimin dhe identifikimin e operatorëve të shërbimeve të publikimeve elektronike, si edhe me detyrimin për të publikuar formulën e korrigjimit të përmbajtjes, vlerësojmë se është një detyrim/parashikim proporcional dhe i duhur që do të rriste përgjegjshmërinë e mediave për të raportuar të vërtetën, për aq kohë sa ligji do të zbatohet me drejtësi e paanësi në këtë pikë.
Ky projekt-ligj nuk ofron garancitë e pranuara nga standardet ndërkombëtare për ushtrimin e rolit të medias dhe të gazetarëve si burime të indicies për hetime të mëtejshme në lidhje me çështje të caktuara. Në thelb filozofia e lirisë së medias si pushtet i katërt është pikërisht pushteti kontrollues përkundrejt pushtetit shtetëror. Vëzhgimi objektiv, transparent dhe kritik i proceseve politike nga ana e mediave inkurajon transparencën e tyre, shërben si presion ndaj shteteve për përmirësimin e qeverisjes dhe garanton që qeveritë t’iu përmbahen politikave që janë në dobi të shoqërisë ose të shumicës së saj, pa u lënë atyre mundësi që të bëhen shprehëse dhe bartëse të interesave të ngushta të forcave politike në pushtet, ose të grupeve të caktuara të individëve.
Si përfundim, vërejmë se edhe në draft-in e projektligjit të bërë publik pasditen e datës 17 Dhjetor, ligji mbetet ende jo në përputhje me standardet ndërkombëtare, siç dhe u bë publike sot nga delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Komisionerja për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Evropës, qendrime të cilat kanë ardhur pas komenteve të bëra pak ditë më parë edhe nga Harlem Desir, i cili është përfaqësues i OSBE për lirinë e medias.