Kendra Scott lindur dhe e rritur në Uiskonsin, u shpërngul në Teksas në moshën 18 vjeçare, për të vazhduar universitetin por e la shkollën një vit më pas, “për të ndjekur një djalë”, dhe përfundoi duke jetuar në Austin, kryeqytetin e Teksasit.
Shtatzënë dhe me burrin pa punë, Kendra Scott duhej të gjente një mënyrë për të bërë para.
Teksa rrinte shtrirë në shtëpinë e saj, në Austin, Teksas, duke pritur të afronte dita për lindjen e fëmijës së parë, Kendra nisi të vizatojë modele stolish.
Kjo ndodhi në vitin 2002, kur ajo ishte 28 vjeçe dhe kishte vetëm 500 dollarë mënjanë, me të cilat duhej të provonte të hapte një biznes.
Pas lindjes, ajo vendosi të dalë bashkë me djalin dyqan më dyqan, për të shitur vathë e stoli të tjera.
Ideja për stolitë i erdhi pasi kuptoi që ekzistonte një boshllëk i madh në treg. Shumica e stolive ishin ose shumë të shtrenjta, ose shumë të lira, me pak kompani që të ishin midis.
“Pasi krijova koleksionin e parë, lidha djalin pas vetes me mbajtëse trupi dhe i futa shembujt e stolive në një kuti çaji”, thotë Scott, tani 44 vjeçe.
“Shkuam dyqan më dyqan, nëpër butikët e Austinit, për të shitur stolitë. I shita të gjitha që ditën e parë. Aty u bëra me biznes”, thotë ajo.
Fillimisht e nisi duke furnizuar dyqane të tjera, pa hapur ndonjë të vetin. Kështu, Kendra Scott Design u rrit me ngadalë, por qëndrueshëm.
“I përqendrova forcat për të ngritur një ekip me njerëz të talentuar, të cilët më ndihmuan të ngre biznesin. Shtatë prej punonjëseve të para, të gjitha gra, vazhdojnë të punojnë me mua edhe sot”, thotë ajo.
Klientët nxiten t’i provojnë stolitë e madje të krijojnë të tyret, duke përzier gurë të ndryshëm me vathë, gjerdanë, byzylykë e unaza.
Sot ka rreth 80 dyqane në të gjithë SHBA-në dhe një faqe interneti që i dërgon porositë në të gjithë botën. Veç kësaj, stolitë e saj mbahen edhe në dyqane jashtë Amerikës, si Selfridges në Londër.
Stafi i Kendra Scott ofron 2000 orë punë vullnetare dhe dyqanet e saj nëpër SHBA kanë organizuar rreth 10,000 ceremoni për mbledhje fondesh për bamirësi.
Kendra Scott Design ofron leje lindjeje edhe për punëtorët me kohë të pjesshme, ofron ndihma financiare për birësim dhe për trajtime mjekësore për gratë që nuk lindin fëmijë, si dhe një fond që mbështet familjet në kohë krize. Stafit i lejohet t’i marrin bebet dhe fëmijët në punë, gjithashtu.
Scott thotë se ajo u përforcua duke punësuar njerëz të mirë, të cilët e ndihmuan ta rrisë biznesin në Austin, pavarësisht sfidave në jetën e saj personale. Martesa e saj e parë mbaroi pasi lindi fëmijën e dytë.
Kompania e znjsh.Scott sot vlen 1 miliard dollarë, dhe pasuria e saj është rreth 500 milionë.
Kompania ka sot 2000 punëtorë,96% prej të cilëve janë femra. Edhe pse tani ka mbështetjen e kompanive të tjera investuese, znjsh.Scott mbetet pronarja kryesore.
“Kendra është si njëbrirëshi magjik në industrinë tonë.”, thotë Karen Giberson, presidente e Këshillit të Aksesorëve, një dhomë tregtie që përfaqëson markat e aksesorëve të modës. “Ajo sfidon rrymën e përgjithshme. Kur e sheh, pyet veten se pse kjo markë po zhvillohet, kur të tjerat janë në vështirësi?”
Në listën e grave më të pasura në Amerikë, për vitin 2017, ajo ishte në vendin e 36-të, më lart se këngëtare si Taylor Swift apo Beyonce.