Një shpërthim ka ndodhur në fshatin Krastë të Krujës ditën e djeshme. Sipas Policisë, brenda një biznesi që tregton panele diellore ishte vënë një sasi lëndë plasëse artizanale.
Policia dyshon se ajo është vendosur nga roja i biznesit, Arben Tali, 35 vjeç, i cili është arrestuar. Ky i fundit ka qenë roje në momentin kur ka ndodhur shpërthimi.
Gjithashtu, nga veprimet e imtësishme hetimore dyshohet se lëndën plasëse mund ta ketë vendosur vetë 35-vjeçari, në shenjë presioni për shpërblim nga ana e pronarit të panelit diellor.
Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Tali është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës.