Nga Artan FUGA
Përveç llaçit të fortë…
————–
Përmbi të gjitha kundër tërmeteve dhe shkatërrimeve të tyre na duhej një pushtet lokal, një demokraci vendore, një kontroll qytetar i fortë mbi territorin që SHOQËRIA PIRAMIDALE i ka zbehur tej maset!
Si e shpëtuam shpirtin duke i thënë të gjitha (Sipas një botimi shumë të përmbledhur në fcb në 18 korrik 2014) Fol e mos u dëgjo! Bëj studime dhe u injoro!
——————————-
Si e kuptoj filozofikisht reformën territoriale?
Para disa vjetësh bashkë me një grup kolegësh ju futëm një studimi lidhur me dinamikat dhe strategjitë e administrimit të territorit në zonën bregdetare të Shqipërisë. Kishim me vete edhe një grup studentësh për të bërë sondazhe opinioni.
Cilin nuk takuam nga përfaqësuesit e pushtetit lokal atëherë ! Ideja ishte të kuptonin se përse kishte pasur kaq shumë betonizim, përse nuk përkujdesej kush për kanalizimet e ujrave të zeza dhe të ujit të pijshëm, përse ajri, deti dhe rëra ishin kaq të ndotur, përse sezoni i plazheve ishte kaq i ngushtë në kohë e të tjera si këto. Ky studim m’u kujtua tani kur flitet për reformën territoriale. Në mendje m’u përsollën disa nga problemet që hasëm atëherë dhe duke mos marrë dijeni nëse sot ka ndonjë studim tjetër më të mirë se ai i asaj kohe, thashë të ndaj me lexuesin disa nga shqetësimet e shkuara, që sot qëndrojnë të fjetura në dosjet e arkivuara në bibliotekat tona.
Takuam shumë aktorë të terreni në atë kohë, banorë të thjeshtë, nëpunës komunash, sipërmarrës, shitësa. Të vetmit që nuk takuam ishin ish-pronarët, pronarët legjitimë të tokave, që ndonëse në letër u ishte njohur prona, faktikisht, kishin mbetur me gisht në gojë sepse prona e tyre ishte ndarë fshatçe. Asnjë për be nuk takuam atëhere, dhe nuk kishte si t’i takonim meqë ata nuk i përfill askush, as për t’u marrë mendim, as për të qenë edhe ata bashkëpjesëmarrës në ndarjen e re territoriale meqë pronë e tyre, juridike, ndonëse jo faktike ende, është edhe një pjesë e tokave që formojnë administrativisht territoret lokale shqiptare.
E kush i qaste dhe i qas në derë ata !
Unë nuk e di nëse është bërë rivlerësimi i pasurive që ndodhen të integruara në territorin shqiptar. A ka një kadastrim dhe vlerësim financiar real dhe të aktualizuar të pasurive? E them këtë sepse territori nuk është vetëm sipërfaqja e sheshtë e tokës. Ky do të ishte një konceptim shumë i sipërfaqshëm i territorit. Pra, mbi këtë bazë duhet hequr dorë vetëm nga vlerësimi horizontal i pasurive, sepse kështu mungon dimensioni vertikal, poaq i rëndësishëm sidomos në kushtet që ndodhemi. Nëse nuk vlerësohen pasuritë horizontale dhe vertikalisht në territor, sipas kritereve të sotme të vlerësimit, ne rrezikojmë të krijojmë pabarazi të mëdha midis komunave dhe rajoneve, midis zonave të ndryshme gjeografike. Edhe tani dëgjoj shpesh që kur flasim për përmasat e rajoneve dhe të ndarjeve administrative, barazitë dhe pabarazitë maten vetëm me një kut të vjetër dhe gjithmonë horizontal. Më kujtohet që në atë kohë shihja harta të vjetra, të kohës të monizmit, varur në zyra kadastrash komunash apo bashkish, ku zonat e rërës, ku sot shtrihen plazhet e dendur, quheshin ende me gjuhën e vjetër si “toka të padobishme ekonomikisht”. Ajo që dikur quhej e pashfrytëzueshme sot përbën një pasuri ndofta përrallore. Aty mund të tërhiqen turistët që kanë lekë.
Pa u rivlerësuar pasuria, thoshim ne atëhere me kolegët Teuta Starova dhe Zyhdi Dervishi, është mirë të mos mendohet një ndarje tjetër territoriale sepse mund të jetë e padrejtë, ku askush nuk do të kuptojë se çfarë ka marrë, çfarë i kanë marrë, çfarë ka dhënë dhe çfarë mund të japë për të marrë diçka tjetër. Sepse sipas nesh atëhere territori i zonave bregdetare nuk mund të ndahej sipas logjikës administruese nga ekonomia e turizmit sidomos nga ekonomia e turizmit bregdetar veror. Mendonim përshembull se ritmet e rritjes të produktit kombëtar për frymë në këto zona ishin të larta, por nuk duhej të ishin në fakt aq të larta sepse nuk duhej të ishin artificiale. Një pjesë e tyre mbahej në ato nivele shumë të larta për shkak të normës të rritjes të pasurisë nga ndërtimet e larta dhe të betonta që në fakt prishnin cilësinë e plazheve dhe për rrjedhojë ulnin dhe vlerën e ndërtimeve të bëra. Po ashtu, një pjesë e popullsisë turistike kishin prirje t’i blinin apartamentet. Kjo sillte para në banka, mbushte xhepat e pronarëve të tokave, por nga ana tjetër ulte burimet e mëvonshme të rendimentit financiar të industrisë të turizmit meqë turistët e ardhshëm nuk do të vinin më në hotele ose në dhoma me qira, por do të banonin në apartamentet e tyre, të shfrytëzuara vetëm në disa javë të verës.
Mbi këtë bazë, territori i këtyre zonave nuk kishte vetëm karakter hapësinor, por mbarte edhe njê përmasë kohore, nuk ishte i njejti në çdo stinë, s’kishte të njejtën vlerë në çdo stinë, pra ishte i shtrirë jo vetëm në sipërfaqe, por edhe në kohë, jetonte në kohë, ndryshe natën dhe ndryshe ditën, ndryshe gjatë ditëve të javës dhe ndryshe gjatë fundjavës, ndryshe në verë dhe ndryshe në vjeshtë a në dimër, ndryshe në ditë të zakonshme dhe ndryshe në ditët e Ramazanit apo të Kreshmëve. Ne flisnim atëherë për ekonomi të kohës dhe jo vetëm të degës, pra për dyqane që hapeshin vetëm 45 ditë në vit, restorante që punojnë 45 ditë në vit e kështu me rradhë. Ndërtimet informale bënin kërdinë dhe shihnim që shpesh pushtete të ndryshme lokale kishin një sjellje paradoksale, nga njera anë edhe e luftonin informalitetin e ndërtimeve, por nga ana tjetër edhe e toleronin, në mos e nxisnin këtë informalitet. Pse?
Sepse ata fitonin në buxhetet e tyre në të dyja rastet. Pra, fitonin edhe kur ndërtues informalë ngrinin mbi rërë hotelet dhe ndërtesat e tyre për shitje, sepse merrnin taksa nga fitimet e tyre, por edhe i gjobisnin për ndërtimet pa leje nga Velipoja në Shëngjin, Patok, Golem, Divjakë, Seman, e deri në Borshin a Jalin e largët. Shpesh dinamikat territoriale dhe konfigurimi vertikal i pejsazhit territorial varet nga bashkëveprimi i dyshes bashkëvepruese dhe të ndërvarur: informalitet – gjoba. Ku informaliteti është burim buxhetesh lokale, po aq sa edhe taksat e ardhura nga shfrytëzimi i ndërtimeve formale ose të legalizuara. Mbi këtë bazë si kudo ndodhi edhe transformimi i ekonomisë dhe i pasurisë territoriale, të cilat u shndërruan nga hapësira bujqësore në hapësira rurale. Pra na duhet një nëndarje e re konceptuale, në fakt një nëndarje krahas shumë të se tjerave, ndarja hapësirë rurale, sikurse edhe hapësirë periurbane, e kështu me rradhë.
Ku është hapësira rurale dhe ku është hapësira bujqësore?
Na duhen kritere për ta bërë këtë ndarje ekonomike dhe financiare përpara sesa të bëjmë ndarjen hapësinore të territorit – thoshim ne atëhere. Parë me këtë sy ne vinim re se zonat e urbanizuara turistike, e plazheve të verës, ishin nën varësinë administrative të komunave bujqësore ose rurale të kohës “të qepës”, pra që edhe nga pikëpamja e fuqisë të kompetencave, e burimeve njerëzore, e pajisjeve, etj., trajtoheshin dhe trajtohen ende si këshilla popullore që mbulonin veprimtaritë ekonomike të kooperativave bujqësore të dikurshme. Pra, zonat më pranë globalizimit, që presin më shumë turistë të huaj, që tërheqin paranë e ardhur nga tregu global, janë nën administrimin e komunave rurale, pa mjetet dhe personelin e duhur për ta kryer këtë punë.
Në këtë mënyrë ne vumë re se pabarazitë pasurore dhe ekonomike në territorin shqiptar nuk karakterizonin vetëm zonat e ndara gjeografikisht, por ndodheshin edhe pranë e pranë, mbivendoseshin brenda të njejtit territor komunal. Zona kodrinore që merrte tërë përkujdesjen e buxhetit komunal, por nga ku nxirreshin fare pak burime financiare, meqë taksa e të ardhurave bujqësore pothuajse realisht ishte e paqënë dhe e pangritur, dhe zona e plazheve nën administrimin komunal përkatës, ku investimet e buxhetit komunal ishin pothuajse të paqëna, kurse burimet nga ku ky i fundit furnizohej ishin maksimale.
Pyetja jonë ishte se përse buxhetet komunale shkonin për rrugë, ura, çerdhe, kopshte, kanalizime, etj., në zonat kodrinore, pas rrugës të trenit apo të veturave, kurse në buzë të deteve nuk shkonte pothuajse asgjë? E zbuluam më në fund meqë gjetëm, në fakt na e sugjeruan idenë, të vërtetën, se ndarja dhe konfigurimi territorial nuk mund të shkëputen nga harta elektorale e vendit. Kush bën neglizhentin për këtë gjë, gjoja nën presionin për të bërë një ndarje territoriale që nuk ndikohet nga politika, vërtetë është mirë meqë nuk dëshëron të ndikojë sipas thënieve rezultatin e votimeve, por nga ana tjetër nuk mund të shmangë ndikimin elektoral mbi politikat territoriale. Në të gjitha komunat ruralo-bujqësore elektorati që voton ndodhet në kodër e mal, kryesisht përtej vijës së plazheve prandaj edhe influencat politiko-elektoraliste, mekanizmi normal demokratik i shpërndarjes të fondeve të buxheteve publike lokale, e tërheqin investimin publik lokal në këto hapësira dhe pothuajse aspak te zona e plazheve, ku ka pushues, por nuk ka qytetarë.
Pushuesi nuk konsiderohet banor, kurse banori nuk konsiderohet qytetar me të drejta politike në këto zona, ndonëse kontribuon atje me taksa e pasuri, ndonëse është aktor i rëndësishëm ekonomik i zonës, sepse ai atje nuk ka të drejta votimi. Prandaj hapësira territoriale do të shpërndahej si duhet dhe do të zhvillohej si duhet vetëm nëse do të shtoheshin dhe zhvilloheshin të drejtat politike individuale duke i dhënë të drejtën atij që ka një pronë e pasuri diku të zgjedhë nëse dëshëron të votojë herëpashere edhe atje, apo atje ku ka banesën e vet parësore. Këto zona turistike ose duhet të trajtohen si qyteza më vete, ose si bashki a komuna më vete, ose të formojnë bashkësi komunash, por në çdo rast kjo do të binte ndesh me një pjesë të konisderueshme të elektoratit rural që nuk do të donte që mali dhe kodra të humbasë kontrollin mbi rërën dhe detin.
Prandaj mendoj sipas shënimeve të vjetra të mia se një reformë e mirë territoriale, sikurse ndodh gjithmonë me politikat e mira, do të binte ndesh me interesa elektorale të fuqisë politike që e ndërmerr atë. Prandaj kjo lloj reforme është e bllokuar prej vitesh.
Sepse tanipërtani popullsia e disa zonave malore dhe kodrinore, të zgjedhurit lokalë të së cilës kontrollojnë territoret më të pasura burimore dhe financiare te vendit, nuk e sheh detin dhe rërën si pasuri për t’i përdorur për vete, më vonë ndoshta, por tani jo akoma. Prandaj i konsideron si mjete për shfrytëzim, por jo edhe si të mira për përdorim. Kêtej vjen edhe një shfrytëzim eksesiv i tyre, i ashpër, brutal, jo mbi bazën e logjikës të zhvillimit të qendrueshëm, por si “lopë” që duhen mjelë sa më shpejt, pa pyetur se “qumështi” i tyre kështu shteron. Territori është pra edhe një realitet i perceptuar, nuk është thjesht një hapësirë objektive dhe materiale, por edhe një realitet i ndjerë, një gjendje mendore, një perceptim publik kolektiv sipas komuniteteve lokale.
Nga kjo pikëpamje edhe decentralizimi i kompetencave në administrimin e territorit duhet të mendohet mirë, të ketë caqet e veta, të kombinohet me kontrollin qendror, sepse jo medoemos një komunitet lokal e administron më mirë një pasuri që ka shtrirje lokale, por përbën njê pasuri kombëtare dhe prioritare për ekonominë kombëtare. Zonën turistike e kanë keqmbajtur pikërisht kolektivat lokale në kushtet e një disbalancimi midis kompetencave lokale dhe atyre qendrore. Administrimi i territorit dhe shpërndarja e re e konfigurimit territorial nuk mund të kuptohet edhe pa parë shpërndarjen demografike në hartën e vendit. Mirëpo nuk duhet gjykuar me kushtet e sotme kur sipërfaqe të territorit janë boshatisur për shkak të dendësimit demografik artificial në disa zona të përqendruara urbane. Ka një shpërpjestim ekstrem midis shtrirjes të pasurive natyrore kombëtare në të gjithë territorin e vendit dhe përqendrimit demografik ekstrem në zona të ngushta territoriale që lidhen me disa qytete kryesore të vendit. Por, kjo e dëmton ekonominë kombëtare si edhe është një pengesë për zhvillimin e shumë territoreve. ndaj nuk duhen konsideruar si zona të boshatisurä disa zona që humbasin peshën e tyre specifike në ndarjen e re territoriale nisur nga fakti se kanë pak popullsi.
Nëse duam që ato të popullohen, është e domosdoshme që atje të ketë kompetenca pushtetore, njësi pushteti lokal, njësi ku realizohen të drejta qytetare. Kjo do të përbënte një mekanizëm administrativ dhe politik rikthimi të njeriut shqiptar te toka, te lumi, te deti, te luadhet, te blegtoria, te pylli. Pesha elektorale e vendit, sipas përvojave më të mira botërore, nuk duhet përcaktuar vetëm nga dendësia demografike, por edhe nga pesha e hapësirave që me kohë do të ripopullohen nëse ka politika të mënçura dhe aftagjata zhvillimi. Përndryshe vendi humbet stabilitetin politik duke u bërë preh e dinamikave psikologjike vetëm të turmave urbane. Aq më tepër që territori i ndarë e i rindarë kërkon që zonat të jenë edhe unitete gjeografike nga klima, nga rrjedha e lumenjve, nga pasuritë nëntokësore për të zgjidhur probleme globale e ku pushteti krahinor, zonal, të mos jetë arena e përplasjes të interesave të komunave rurale, por qendra vendimarrëse sa demokratike aq edhe racionale e të dinë të ngrihen mbi interesat e vockla lokaliste.