Nga Boldnews.al
Në një kohë kur mijëra të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit presin “dorën e shtetit”, ata, të paktën për momentin, duhet të mjaftohen vetëm me prezencën e tepruar të kryeministrit Edi Rama.
Shefi i Qeverisë po mundohet të plotësojë boshllëqet e menaxhimit të situatës, me takimet e tij populiste, të cilat nuk sjellin asnjë dobi për qytetarët e traumatizuar nga sizma e fortë që ndodhi në Shqipëri mëngjesin e të Martës dhe që u pasua me një seri të gjatë pas-goditjesh.
Rama shfaqet i përulur para njerëzve, miqësor, babaxhan dhe si njeriu, i cili ka në dorë të përmirësojë jetën e të dëmtuarve. Por ai nuk ka asnjë përgjigje për përgjegjësitë e qeverisë së tij për marrjen e masave paraprake për zbutjen e pasojave, sidomos pas tërmetit të Shtatorit 2019.
Ku janë pajisjet e dhuruara nga Gjermania?
Orët e para pas tërmetit dëshmuan paaftësinë totale të strukturave shtetërore për t’iu përgjigjur emergjencave natyrore. Kishte një vullnet shumë të madh, sidomos të forcave policore, zjarrëfikëse e atyre operacionale për të ndihmuar këdo që gjendej nën rrënoja.
Por, ata kishin vetëm vullnetin njerëzor dhe solidar, pasi nuk kishin asnjë mjet në dispozicion. Madje, nuk kishin as ato mjete, për të cilat vetëm pak ditë para tërmetit, më 22 Nëntor, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i pranoi si ndihmë bujare nga autoritetet gjermane.
Në një takim, natyrisht të natyrës propagandandistike, Lleshaj deklaroi se “paketa që ne sot marrim në dorëzim është një paketë, e cila i adresohet Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat tradicionalisht janë angazhuar edhe në përballimin e situatave të emergjencës civile”, siç raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Deklaratat e Lleshajt ka një të vërtetë brenda saj. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë qenë ndër strukturat më efikase për të reaguar në situata të vështira, ashtu siç ndodhi edhe në tërmetin e fundit. Por, këto forca të posaçme, ashtu si edhe të tjerat, nuk kishin në dispozicion të tyre “atë paketë që mori në dorëzim Ministria e Brendshme”.
Reporterët e “Boldnews.al” në terren, si edhe shumë kolegë të tjerë të medias, nuk konstatuan që këto pajisje speciale të ishin në funksion nga autoritetet shqiptare. Pajisjet speciale u panë vetëm kur mbërritën ekspertë kosovarë, kroatë, italianë e të vendeve të tjera, të cilët iu gjendën pranë qytetarëve shqiptarë.
Krahasimi me fqinjët
Menjëherë pas tërmetit shkatërrues, vendet fqinje kryesisht, dërguan forcat e tyre të specializuara për emergjenca humanitare, në kuadër të marrëveshjes “Joint Reaction”.
Vetëm një muaj para Tërmetit, në Tetor 2019, në Shqipëri u zhvillua një stërvitje rajonale “Joint Reaction 2019”, nën drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Qëllimi i kësaj stërvitjeje ishte stimulimi i një reagimi rajonal, në rastet e fatkeqësive natyrore në ndonjë prej vendeve fqinje. Natyrisht, edhe në këtë rast, stërvitja u shoqërua me propagandën tipike qeveritare, përfshirë edhe pamjet video të një cilësie të lartë.
“Joint Reaction” funksinoi në këtë rast, kur e dëmtuara ishte Shqipëria. Por, duket qartë që autoritetet shqiptare janë të paafta t’u ofrojnë ndihmë të ngjashme vendeve fqinje. Kjo u pa qartë në terren pas tërmetit, kur forcat ndërhyrëse të vendit tonë, përveç duarve dhe ndonjë mjeti të rëndë, nuk kishin asnjë pajisje efikase për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat.
IGJEUM, thuajse jashtë loje
Në këto ditë të pas-tërmetit, kishte një detaj periferik, por që tregonte shumë për situatën e rëndë të institucioneve shqiptare.
Mijëra qytetarë, të tronditur nga sizmat e pas-goditjeje, kërkonin përgjigje tek raportimet e “Qendrës Sizmiologjike të Europës Mesdhetare-EMSC” për magnitudat e tyre.
Madje, edhe një lloj qetësimi i përgjithshëm erdhi po nga “EMSC”, kur raportoi pasditen e së Premtes se pas-goditjet po shkojnë drejt shuarjes.
Qytetarët shqiptarë iu drejtuan këtij portali, si një burim i besueshëm për situatën në Shqipëri, pavarësisht se vendi ynë ka një institucion të specializuar për të dhënë përgjigje mbi tërmetet- Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujërave dhe Mjedisit-i njohur gjerësisht si IGJEUM.
Por, ky institucion, pavarësisht se ka përmbledhur në të disa prej kapaciteteve më të mira njerëzorë, sërish është jashtë mundësive për t’iu përgjigjur si duhet interesimit publik. IGJEUM, aktualisht, ka një mungesë të madhe pajisjesh, të cilat bëjnë të mundur monitorimin e situatës.
Andrea Maliqari, Rektori i Univerisitetit Politeknik të Tiranës, i cili ka në varësi IGJEUM, tregoi vetëm pak javë më parë për problematikat e këtij institucioni të specializuar.
Në një intervistë për televizionin “Klan”, Maliqari pranon situatën e vështirë, duke deklaruar se nevojiten fonde qeveritare për të përmirësuar punën e IGJEUM. “Teknologjia është instaluar vite më parë dhe sot shumica e aparaturave dhe antenave janë me defekt. Ndërsa stacioni i sizmiologjisë në Peshkopi është tërësisht jashtë funksionit, ashtu si edhe 4 të tjerë në vend”, thotë ndër të tjera rektori Maliqari në atë intervistë.
Sipas tij, përmirësimi i aparaturave nuk mund të realizohet me të ardhurat që mblidhen nga tarifat e studentëve.
Në këto kushte, nuk është aspak e habitshme që qytetarët shqiptarë t’i referohen burimeve ndërkombëtare për të mësuar se çfarë ndodh në Shqipëri.