Në politikën britanike ai konsiderohet aktor i rrezikshëm: Dominic Cummings, këshilltar i kryeministrit, Boris Johnson, strateg, arkitekt i “Brexit-it”, ai që i ka vënë edhe vulën fushatës zgjedhore në Britaninë e Madhe.
Brexit me çdo çmim – ky ishte qëllimi i deklaruar i Boris Johnsonit, kur në korrik të këtij viti ai u ngjit në postin e kryeministrit, pas dorëheqjes së Theresa Mayt. Ai donte me çdo kusht nxjerrjen e mbretërisë nga BE, madje edhe me mjete, që nuk gëzonin një emër të mirë në repertorin politik në Britaninë e Madhe. Ai fiksoi si datë kategorike 31 tetorin, në rast nevoje edhe pa marrëveshje. Përjashtoi 20 konservatorë, që nuk e mbështetën kursin e tij të ashpër. Pastaj dërgoi parlamentin në pushim të detyruar, sepse nuk i dha shumicën.
Influencues pa skrupuj?
Pas kësaj strategjie të grushtit mbi tavolinë qëndron Dominic Cummings, sipas vëzhguesve, këshilltari më i ngushtë i Boris Johnsonit në Downing Street. Kritikët e quajnë atë njeriun, që lëviz pa skrupuj levat e pushtetit, kurse mbështetësit e quajnë një gjeni takticien. Boris Johnson e emëroi Dominic Cummings si kryestrateg. Që atëherë, ai ka ngritur “një sundim terrori”, thonë punonjësit në Downing Street. Ai i pushoi nga puna katër këshilltarë të kryeministrit, madje një këshilltare e nxorri me polici nga No.10.
Dominic Cummings, lindur në vitin 1971 në Durham në veriun e Anglisë, studioi histori antike dhe bashkëkohore në Oxford. Një person që e njeh prej kohësh, Dominic Cummings thotë, se ai “është më i zgjuar se vetë kryeministri.” Pas studimeve, kryestrategu qëndroi tre vjet në Rusi, ku thuhet, se themeloi një shoqëri të pasuksesshme fluturimesh. Pas kthimit në Britaninë e Madhe, Dominic Cummings pati më shumë sukses. Me “Business for Sterling” një grupi lobiist kundër euros, ai u angazhua kundër futjes së vendit në eurozonë.
Dominic Cummings
Arkitekt i Brexit?
Fushata “Vote Leave” për ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian, ishte ajo që i dha emrin Dominic Cummings si “mastermind” i Brexit. Ishte ai që futi slloganin “take back control”, pra britanikët duhet të vendosnin vetë për çështjet e tyre të brendshme. Shembulli më i njohur: Një autobus “Leave” në fushatën kundër Brexit, ku shkruhej, se vendi paguan 350 milionë paund (410 milionë euro) çdo javë për BE. Me këto para mund të mbështetet sistemi shëndetësor vendas, sipas tij. Ky pretendim u provua më vonë si gënjeshtër.
Tim Shipman, redaktor për çështjet politike në Sunday Times thotë, se “qëllimi i deklaruar i Dominic Cummings është që të fitojë lojën e politikës”. “Ai polarizon shumë, dhe është si kremi britanik për lyerjen e bukës “Marmite”. Njerëzit ose e duan, ose e urrejnë.”
Admirim për diktaturat
Dominic Cummings nuk e ka fshehur përçmimin që ka për politikanët dhe funksionarët. Ata janë narcistë për të. Edhe për demokracinë parlamentare ai nuk është shumë entuziast, këtë e tregon admirimi i tij për diktatura si Kina për shkak të “vendimmarrjes efektive.” Për të dalja e Britanisë së Madhe nga BE është vetëm fillimi i punës për të ndryshuar me rrënjë sistemin, që do të pasojë me një Britani të Madhe eficiente e dinamike. Prandaj edhe vendimi për zgjedhjet parlamentare më 12 dhjetor, që Johnson inicioi me ndihmën strategjike të Dominic Cummings. Ideja; me një shumicë konservatore në parlament, mund të dilet nga BE pas zgjedhjeve. Gjatë fushatës zgjedhore, Cummings që nuk është anëtar partie qëndron i rezervuar. Shtabin ai ia ka dorëzuar, Isaac Levidos, një australiani edhe më pak i njohur, që ka ndihmuar të ngjiten në pushtet liberalët në vendin e tij.
Boris Johnson me trajnerin e tij gjatë një pushimi në fushatë
Korrigjim i kursit konservator
Levido konsiderohet si e kundërta e Dominic Cummings: i butë, i kujdesshëm, i orientuar nga puna në ekip. Me të në krye, konservatorët ndjekin strategjinë e përfshirjes dhe jo të konfrontimit. Me qëllim që të bëhen për vete sa më shumë grupe votuesish, që konservatorët të marrin shumicën. Ky është varianti zyrtar nga Downing Street. Por Dominic Cummings i ka vënë ndërkohë vulën e vet fushatës zgjedhore. Strategjinë e tij “people versus parlament”, pra qytetarë kundër parlamentit, që e ka penguar Brexitin deri më tani, Boris Johnson e përdor në të gjitha daljet në fushatë. Por edhe në prapaskenë, Dominic Cummings do të vazhdojë të lëvizë fijet. Ai pret momentin, kur Johnson të dalë me sukses nga zgjedhjet dhe të përfundojë Brexit. E me këtë Dominic Cummings do të hynte me të vërtetë në historinë e Britanisë së Madhe si arkitekti i Brexi-it.
/DW/