Partia Demokratike është duke u përgatitur për zgjedhje të parakohshme. I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora ish-deputeti Gent Strazimiri tha se qëllimi i opozitës është që të shpëtojë vendin nga kjo qeverisje.
Beti Njuma: Çfarë ndodh në PD, po përgatit PD për zgjedhje të parakohshme?
Gent Strazimiri: PD dhe opozita po përgatiten për zgjedhje, jemi në fazën e riorganizimit dhe të forcimit për të përmbyllur një proces organizativ në struktura. Qëllimi është të shpëtojmë vendin duke e nxjerrë nga kriza, të shpëtojmë nga kjo qeveri e kapur disa herë në krim. Kjo qeveri që ka gjymtuar parlamentin dhe na ka kthyer në një shtet monopartiak të skandaleve, të varfërisë dhe mosfunksionimit të ligjit.
Strazimiri tha se kjo nuk zgjidhet vetëm nga opozita, por gjithë shoqëria.
Gent Strazimiri: Nuk është një situatë që zgjidhet vetëm nga opozita, opozita është një dimension politik i kësaj shoqërie. Jo gjithçka zgjidhet politikisht, duhet ta zgjidhim njëherë qytetarisht, të ngrihemi ti themi njëherë jo këtij, pastaj të zgjedhim kush do të na drejtojë.
Një këshillë kishte edhe për Bashën:
Gent Strazimiri: Marrëveshja me Edi Ramën dënohet nga kodi penal, është bashkëpunim në krim. Unë nuk do ta bëja dhe nuk do tja këshilloja as Lulzim Bashës. Një marrëveshje mes të gjitha partive politike kjo është e mundshme dhe mund ta zgjidhte situatën.