Akademiku Artan Fuga i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se për Gjykatën Kushtetuese kemi përplasje të fortë mes palëve. Fuga ka theksuar se çështja e Gjykatës Kushtetuese duhet të mos përzihet me politikën.
“Gjykata Kushtetuese është konceptuar se do të formohet nga një kompromis midis Kuvendit, Presidentit, riprodhimit të vetë Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimit që do të vijë nga trupa e gjykatësve, sikundër edhe nga Gjykata e Lartë. Nga kjo pikëpamje, një kompromis është shumë i mirë. Mirëpo, kërkon vullnet për kompromis. Në momentin që aktorët që janë aty kërkojnë të eliminojnë njëri – tjetrin, pra Kuvendi kërkon ta shkarkojë Presidentin dhe Presidenti i Republikës i thotë Kuvendit që me zgjedhjet që u bëmë më datë 30 qershor normalisht keni shkelur ligjin, pra e eliminon Kuvendin, në një mënyrë të caktuar, atëherë ky kompromis nuk bëhet, por hidhet në erë kjo situatë. Unë nuk gjej dot këtu s kush ka të drejtë e kush jo, por di se kuadri juridik dhe politik në të cilin ata janë vendosur, prodhon një konflikt që nuk zgjidhet. Kam edhe më tepër. Presidentit i thuhet se nga tre do të zgjedhësh një, por nëse unë të vendos tre, në daç Kuvendit, në daç Presidentit, tre që dua unë dhe ti do zgjedhësh nga këta të tre, vullneti yt në përzgjedhje ka mbaruar. Prandaj insistoj se duhet një debat, profesionalizëm, ku në thelb të thuhet se e shkruara është shpirti i kësaj shoqërie dhe jo interpretimi politik para mikrofonit, apo sipas dëshirës. Ne sot jemi në një raport mes politikës, të shkruarës, ligjit që ka boshllëqe të papara, që interpretohet në mënyrën më të lirë të mundshme.
Prandaj, nuk jam në gjendje të them nëse duhet ndjekur parimi një, një , një, pra të ndiqet radha që njëherë zgjedh presidenti, më pas Kuvendi e më vonë Gjykata e Lartë, pastaj fillon prapë dhe a është kështu kur ka më shumë se dy vakanca, tre vakanca, katër vakanca. Këtë ligji, në interpretimin gjuhësor, gramatik, logjik nuk e jep. Unë e shikoj ftohtë dhe them se këtu ka një boshllëk. Ky boshllëk bën që të lindë përplasja. Do përplasen sepse Presidenti nuk mund të pranojë që në një boshllëk Kuvendi që do ta shkarkojë ta interpretojë në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të nxjerrë atje ata njerëz, të cilët atë e shkarkojnë. Nga ana tjetër, edhe Kuvendi e ka të vështirë që të aplikojë një ligj, të interpretuar në atë mënyrë që në Gjykatën Kushtetuese të shkojnë ata gjyqtarë, që t’i thonë Kuvendit shiko me zgjedhjet e ke gabim, me datën e zgjedhjeve gabim, me KQZ shkelje ligji, Kjo rrëzon tërë sistemin. Pra jemi në një situatë konflikti, por zgjidhje ka”, tha Fuga
Për akademikun Artan Fuga, ligjet aktuale në Shqipëri kanë probleme. Ai tha se, palët duhet të ulen në tryezë, kurse ka vlerësuar faktin që presidenti i Republikës po fton edhe palë politike.
“Për mua po, të dyja palët duhet të ulen. Unë e pëlqej faktin që z. president bën takime. Tregon se kërkon hapje. Unë si qytetar do të doja që hapjen ta bëjë më të madhe, të kërkojë takim me ata që bëjnë vendim-marrje politike. Ne jemi qytetarë, ne nuk na duhen sherret politike, ne duam të zgjidhim problemet. Unë mendoj se e vetmja rrugë është një dialog, një zgjidhje në mënyrën e konsensusit, Ne në shoqërinë shqiptare nuk e kemi akoma konceptin e konsensusit. Po të duan ka referenca europiane, amerikane, perëndimore sesi arrihet një konsensus, jo një kompromis i ndyrë në thonjëza.
Ky konsensus për mua konsiston që njëra nga të dyja çështjet duhet të lihet për më vonë. O zgjidhja e konfliktit politik shkarkim i presidentit – shpërndarje e parlamentit dhe të zgjidhet ky problem afatgjatë, strukturor që është gjyqësori, por duke e fshirë këtë gjë ose do kemi Gjykatë Kushtetuese që njërën palë do ta eliminojë. Politikani ka forcën, për ndryshe shkojmë ne atje. Politikani duhet të dijë të ngrihet se ka përgjegjësinë e kombit, ka përgjegjësinë e qytetarit. Ose duhet zgjidhur çështjua e gjykatës, ose të zgjidhim çështjen politike dhe të lëmë çështjen e Gjykatës Kushtetuese, e lëmë për më vonë. Të dyja bashkë nuk shkojnë”, deklaroi Fuga.