Një raport sekret i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i mbërritur në Prokurorinë e Përgjithme dhe 5 institucione të tjera, hedh dritë mbi megaskandalin e vjedhjes së parave në Thesarin e Bankës së Shqipërisë. Raporti i hartuar nga 6 auditues, zbulon skemën e vjedhjes së parave, njëherësh hedh dritë mbi shifrën e saktë të vjedhjes, ku KLSH ka zbuluar se nuk bëhet fjalë për shifrën prej 713 milionë lekë të reja, siç deklaroi ish-guvernatori Fullani, por për 2.9 miliard lekë, e përkthyer kjo në 21 milion euro që mungonin në thesarin e Bankës së Shqipërisë.
Kjo sasi lekësh nuk është vjedhur nga një person i vetëm por siç thonë audituesit në raport, në këtë skemë janë implikuar disa zyrtarë të bankës dhe drejtues të Bankave të Nivelit të Dytë, duke dyshuar se kanë përdorur dokumentacion fallco në procesin e dorëzimit të lekëve për shkatërrim.
Kjo shifër është mbajtur sekret, me qëllimin e vetëm për të mos krijuar panik në tregun bankar, pasi publikimi i skemës së kësaj megavjedhje parashikohej të sillte në atë periudhë, tërheqjen e depozitave nga qytetarët dhe prishjen e ekulibrit bankar.Për shifrën e sipërcituar mësohet të ketë pasur dijeni dhe zyrtarë të FMN. Ky raport vijon të qëndrojë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe se kjo e fundit asnjëherë nuk ka hetuar në këtë drejtim.
Vjedhja 21 milion euro
I pari që ka ngritur zërin për skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë dhe ka kërkuar një audit në thesar, ka qënë deputeti i PS njëherësh dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Erjon Braçe. Braçe, i ka kërkuar KLSH që të kryejë një auditim te menjëhershëm në Bankën Qëndrore, për shkak se është cënuar imazhi dhe siguria e sistemit bankar. Shkresa e zotit Braçe mban datën 25 korrik 2014. Ndërkohë që dy ditë më parë në 23 korrik, KLSH, kishte nisur kontrollin me objekt: ”Auditimin e Përputhshmërisë Administrimit të Fondeve Logjistike “Arka Stok” në Bankën e Shqipërisë me Kuadrin Rregullator në Fuqi”.Por në fakt ky kontroll ka nisur katër muaj me vonesë, kjo pasi anëtarët e auditimit nuk kanë pasur çertifikatë sigurie. Pas paisjes me çertifikata sigurie, grupi i auditit ka nisur punën duke konstatuar se në arkën stok mungonte një sasi prej 2.9 miliard lekë, e përkthyer kjo në 21 milion euro. Me këtë shifër janë njohur krerët e 5 institucioneve shtetërore përfshirë dhe Erjon Braçen, ku asnjëri prej tyre nuk ka folur për këtë skandal, duke e lënë në hështje.
Sipas raportit vjedhja e parave është bërë nëpërmjet bankave të nivelit te dytë në vend. Kjo pasi sipas raportit disa prej ketyre bankave në bashkëpunim me punonjës të thesarit dhe Bankës së Shqipërisë, kanë bërë procesverbale fiktive, sikur kanë dorëzuar para të vjetra të destinuara për shkatërim. Po në fakt nuk kanë dorëzuar shumat financiare por kanë bërë vetëm letra. Grupi i auditimit ka gjetur dokumentat e dorëzimit të lekëve por s’ka konstatuar hyrjen e tyre. Njëherësh pas kësaj, këto banka të nivelit të dytë kanë kërkuar rimbulsimin nga BSH të parave të vjetra që ishin nxjerë nga qarkullimi, dhe me firmën e disa ish-drejtuesve të Bankës së Shqipërisë, janë lejuar të kryhen transaksionet e rimbulsimit financiar nga llogaria e BSH në llogaritë e disa prej bankave të nivelit të dytë. Ky raport sekret tashmë ndodhet në prokurori por çuditërisht për këtë pjesë nuk është kryeher asnjë hetim.
Bitraj deklaron
vjedhjen tek Fullani
Vjedhja në 2014 e Thesarit të Bankës së Shqipërisë shënoi skandalin më të rëndë, në historinë e shtetit fiskal Shqiptar. Ish-guvernatori i këtij institucioni Ardian Fullani deklaroi ne media se nga thesari i shtetit ishin vjedhur vetëm 713 milion lekë të reja, dhe ky krim ishte kryer nga një person i vetëm që quhet Ardian Bitraj që aktualisht rezulton i dënuar me 13.4 vite burgim nga gjykata e Tiranës. Por emri i Bitraj për policinë, prokurorinë dhe mediat, ka dalë vetëm një muaj pas vrasjes së një bankieri të njohur në Tiranë. Pas kësaj vrasje Bitraj ka vrapuar në zyrën e ish-guvernatorit të Bankës të Shqipërië Ardian Fullani, duke pohuar se ai ishte personi që kishte vjedhur miliona lekë nga baletat me para të thesarit të Shtetit. Bitraj deklaroi para Fullanit dhe në prokurori se këto para i ka lënë në baste sportive dhe kazino, duke mos shpenzuar asnjë qindarkë për të mira kapitale, si prona, automjete, apartamente etj. Përpara Fullanit Bitraj ka marrë të gjithë përgjegjësinë e këtij krimi të rëndë që tronditi institucionet e Shtetit Shqiptar, duke bërë vetëm një bashkëfajtore në këtë krim punonjësen e thesarit të Shtetit, Mimoza Bruzian, edhe kjo tashmë e dënuar me 10 vite burg, pasi konstatoi vjedhjen dhe nuk kishte raportuar tek eprori skandalin.
Bitraj s’dinte shifrën
Fullani nxorri 713 mln
Vetë Përgjegjësi i dy arkave të parave, asaj në veprim dhe arkës stok, Ardian Bitraj nuk ka qënë në dijeni se sa lekë kishte vjedhur. Për një person që ishte shefi i dy arkave të parave të shqiptarëve dhe që mbante çelësat i vetëm, shifra nuk kishte interes. Për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë askush nga drejtuesit e saj nuk ka qenë në dijeni ose në të kundërt bënin sikur s’dinin se çfarë po ndodhte, dhe për pasojë as nuk ishte planifikuar ndonjë inventarizim. Një proces i tillë është urdhëruar të kryhet vetëm pasi ish-përgjegjësi i Thesarit të Shtetit Ardian Bitraj ka rrëfyer para tre drejtorëve se për katër vite kishte vjedhur sasi të mëdha lekësh. Fill pas datës 21 korrik 2014, ku u denoncua skandali, në pasditen e kësaj date me një urdhër të Zv/guvernatores Elisabeta Gjoni janë ngritur në mënyrë të mënjëhershme dy grupe inspektimi me punonjësit e Bankës së Shqipërisë, për të kryer inventarin. Njëri grup do verifikonte kutitë e parave që duhet të shkatëroheshin ndërsa grupi tjetër të shikone gjëndjen e kutive ku mbaheshin lekët e reja të ardhura nga Zvicra.Deri në këtë datë prej dy vitesh në bankë nuk janë kryer inspektime, por vetëm disa inventarizime sporadike, dhe jo të imtësishme.Për të hedhur dritë mbi “gjëmën” që i kishte ndodhur, procesi i inventarizimit të parave ka nisur që prej pasdites së 21 korrikut 2014 dhe ka zgjatur deri në 24 korrik.
Momenti i fundit kur është përpiluar procesverbali për inventarizimin e parave që do shkatëroheshin,ka përfunduar në mesnatë, pikërisht në orën 23:30. Me anën e këtij procesverbali inventarizuesit kanë dalë në përfundimin se në total janë vjedhur 713 milion lekë të reja, keto kartëmoedha të dëmtuara dhe jo të dëmtuara. Fullani u mundua të “çfryjë” skandalin duke pohuar se lekët e vjedhura ishin 713 milion lekë dhe se kishte çeduar vetëm faktori “njeri” dhe jo sistemi i sigurisë. Kjo shifër e deklaruar nga Fullani u konsiderua e mirqënë dhe nga tre ekspertë kontabël të caktuar nga njësia hetimore Task-Forcë, pranë prokurorisës së Tiranës që po hetonte ngjarjen.Por çfarë ka ndodhur?/Shqiptarja