Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e ftuar në emisionin ‘Pa Protokoll” në Report Tv i dha të drejtë Presidentit Ilir Meta për dekretin e emërimit të Marsida Xhaferllarit dhe mos njohjen e Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Për Ademin, po faktohen paralajmërimet e opozitës se Rama po kap Gjykatën Kushtetuese, ndërsa opozitën në parlament e cilësoi të kapur dhe pa integritet.
Ajo deklaroi dhe se një ambasador i kërkoi që për zgjedhjet e 30 qershorit të kandidonte si e pavarur.
“Çështja e Gjykatës Kushtetuese po bën vite dhe tani kemi arritur kulmin dhe nuk e dimë si do të zgjidhet. Është e vërtetë që është institucioni që garanton cdo mundësi të abuzimit me ligjin apo Kushtetutën. Fakti që nuk e kemi duket se ka pasoja të mëtejshme, që ka pasur edhe ato të pushtetit vendor, kur lidhet më pas edhe me parlamentin, janë çështje që presin zgjidhje. Ngërçi do të vështirësojë çështjet e Shqipërisë, amulli që askush nuk e kishte menduar. Askush nuk e kishte menduar noterizimin. Për qytetarët po bëhet e qartë kush po e pengon gjykatën Kushtetuese. Në parlament opozita nuk ka ndonjë dorë për vendimet e çmendura, që sjellin amulli.
Opozita në parlament? Nuk po flas për njerëz të blerë, por me integritet. Unë njoh disa nga ata, nuk bënte sens ai votimi me 97 vota. Sot më shumë se kurrë opozita është e interesuar për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, të pavarur. Na e ka kërkuar OSBE-ja, Bundestagu, integrimi, shoqata e bashkive të Shqipërisë për verifikimin dhe ilegjitimitin e 30 Qershorit. Jam në pritje unë si kryetare e bashkisë së Shkodrës për t’i dhënë fund amullisë. Mezi e kam pritur. Vetëm një mendje e çmendur.
Po faktohet ajo që tha opozita, që Rama po kap reformën në drejtësi. Është e llogaritur për të pasur hapat të gjithë…është ë paprecedent. Nuk di nëse do të kishte ndonjë mundësi tjetër Presidenti të vepronte ndryshe. Presidenti nuk ka asnjë rrugë tjetër vecse të lexojë atë që është shkruar, pasi do të kishim probleme edhe më të mëdha. Në cdo rast e kam dëgjuar, ai i referohet Kushtetutës“, tha ajo.
Duke komentuar debatet për Reformën Zgjedhore, Ademi tha se rreziku përballë Edi Ramës ekziston edhe nëse do të miratohet Kodi i ri. “Edhe me Kod të përmirësuar me këtë qeveri do të kemi probleme. Nuk jam dakord dhe opozita në asnjë rast nuk do të bëjë marrëveshje politike. Opozita po lufton, po përpiqet shumë“. Në vijim të bisedës, Ademi zbuloi edhe një bisedë me një ambasador, por jo emrin, që sipas saj i kishte kërkuar që të kandidonte e pavarur në zgjedhjet e 30 Qershorit, kur opozita bojkotoi. “Një ambasador më pyeti pse nuk kandidoni e pavarur se fitoni. Nuk do ta merrja kurrë përsipër dhe kur e mendoj askush nuk merr përsipër për të vendosur njerëzit përballë krimit te qendrat e votimit“, tha kryebashkiakja.