Kristjan Demçe u ekstradua nga Belgjika, pas arrestimit në shtetit belg për llogari të autoriteteve shqiptare, konfirmuan këtë të martë burime zyrtare nga Policia e Shtetit.
Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar 43-vjeçarin nga Lushnja me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.
Kristjan Demçe, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, në vitin 2014, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike kanabis sativa, në rrugë ajrore nga Shqipëria në Itali.
Avionit që drejtohej nga shtetasi italian Giorgio Riformato iu thye rrota e parë dhe ngeci në rërën e plazhit të Divjakës, ndërsa policia sekuestroi më pas një sasi prej rreth 90 kg kanabis.
“Boldnews” sjell dosjen e prokurorisë për ngjarjen në fjalë, ku sqarohet dinamika e rastit të trafikut që mbeti në tentativë.
RIFORMATO NË SHQIPËRI
Referuar hetimeve të Prokurorisë: Pas mbërritjes në Shqipëri në datën 08.05.2014, i pandehuri Giorgio Riformato, sipas akordeve të mëparshme, është pritur në Rinas prej të bashkëpandehurit Sajmir Bajrami, i cili ka qenë i shoqëruar me dëshmitarin Dardan Ahmeti, pasi ky i fundit do ti shërbente me mjetin e tij. Pasi janë takuar në Rinas dhe kanë drekuar së bashku, të pandehurit Giorgio Riformato dhe Sajmir Bajrami, kanë shkuar në plazhin e Divjakës me qëllim “për të parë nga afër vendin” ku ishte menduar të bëhej trafikimi i lëndës narkotike.
Pas kthimit nga Divjaka, në datën 08.05.2014 rreh orës 20.00, i pandehuri Riformato, është akomoduar prej të pandehurit Sajmir Bajrami në hotel “XXXX” pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Në orën 21.06.48 të datës 08.05.2014, i pandehuri Giorgio Riformato hipën në automjetin e parkuar para hotelit dhe largohet me dy të bashkë pandehurit Sajmir Bajrami dhe Marenglen Ymeraj për të darkuar. Së bashku me ta ka shkuar për të darkuar dhe kushëriri i të pandehurit Samir Bajrami, (djali i hallës) dëshmitari Erjon Rrushi. Në datën 09.05.2014 ora 00:26, i pandehuri Giorgio Riformato kthehet në hotel i shoqëruar nga të bashkëpandehurit Sajmir Bajrami dhe Marenglen Ymeraj, ku këta të fundit pasi lënë të pandehurin Giorgio Riformato largohen nga hoteli në orën 00:28 me automjetin që erdhën.
Në hotelin xxxx, i pandehuri Riformato ka qëndruar dy netë, deri në datën 10.05.2014 në mëngjes, ku është larguar prej aty.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë, i pandehuri Giorgio Riformato , rezultoi nga dëshmia e shtetasve Dardan Ahmeti dhe Erjon Rrishi, se është takuar me të bashkëpandehurin Sajmir Bajrami konkretisht në datën 09.05.2014 pasdite në Durrës, tek shtëpia e të bashkëpandehurit Sajmir Bajrami.
ROLI I DEMÇES
Në vijim, të bashkëpandehurit Sajmir Bajrami dhe Marenglen Ymera në datën 09.05.2014, kanë kontaktuar të pandehurit Kristjan Demçe dhe Kleviol Ahmeti të cilëve u kanë kërkuar të gjenin dhe disa persona te tjerë, nga Divjaka për ti ndihmuar për në datën 10.05.2014.
Për këtë qëllim të bashkëpandehurit Kristjan Demçe dhe Kleviol Ahmeti kanë kontaktuar të bashkëpandehurit Orgest Bilbili dhe Aurel Pupe, për të kërkuar kontributin e tyre, për ruajtjen e vendit nga do të bëhej ngarkimi i lëndës narkotike, në të dy skajet e tij, me qëllim moslejimin e automjeteve dhe personave që të kalonin aty, si dhe futjen e pakove të paketuara më parë lëndë narkotike nëpër çanta sportive dhe ngarkimin e tyre në dy automjete.
Të bashkëpandehurit Orgest Bilbili dhe Aurel Pupe, kanë rënë dakord kundrejt pagesës prej 1000 euro, e cila sipas Aurelit dhe Kleviolit do të jepej më vonë.
Pasi i bashkëpandehuri Sajmir Bajrami ka siguruar lëndën narkotike, është rënë dakord që lënda narkotike do të transportohej për në plazhin e Divjakës në datën 10.05.2014, ku aty do të ulej i pandehuri Giorgio Riformato me avionin e tij dhe do të bëhej ngarkimi në të i lëndës narkotike, me qëllim trafikimin në rrugë ajrore nga Divjaka për në Itali.
Në datën 10.05.2014, në plazhin e Divjakës kanë shkuar të bashkë pandehurit e proceduar veçmas Sajmir Bajrami, Marenglen Ymeraj, Kristjan Demçe, Aurel Pupe, Orgest Bilbili dhe Kleviol Ahmeti.
Lënda narkotike është sistemuar dhe futur nëpër thasë dhe më pas ngarkuar në dy automjete, në atë tip fuoristradë Mitsubishi të drejtuar prej të bashkëpandehurit Sajmir Bajrami dhe në një automjet Audi, i cili nuk është bërë e mundur të identifikohet se kujt i përket.
Në datën 10.05.2014, i pandehuri Giorgio Riformato është ngritur me avionin e tij me numër regjistrimi i IGRMP PIPER nga aeroporti i Rinasit rreth orës 13.25.
Ndërkohë të bashkëpandehurit e tjerë ishin duke pritur në plazhin e Divjakës, të cilët kishin marrë masat për ruajtjen e vendit dhe njëkohësisht të bashkëpandehurit Sajmir Bajrami dhe Kleviol Ahmeti kishin vendosur edhe nga një flamur kuq e zi, në kufirin ndërmjet makinave dhe bregut të detit me qëllim për të orientuar pilotin se ku duhej të ulej. Gjithashtu i bashkëpandehuri Marenglen Ymeraj duke punuar për një kohë të gjatë në strukturat e policisë, u ka dhënë garanci të bashkëpandehurve të tjerë të punon pa merak. Pa kaluar pak minuta nga ky veprim, kanë parë se nga drejtimi i bregut të detit nga ana e drejtimit të Durrësit, po fluturonte në drejtimin e tyre një avion, i cili pasi kaloi disa metra ka bërë dy-tre xhiro dhe më pas ulur jo te vendi që ata kishin vendosur flamujt por disa metra më afër detit. Në momentin që avioni po ulej në tokë, të bashkëpandehurit Sajmir, Kleviol dhe Aurel, kanë parë se ai nuk e bëri mirë uljen pasi fillimisht preku në tokë, u ngrit prapë pak në ajër rrota dhe përsëri preku në tokë ku në këtë rast rrota e tij kapi diku në rërë dhe pësoi goditje ku si rezultat i kësaj rrota u shkëput prej avionit. Pas shkëputjes së rrotës kanë parë se avioni përshkoi disa metra dhe më pas ndaloi.
Ka rezultuar se rreth orës 14:10, në vendin e quajtur Plazhi i Divjakës, rrethi i Lushnjës, në afërsi të një objekti trekatësh, është gjetur avioni i të pandehurit Giorgo Riformato, me rrotën e thyer në pamundësi për tu ngritur përsëri.
Ndërkohë të bashkëpandehurit e tjerë që ishin duke pritur në vendin e ngjarjes mbërritjen e avionit me qëllim ngarkimin në të lëndës narkotike, Sajmir Bajrami, Marenglen Ymeraj, Kristjan Demçe, Aurel Pupe, Kleviol Ahmeti dhe Orgest Bilbili duke parë se avionit iu thye rrota e parë dhe ngeci në rërë, u larguan nga vendi i ngjarjes.
Gjatë largimit nga vendi i ngjarjes të bashkëpandehurit Aurel Pupe dhe Kleviol Ahmeti kanë hipur në automjetin tip Audo ose Volsvagen ne te cilin ishte ngarkuar lënda narkotike në sasi prej 94 kg. Për shkak se këtij automjeti i është çarë sotokarteri dhe ka filluar të rrjedhë vaj, ata kanë shkarkuar çantat nga makina, kanë braktisur automjetin duke u larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin tip BMV me tarag CP 433 LN të Kristjan Demçes, ku së bashku me ta ka hipur dhe i bashkëpandehuri Marenglen Ymeraj, i cili ka zbritur tek stacioni i autobusëve në Divjakë për të vazhduar rrugën me autobusin e linjës.