Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve, u ka kërkuar deputetëve që të votojnë emrat e kandidatëve të paraqitur nga KED për Gjykatën Kushtetuese.
Manja tha se po të jenë në sallë, dy zonjat, emrat e të cilave renditen të parët në listën e kandidatëve të KED, le të miratohen me 122 votat që ka Kuvendi.
Në këtë mënyrë Manja ka bërë publik vendimin e mazhorancës për të votuar në bllok kandidatët e KED, ndërsa shprehu kritika në drejtim të Presidentit Ilir Meta. Manja tha se pavarësisht se Presidenti e paraqet si debat kushtetues, në thelb për të është një konflikt i pastër politik.
“Sot është momenti të dëshmojmë seriozitetin e vullnetin politik për ta bërë funksionale kushtetuesen. Duhet të bëjmë detyrën tonë, kandidatët që na ofrohen për votim janë dy zonja që i bëjnë nder gjykatës Kushtetuese.
Kemi një debat me Presidentin, si përherë na paraqitet si debat kushtetues po në thelb është konfliktik i pastër politik, që kur Presidenti e lexon kushtetutën politikisht e jo si garant i saj.
Në rastin e kushtetueses duhet të çlirohet nga mentaliteti i konfliktit politik dhe të bashkëpunojë për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
Doja t’i bëja një pyetje presidentit: E supozojmë se do të zbatojmë radhën. Të parin e ka dekretuar presidenti, të dytin po e votojmë ne sot, radha nuk i shkon presidentit për të tretin, e ka Gjykata e Lartë por që nuk e voton dot. Atëherë ccfarë do bëjmë sipas presidentit do bllokojmë Gjykatën Kushtetuese dhe për një vit?
Arsyetimi i Presidentit nuk është dashamir por dashakeq. Është momenti që këto dy zonja që do t’i votojmë pak më vonë t’i mbështesim”, tha Manja.
Reagimi i deputetit të Rilindjes erdhi pak orë pasi Kreu i Shtetit iu drejtua me një mesazh deputetëve për të respektuar Kushtetutën.
“Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!
Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !
Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!
Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.
Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!
Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!”, shkruan Meta.