“Një diplomat i huaj nuk mund t’i japë një zgjidhje kësaj situate, por njerëzit e këtij vendi meritojnë një zgjidhje të arsyeshme.”
Kështu u shpreh për krizën në vend Ambasadorja franceze në Shqipëri Christine Vasac gjatë vizitës në ekspozitën e fotografi Roland Tasho, në Korçë.
Sipas diplomates, presidenti Emmanuel Macron ka folur qartë, ndërsa shtoi se Franca nuk është në parim kundër integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë.
“Përsëris mendimin e presidentit francez Emmanuel Macron. Ideja është që duhet ndërmarrë iniciativë që të gjendet një mënyrë e re e funksionimit të BE, si për anëtarët , ashtu edhe për vendet jo-anëtare. Franca thjesht ka një qasje të re. Franca nuk ka qenë asnjëherë kundër. Ka thjesht disa interpretime jo të sakta nga njerëz, që nuk korrespondojnë me të vërtetën. Dera është e hapur. Mirëpo duhet qësë pari reformat të vazhdojnë e të ketë rezultate konkrete. Nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve, por edhe zbatimi i tyre. Kjo kërkon vullnetin e të gjitha forcave politike në Shqipëri”, tha Vasac.
Ajo u shpreh se në vend ka njerëz të arsyeshëm që po mendojnë për zgjidhje.
“Nuk kam asnjë dyshim që në të gjitha anët dhe nivelet ka njerëz të arsyeshëm që janë duke kërkuar një zgjidhje”, deklaroi ambasadorja e Francës në Tiranë.
Sa i përket “Mini-Schengenit Ballkanik” dhe Samitit që po zhvillohet në Ohër, diplomatja franceze dha këtë përgjigje:
“Takimi vazhdon akoma. Nuk mund të ketë një opinion në lidhje me diçka, për të cilën nuk dihet saktë se çfarë është. Analizën mund ta bëjmë pasi të kuptohen mirë vendimet që merren. Forcimi akoma më tej i marrëdhënieve fqinjësore mes shteteve ballkanike është i mirëpritur. Mendoj se ky është sot frymëzimi mes bashkëbiseduesve në këtë mini-shengen. Nuk ka arsye pse t’i kundërvihet Shqipërisë rrugëtimi drejt Europës, për një iniciativë , e cila është e vendeve në Ballkan”.