Nard Ndoka, kryetar i PDK-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se Opozita respekton agjendën kombëtare të integrimit, prandaj nuk bën protesta, por nëse Rama nuk e kupton domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme, atëherë do përballet me furtunën e opozitës. Për zotin Ndoka, fillimisht është prioritet bërja e zgjedhjeve të parakohshme, e pastaj Kuvendi i dalë nga vota e lirë të merret me ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Intervista e plotë:
-Zoti Ndoka, aksioni opozitar i Opozitës së Bashkuar pas zgjedhjeve të 30 qershorit është reduktuar thjesht në denoncime shtypi. Nuk bëhet më fjalë për protesta. Përse?
– Së pari, protesta ka kudo ku ka probleme, te Teatri Kombëtar, tek Astiri, fermerët dhe kudo opozita ka qenë në krah të qytetarëve. Opozita respektoi agjendën kombëtare të procesit të integrimit, hapjen e negociatave. Jemi në proces të kushteve të Bundestagut Gjerman dhe po japim kontributin tonë për Kodin Zgjedhor, po presim reagimin dhe reflektimin e mazhorancës, po koordinohemi edhe me partnerët ndërkombëtarë. Nëse Rama dhe mazhoranca nuk e kupton rëndësinë historike për zgjedhjet e parakohshme, pa diskutim që do përballet me furtunën e Opozitës së Bashkuar.
– Dy ditët e fundit fermerët në Lushnjë dolën në rrugë e protestuan por nuk u mbështetën nga opozita. Mos vallë kauza e fermerëve nuk ka kaq rëndësi për opozitën?
– Kauza e fermerëve ka shumë rëndësi, opozita duhet të paraqesë alternativen programore, që nesër ato fermerë mos të përballen me arrogancën e shtetit, por të ndjejnë politikat stimuluese dhe garancitë për prodhimet e tyre.
– Nga PD nuk dëgjojmë më që kushti i zgjidhjes të krizës të jetë largimi i Edi Ramës, por zgjedhje të parakohshme. Cilët faktorë politikë luajtën rol në këtë kthesë të opozitës? Presioni i ndërkombëtarëve?
– Nuk besoj se ka nevojë të përsëritet një kërkesë e tillë, edhe vetë Rama nuk është i qartë, se nuk mund t’i organizojë ai zgjedhjet që kemi përpara. Ka një kusht, të hetohet dhe dënohet krimi zgjedhor, Edi Rama është i përfshirë direkt vetë dhe disa ministra, deputetë, e drejtues të shtetit, të cilët po presin ditën e gjykimit. Zgjedhje me ta nuk do të ketë më kurrë.
– Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare pa u miratuar Reforma e Re Zgjedhore apo kjo të miratohet paraprakisht?
– Zgjedhjet e parakohshme mbeten e vetmja rrugë për politikën shqiptare, çdo dite kriza thellohet më tepër, duke fundosur ekonominë, duke goditur biznesin dhe duke larguar integrimin tonë. Çdo reformë dhe çdo akord kombëtar merr formë e garanci nga një parlament i dalë nga vullneti i lirë i qytetarëve shqiptarë.
– Zoti Ndoka, PD nuk është shprehur haptazi për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndërkohë në draftin e PS për Reformën e re Zgjedhore nuk ka depolitizim të KQZ as ndryshim të Sistemit Zgjedhor. Pa këto të dyja, atëherë çfarë do të ndryshojë reforma e re Zgjedhore nga aktuali?
-Sistemi zgjedhor duhet t’i nënshtrohet një debati të gjerë publik e politik dhe nuk ka sens të miratohet nga një Kuvend monopartiak, nga Rilindje dhe ca deputet të (pa)varur.
– Aleatët e PD a do të pranojnë një reformë të re zgjedhore pa ndryshuar Kodin Zgjedhor? Është akoma ky kusht i aleancës tuaj me PD?
– Kodi Zgjedhor është i rëndësishëm për ne, por në këto rrethana politike, ku koha, përbërja e Kuvendit aktual, kriza e thellë politike nuk na lejojnë që realisht të ketë mundësi për ndryshime cilësore. Sot ka nevojë dhe domosdoshmëri për vullnet politik dhe zgjedhje të parakohshme, nesër me produktin që del nga vota e lirë, të fillohet me një agjendë kombëtare, për reformat politike, ekonomike, integrimin dhe te vendoset konsensusi si udhërrëfyes për politikën shqiptare.
– Kryeministri Rama duke fajësuar Macron për “JO” – në e negociatave njëfarësoj, a jeni të mendimit se në këtë mënyrë deklaroi që nuk ka ndërmend t’i plotësojë 9 kushtet e Gjermanisë?
– Cikli i Ramës është mbyllur, Rama e ka kuptuar tashmë, se koha nuk punon më për të, ndaj ai duhet të plotësojë vetëm një kusht: zgjedhje sa më shpejt. Rama e fundosi qeverisjen, veten dhe plagosi të ardhmen e vendit. Jo vetëm Franca diplomatike, por Gjermania pragmatiste i vuri përpara kushtet.
– Ju zoti Ndoka deklaruat se opozita është e mefshtë. Ia parashtruat këtë kryetarit të PD?
– Qytetarët dhe aleatët presin më shumë nga PD-ja dhe Basha, si Lider i Opozitës së Bashkuar. Lulzim Basha e ka fituar betejën, sot ka besimin e partnerëve ndërkombëtarë, ka një agjendë të përbashkët me ta dhe po kontribuon çdo ditë për ta implementuar, kauza e Opozitës ka triumfuar, falë qetësisë dhe përgjegjshmërisë të demonstruar nga Z.Basha. Tashmë timoni ka kaluar ne duart e Lulzim Bashës, koha tregoi se një Lider e fiton kauzën edhe me paqe, me bashkëpunim, me përgjegjësi, qetësi dhe vendosmëri. Lulzim Basha e ka fituar përballjen me Edi Ramën, në sytë e qytetarëve dhe nën monitorimin e faktorit ndërkombëtarë.
– A e kupton Opozita se kryeministri Rama nuk vetëlargohet nga pushteti vetëm me denoncimet deklaratave të shtypit?
-Edi Rama ka dështuar në qeverisjen e tij, në integrimin e vendit, në ekonomi, në klimën e biznesit, në reforma, në drejtësi, në zgjedhjet lokale etj. Edi Rama ka dy vite që përballet me qytetarët e këtij vendi, me Opozitën, denoncimet korruptive, bojkotin e Opozitës dhe së fundmi edhe lënien e mandateve; të gjitha këto e fundosen politikisht Rilindjen.
– A e kupton opozita se aksioni i saj opozitar i mefshtë zhgënjen dhe nuk bind elektoratin?
– Aksioni Opozitar përgjatë një viti ka qenë një uragan spektakolar, që ngjalli shpresë, se ky vend ka njerëz që i dalin për Zot, sot dhe nesër. Gjykoj dhe besoj, nëse nuk do ketë ketë një akord për një agjendë antikrizë midis politikes shqiptare të monitoruar nga partnerët ndërkombëtarë këtë dite, këto orë, përballje e fortë qytetare na pret të gjithëve.