Nga Boldnews.al
Prokurorë të ndryshëm, të kontaktuar në orët e fundit nga “Boldnews.al”, e lidhin plagosjen e kolegut të Durrësit, Arjan Ndoja, edhe me nxitjen që mund të kenë atentatorët nga leksiku i egër i kryeministrit Edi Rama ndaj tij gjatë javëve të fundit. Të gjithë bashkëbiseduesit me redaksinë preferuan të ruanin anonimatin, në një frikë të kuptueshme, për të shmangur “hakmarrjen” kryeministrore.
Arjan Ndoja, i cili u plagos në një atentat mafioz pasditen e së Premtes, mund të mos jetë mishërimi i pastërtisë së sistemit të drejtësisë, ngjashëm me shumë e shumë kolegë të tjerë të tij, për të cilët ka dyshime se kanë devijuar herë pas here nga rruga e drejtësisë.
Pikërisht, për të pastruar sistemin e drejtësisë nga persona me karrierë të dyshimtë, u ngrit Reforma në Drejtësi dhe sidomos procesi i Vetingut. Ky i fundit, me të drejtë në disa raste e me pa të drejtë në shumë raste, ka vendosur shkarkimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Pra, megjithë problematikat e tij, ai po funksionon si i vetmi mekanizëm ligjor për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.
Por, në rastin e Arjan Ndojës e të ndonjë tjetri, kryeministri shqiptar e ka me ngut “vetingun”. Ai dhe pasuesit e tij nuk durojnë derisa prokurorë e gjyqtarë të caktuar, sidomos ata që “guxojnë” të arrestojnë në radhët e ‘Rilindjes”, të dalin para strukturave të Vetingut.
Rasti “Ndoja” është më tipiku nga ata. Prokurorit iu bë atentat publik e politik para plagosjes së sotme, por edhe pas ngjarjes së rëndë në Shkozet të Durrësit.
“Atentati” publik para plagosjes
Emri i Arjan Ndojës hyri në sallën e Parlamentit, fillimisht nëpërmjet gojës së kryeministrit Edi Rama. Ai e etiketoi rëndë Ndojën, si të lidhur me krimin, me korrupsion e të tjera shabllone tipike të Ramës, pasi prokurori urdhëroi arrestimin e kreut të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula.
Pas Ramës, edhe nënkryeministrit Erion Braçe, gjithashtu lëshoi morinë e akuzave ndaj prokurorit. Madje, ky i fundit, ndërmorri edhe një lëvizje, me të cilën rrëzon të gjithë ngrehinën e Reformës në Drejtësi-Braçe u paraqit në sallën e gjyqit kur po jepej masa e sigurisë për Pulën, një xhest që u lexua si presion i hapur dhe flagrant ndaj drejtësisë.
Sulmi dhe “atentati” publik e politik i Rama-Braçes ndaj prokurorit i dha efektet tek Gjykata e Apelit. Treshja e shkallës së dytë të Durrësit zgjodhi kompromisin, duke liruar Pulën e duke shpëtuar veten nga rrebeshi kryeministror.
“Atentati” publik pas plagosjes
Atentati mafioz ndaj Arjan Ndojës dhe dy shoqëruesve të tjerë në mjetin e tij, tronditi opinionin për shkak të specifikës. U qëllua me breshëri automatiku prokurori, i cili kishte qenë shënjestër e fjalorit të vrazhdë të kryeministrit.
Natyrisht, fraksione të ndryshme politike, përfshirë opozitën, do ia kujtonin Edi Ramës se ai është “frymëzuesi i atentatorëve me kallash”. Dhe, në fakt, kështu ndodhi menjëherë pas ngjarjes.
Zyra e Propagandës e Kryeministrit e kapi situatën. Mediat afër qeverisë nxituan të raportonin se Arjan Ndoja ishte në makinë me dy kriminelë, në tentativë për të justifikuar fjalorin e mëhershëm të kryeministrit.
Por, cilët janë “kriminelët” në automjetin e Arjan Ndojës? Policia njoftoi se në atentatin e pasdites së të Premtes mbetën të plagosur 3 persona. I Pari ishte prokurori Arjan Ndoja, i plagosur lehtë. I dyti ishte shoferi i tij, Andi Marku, i plagosur rëndë. I treti është një personazh që ka dalë edhe më parë në kronikat policore, Landi Muharremi, edhe ky i plagosur pa rrezik për jetën.
Pikërisht, tek ky emri i fundit, Muharremi, propaganda e mediave afër qeverisë zbuluan “fijen” pas së cilës mund të kapen.
Muharremi u etiketua “krimineli në makinën e prokurorit”. Por, sa është i tillë, të paktën sa njihet i tillë me vendime të drejtësisë?
Aleksandër Laho ose Landi Muharremi është një prej personave të dyshuar nga Policia se rrahu biznesmenin libanez, Fadi Mitri, në Shtator 2016. Pas atij episodi, biznesmeni i huaj, i cili kishte marrë përsipër të ndërtonte një kompleks në zonën e Durrësit, u largua nga Shqipëria.
Por largimi i tij për një rrahje, kur njerëz pranë tij deklaronin se kishte një projekt qindra-milionë dollarësh, u duk shumë i dyshimtë.
Dhe, në fakt këto dyshime u konfirmuan disi më vonë. Biznesmeni Faadi Mitri kishte marrë një tokë nga shteti, në të cilën kompania e tij planifikonte të ndërtonte një zonë rezidenciale.
Por, në një proces gjyqësor civil, shtetasi Pal Selçuni ishte njohur si pronar i tokës, të cilën shteti ia kishte dhënë Faadi Mitrit. Vijimi i kësaj historie është tipike nga ato shqiptaret, ku konfliktet për pronën janë “normalitet”.
Në këto përplasje, në vitin 2011 përfshihet për herë të parë edhe Landi Muharremi, i cili kishte pronësi një pjesë të tokës, e cila i ishte dhënë biznesmenit libanez nga shteti.
Pra, gjeneza e konfliktit ishte pikërisht shteti, sidomos Bashkia e Durrësit, e drejtuar në atë kohë nga Vangjush Dako. Shteti ia kishte dhënë tokën Faadi Mitrit, ndërkohë që po shteti (gjykata) njohu Pal Selcunin si pronar të tokës.
Dhe, pas këtyre vendimeve të kundërta me njëri-tjetrin, shteti i la palët që të zgjidhnin konfliktin me “stilin e rrugës”.
Pas këtyre përplasjeve fizike, Prokuroria e Durrësit në atë kohë verifikoi praktikën e pronësisë dhe konstatoi se toka duhej sekuestruar, për shkak të problematikave të theksuara me dokumentat, në bazë të të cilave prona i ishte dhënë biznesmenit libanez.
Pas sekuestrimit të tokës, Faadi Mitri u largua nga Shqipëria, pasi, mesa duket konstatoi se ishte e kotë të investoje në një vend, ku pronësia nuk ishte zgjidhur përfundimisht.
Landi Muharremi dhe dy të tjerë u proceduan penalisht për “rrahje” dhe “plagosje të lehtë me dashje”, vepra, të cilat natyrisht nuk mund të të bëjnë “kriminel”.
Nuk ka të dhëna të tjera, të paktën publike, që e lidhin Muharremin me “krime të tjera” të rënda. Por, ai duhej të etiketohej si “kriminel” pas atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, në tentativë për të gjetur “fijen” e për të justifikuar deklarimet e kryeministrit.