Hillary Clinton hyri në histori si e para grua që siguroi emërimin si kandidate presidenciale e një partie kryesore politike në Shtetet e Bashkuara. Tani ajo shpreson t’i shtojë karrierës së saj kapitullin më të rëndësishëm dhe më domethënës.
Nga zonjë e parë, më pas në senatore, nëse fiton në nëntor ajo do të bëhet Presidentja e Shteteve të Bashkuara. Anketat tregojnë se Hillary gjen tek elektorati mbështetje të zjarrtë në një segment, ndërsa zgjon antipati të thellë tek të tjerë. Ajo është një ndër njerëzit më të famshëm në botë, por ata që e njohin nga afër thonë se ajo është e rezervuar dhe nuk i shfaq në publik disa anë të natyrës së saj.
Korrespondentja Cindy Saine i hedh një vështrim jetës së kësaj gruaje që, edhe ata që e duan, edhe ata që e urrejnë e pranojnë se ka dëshmuar që është e aftë dhe e vendosur për betejën politike:
Hillary Clinton arriti shumë pranë fitores në 2008, kur u përpoq të sigurojë emërimin e Partisë Demokrate si kandidate presidenciale, por humbi përballë Barack Obamës.
Në atë kohë, kur deklaroi tërheqjen nga gara, ajo u ndal tek vështirësitë që kishte hasur si grua në politikë, duke i quajtur pengesat “tavani prej xhami”, dhe 18 milionë votat që mori si çarje në këtë tavan:
“Nuk arritëm dot ta thyejmë këtë radhë tavanin, por falë jush i kemi shkaktuar 18 milionë të çara dhe tani drita depërton si kurrë më parë dhe na mbush me shpresë dhe me bindjen se rruga do të jetë pak më e lehtë radhës tjetër”.
Në faqen elektronike të fushatës së saj ajo flet për fëmijërinë e vështirë të nënës së vet, Dorothy Rodham, që e frymëzoi të futej në politikë:
“Nënën e braktisën prindërit e saj dhe kur ishte tetë vjeç, e dërguan të jetonte me gjyshërit që nuk e donin. Por njerëzit e mbajtën afër me dashamirësi. Një mësuese e shihte që nëna ime nuk kishte para për të blerë ushqim në shkollë dhe filloi të sillte ushqim me vete edhe për të”.
Në adoleshencë Hillary ishte republikane. Angazhimi në politikë vazhdoi edhe gjatë studimeve në Wellesley ku ajo mbajti fjalimin e diplomimit në 1969.
Ajo ndryshoi kahje politike gjatë studimeve për jurisprudencë në Yale, ku u njoh edhe me Bill Clintonin. Ata u martuan në 1975 dhe u vendosën në shtetin e tij, Arkansas, ku ai u bë guvernator në 1978. Vajza e tyre Chelsey lindi në Arkansas.
Gjatë atyre viteve, gazetari Ron Fournier i ndiqte nga afër Clintonët si reporter në kryeqytetin e shtetit, Little Rock. Ai thotë se Hillary është më e zgjuar dhe më me humor se Bill Clintoni:
“Bill Clinton di si të tregojë një histori, një shaka, por Hillary ka humor të momentit. Ajo di si të tallet me veten, ka atë të qeshurën tipike që i acaron shumë njerëz, por që mua më duket shumë tërheqëse, pasi është e vërtetë. Kur je në prani të saj, është një e qeshur ngjitëse”.
Ish-zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Bob Weiner thotë se Hillary Clinton është më e zgjuar se Presidenti Obama apo bashkëshorti i saj Bill Clinton kur është fjala për të kuptuar një problem, por ka një të metë të madhe:
“Ajo e di edhe vetë që nuk është karizmatike; i mungon karizma, por ka zgjuarsi dhe ka aftësinë qeverisëse që është gjë e madhe”.
Kur Bill Clinton u zgjodh president në 1992, ajo mori mbi vete një rol aktiv si zonjë e parë, por nuk arriti të sigurojë mbështetje për propozimin e saj për kujdes shëndetësor universal.
Vitet në Shtëpinë e Bardhë sollën edhe skandalin Lewinsky, për marrëdhënien jashtë-martesore të Presidentit Clinton me një praktikante. Ishte një goditje personale dhe publike për Hillary Clintonin, që e ka lënë atë të vrarë dhe të poshtëruar.
Por Hillary di si të ngrihet përsëri pas një humbjeje. Ajo u zgjodh senatore në 2000 dhe u rizgjodh në 2006. Në 2008, Presidenti Obama e emëroi sekretare shteti, një rol që e ndihmoi të ngrinte me të madhe të drejtat e grave përmes diplomacisë së butë.
Tani ajo ka përpara betejën më të fortë të karrierës, përballë miliarderit Donald Trump i cili, ashtu si vetë zonja Clinton, ka rryma të forta pro dhe kundër tij.
Anketat tregojnë se gara do të jetë shumë e fortë. Por e kaluara e Hillary Clintonit tregon se ajo është e gatshme dhe e përgatitur të luftojë deri në fund. /VOA/