“France-soir” ka botuar, të premten e 21 shtatorit 1945, në ballinë, rrëfimin ekskluziv të mbretit Zog me korrespondentin e saj special në Londër.
“Unë jam ende mbret i Shqipërisë”, tha Zogu I… pavarësisht se tetë shqiptarë në Angli i kërkuan që të hiqte dorë nga froni !
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Kur mbreti Zog I shëtit në Londër me në krah mbretëreshën Geraldinë, “engjëjt e tyre kujdestarë” nuk i lënë të humbin gjurmë. Këtu, mbreti dhe mbretëresha e Shqipërisë vizitojnë Bond Street-in, “rrugën e paqes” londineze. 1572156668
Londër, 20 shtator.
Konferenca e të Pestëve po merret aktualisht me fatin e Shqipërisë.
Por duket se askush nuk interesohet më për atë i cili, deri në pushtimin e këtij vendi nga trupat italiane, të Premten e Shenjtë të 1939, ishte mbret i Shqipërisë. Ai quhej Zogu I; ai u martua me një konteshë të re hungareze, Geraldinë Apponyi, nëna e së cilës u martua në Nice me kolonelin francez Giraud.
Mbretëresha e re sapo kishte lindur një princ të vogël. Pas disa orësh, e gjithë familja mbretërore duhej të linte pallatin e Tiranës dhe, përmes shtigjeve të vështira nëpër male të mbuluara nga dëbora, arriti në kufirin grek.
Që atëherë, është folur pak për Zogun I. Por ai ende e konsideron veten sundimtar legjitim të Shqipërisë.
Dorëzoni xhevahirët e kurorës !
“Unë jam një pasardhës i një familje të madhe dhe jo një druvar, siç është thënë.”, tha Mbreti Zog, të cilin e kam parë në Londër. “Nuk mbërrita në Angli duke pasur në valixhet e mia xhevahirë të një shume prej dy milion paundësh… Asnjë grua nuk bëri vetëvrasje për mua në Tiranë në shkallët e Monumentit të dëshmorëve…”
Këto tre pikat janë veçanërisht të rëndësishme për Zogun I, ish-mbretin e Shqipërisë, i cili jeton në Britaninë e Madhe që nga viti 1941. Aq të rëndësishme janë sa që një gazetë javore angleze, e cila pohoi dikur të kundërtën, mbreti Zog e paditi në gjykatë dhe fitoi ndaj saj.
Ish-mbreti i Shqipërisë ka një shqetësim tjetër : nga të gjithë sovranët në mërgim, ai është i vetmi për të cilin janë kujdesur më pak. Megjithatë, në dy raste, bashkatdhetarët e tij, të cilët gjithashtu jetojnë në Britaninë e Madhe u kujtuan për ekzistencën e tij : herën e parë ishte në vitin 1942 për ta njoftuar se, nëse ai me të vërtetë kishte sjellë me vete xhevahirët e kurorës, do të ishte e këshillueshme që ai ta vendoste shumën në dispozicion të të gjithë refugjatëve. Herën e dytë, ishte në vitin 1944 për t’i thënë atij se populli shqiptar e konsideron rikthimin e mundshëm të tij në Shqipëri si të padëshirueshëm. Ndërkohë, Zogu ishte informuar se forcat ajrore britanike dhe afrikano-jugore kishin sulmuar rëndë Pallatin e tij të Tiranës, ku gjermanët kishin ngritur selinë e tyre, dhe se 56 goditje të drejtpërdrejta kishin prekur ndërtesën në fjalë.
Mbreti Zog e mori me sportivitet këtë lajm të fundit. Sa i përket kërkesave për fonde, ai nuk mund t’u përgjigjej shpresave të bashkatdhetarëve të tij, për arsye të mungesës të hollave.
Zog I kërkon rikthimin në fronin e tij
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Për një kohë të gjatë, mbreti dhe familja e tij jetuan në një rezidencë të vjetër të izoluar në zemër të kodrave të “Chutern-it”.
Zogu jetoi një jetë të qetë atje, duke pritur shumë pak njerëz dhe duke mos pasur asnjë argëtim tjetër përveç gotës së birrës që ai pinte herë pas here në “Pub-in” e fshatit fqinj, në pronësi të zonjës Roberts. Oborrtarët që gjendeshin në shtëpinë e tij ishin të pamjaftueshëm për mirëmbajtjen e një ndërtese të kësaj madhësie. Nga ana tjetër, edhe motrave të mbretit u dukej ky vend me të vërtetë i trishtë. Kohët e fundit, Zogu erdhi të jetojë në një vilë të thjeshtë.
Mbreti Zog, pavarësisht jetës së izoluar, nuk ka hequr dorë nga roli i tij politik. Përkrah tij, ai ka një këshilltar të përhershëm, Z. Naçi. Ky merret me raportet zyrtare të mbretit me qeverinë britanike.
Kërkesa e shqiptarëve të lirë në Britani për të dhënë dorëheqjen nga froni nuk ndikoi në asnjë mënyrë të mbreti Zog, sepse, ai tha : “Jashtë familjes time dhe vetvetes, ka saktësisht tetë shqiptarë në Britani, dhe kjo është vështirë se mund të konsiderohet si shumicë.”
Sidoqoftë, një goditje më e fortë iu bë atij në nëntor të 44, kur kërkesa që ai i bëri qeverisë britanike për ta lejuar që të kthehej në Shqipëri iu kundërshtua nga autoritetet kompetente në mënyrë të sjellshme por të prerë. Me sa duket, Foreing Office mendon se midis grekëve, jugosllavëve dhe bullgarëve, hapja e një çështje shqiptare do të ishte e tepërt.
Ndihma ndaj Bashkimit Sovjetik
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
E megjithatë, Mbreti Zog, të paktën një herë në jetën e tij, i ka sjellë ndihmë të drejtpërdrejtë Bashkimit Sovjetik. Tre vite më parë, kur djali i tij, princi i vogël Leka, kaloi përpara “Pub-it” të zonjës Roberts, ajo i dha atij disa karamele; Serioz, princi i dha monedhën prej dy shilingash, të cilat ishin paratë e fundit që i kishin mbetur në xhep.
E shqetësuar për të mos e mërzitur atë, zonja Roberts i mori paratë dhe i futi në një trung të vendosur mbi banak nga vetë ajo me qëllim mbledhjen e kontributeve vullnetare të klientëve të saj, të cilat i jepeshin më pas shoqatës në ndihmë të Rusisë, të krijuar nga zonja Churchill.
Fati i keq ka qenë i ashpër ndaj madhërisë së tij shqiptare. Gjatë sulmeve të mëdha ajrore gjermane në Angli, një bombë preku valixhet që përmbanin uniformat shkëlqyese që ishin krenaria e mbretit Zog. Që atëherë dhe në mungesë të kuponave të tekstileve për të ribërë gardërobën e tij, ai vishet me rroba civile.
/Aurenc Bebja/ Darsiani