Evisa Kasaj, një vajzë 25-vjeçare, e cila eksploron botën dhe na bën të ëndërrojmë dhe ne. Ndonëse për ne të “Living” është e rëndësishme që t’i takojmë personazhet, pikërisht për të përjetuar stilin e jetës së tyre, këtë herë situata ndryshon: Evisën vështirë se mund ta gjesh në Shqipëri, prandaj dhe këtë këmbim me të e kemi bërë në distancë, ndërsa ajo është në udhëtimin e radhës.«
Evisa ka lindur dhe është rritur në Fier dhe më pas studioi për financë në Universitetin e Tiranës. Pasi zbuloi, kuptoi dhe zhvilloi pasionet e saj, si udhëtimet, gjeografia, historia, fotografia dhe librat, ajo nuk u ndal më. Udhëtimin e pare (me avion) e ka bërë në Itali, në vitin 2015. Për të ishte prezantimi i parë me qiellin dhe ndjesinë e të qenit larg, qoftë dhe përkohësisht. Në atë udhëtim, Evisa vizitoi pikat kryesore të Romës, si dhe qytete të tjera të Italisë, si: Napoli, Firenze dhe Pisa. Ky udhëtim e bëri jo vetëm të dashurohej me shtetin fqinj, të cilin e përshkroi në vitet në vazhdim, por dhe të rriste shpeshtësinë e udhëtimeve, nga katër në nëntë, përgjatë një viti.
Evisa nuk i numëron vendet që ka prekur, pasi nuk udhëton për të shtuar numrin. Me sa duket, shifrat nuk kanë rëndësi kur udhëtimi është pasion. Vlera shpirtërore që mund të merret nga një vend, apo eksperiencat e jetuara, janë shumë më të rëndësishme. Intervista me Evisën mund të quhet lehtësisht në distancë, sepse ndërsa unë shkruaja nga Tirana, ajo më tha se ndodhej në Akureyri, qyteti më i rëndësishëm në Islandën Veriore. “Ora është 23:40, dhe jashtë është ditë, dielli nuk ka perënduar ende. Atmosfera është shumë e paqtë. Bën shumë ftohtë, por temperaturat e ulëta nuk ndihen, për shkak se ambientet e mbyllura ngrohen nëpërmjet ujërave termale, që ndodhen nëntokë. Është një vend shumë i ndryshëm nga vendet e tjera që kam vizituar, për shkak të ‘diellit të mesnatës’ gjatë këtij muaji, temperatures së ulët, gjuhës së veçantë dhe natyrës së pakrahasueshme”, – më shkruan ajo. Evisa, ose siç e thërras unë, Evi, nuk është turiste, por një udhëtare e vërtetë. Ajo nuk ndikohet nga marketingu apo persona të tjerë, kur përzgjedh shtetin e ardhshëm që do të vizitojë. Evit i pëlqen të studiojë rreth vendit, lehtësisë për të lëvizur, mikpritjes, por dhe për përfitimet vetjake që mund të ketë nga udhëtimi në fjalë. Planifikimi ndodh pak ditë para nisjes, pas realizimit të kushteve optimale për t’u larguar nga Shqipëria. Ajo thotë që udhëtimet shpeshherë janë spontane, vendosen dhe dy-tri ditë para nisjes, kjo edhe sepse një pjesë e mirë e udhëtimeve janë bërë me makinë, e cila të jep luksin të jesh spontan.
Kur e pyes se si kanë ndryshuar përparësitë e saj për të eksploruar dhe vizituar shtete të ndryshme, më thotë se përgjigjen do të ma japë me përshkrimin e një fotografie: “Është e çuditshme se si mund të ndryshojë perceptimi për udhëtimet. Kohë më parë, nëse dikush do të më thoshte se të ndenjurit ulur në një shkëmb buzë humnere, ndërkohë që sheh zogjtë që fluturojnë, të sjell kaq kënaqësi, ndoshta do të qeshja. Kam pasur dhe unë dëshirë të shihja monumentet e mëdha, katedralet, kullat, ndërtesat shumëngjyrëshe, por nuk e kam më… tani dua vetëm atë që ka krijuar natyra, dua ta kem përballë, ta prek, ta ndiej, ta shoh e të më duket si e pavërtetë. Atë çast, dikush duhet të më pickojë që të më kthejë në planetin Tokë.” Përparësitë e saj janë natyra e virgjër, kanionet, luginat, ujëvarat dhe malet. Udhëtimet e shumta kanë ndikuar në formimin e saj si individ.
E kanë forcuar, për shkak të situatave të papritura me të cilat është përballur, që i kanë rritur vetëbesimin. Evisa thotë se udhëtimet janë katalizator i lumturisë dhe unë e besoj plotësisht. Takimi me popuj dhe kultura të tjera të pasuron, të lumturon dhe të krijon kushte për të vlerësuar më shumë vendin dhe familjen tënde, sepse eksplorimi i botës të jep një ndjenjë lirie që nuk mund të ta japë asgjë tjetër. Udhëtimi të kthen në fëmijë, të bën kureshtar për të zbuluar çdo gjë që të rrethon. Kujtimet që mbeten në kujtesë janë të pafundme, nga vende të rralla, me njerëz dhe gjuhë të ndryshme. “Larja e elefantëve në Bali ishte një përvojë unike: unë mbaja ujin dhe një furçë në dorë dhe fërkoja ngadalë lëkurën e elefantëve. Të qenët pranë atyre kafshëve të mëdha, por shumë të ndjeshme, ishte një mrekulli. Një tjetër eksperiencë e veçantë ka qenë fjetja në shtëpinë e një familjeje në Oman, pranë shkretëtirës.
Ishte një familje me 11 pjesëtarë, e cila më ofroi fjetje dhe ushqim kundrejt asgjëje, pa pagesë. Thjesht më mikpritën në shtëpinë e tyre dhe nuk kam për ta harruar kurrë atë sjellje të mrekullueshme që treguan ndaj meje. Një përvojë e tillë tejkalon çdo ndjesi që mund të të japë vizita e ndonjë monumenti apo vendi të famshëm nëpër botë.” Kështu shprehet Evisa për kujtimet më mbresëlënëse dhe ndërsa lexoj, përpiqem ta imagjinoj duke larë elefantët, e rrethuar nga lulet e mëdha plot ngjyra, nga kafshë, fruta dhe pije ekzotike. Kujtimet e mobilizuara në foto, e kanë shndërruar Instagramin e saj në një dritare të bukur ëndrrash. Fotografitë i realizon partneri i saj, ndonjë mikeshë apo ndonjë udhëtar i rastit. Por të udhëtosh do të thotë edhe të organizohesh mirë. Një udhëtar ka veshje komode dhe të rehatshme, për të përballuar të paktën 20 km në ditë: rrugicat e lagjeve për të njohur më mirë vendin, tregjet e mëdha, qytetet e vjetra, parqet e pafundme apo ushqimin e rrugës.
Ajo adhuron të eksplorojë gjithçka. Evisa nuk udhëton si turiste, duke synuar resortet apo udhëtimet komode. Ajo mendon që mund të udhëtosh edhe pa shpenzuar shumë. Metodat që ajo përzgjedh, nisin që nga fluturimi low-cost dhe sakrifikimi i disa orëve në një avion të parehatshëm, fjetja në hostel ose shtëpi ditore dhe qëndrimi në periferi, pikërisht sepse çdo gjë varet nga stili i udhëtimit që të përshtatet. Udhëtimet e shumta e kanë pasuruar Evisën, por dhe e kanë mësuar të shijojë çdo vend si vetë vendasit, jo si e huaj; të jetë udhëtare, jo turiste; ta shfrytëzojë kohën në maksimum gjatë udhëtimit, që të menaxhohet sa më mirë buxheti; të respektohen rregullat etike. Udhëtimet janë një arratisje e bukur nga realiteti dhe përditshmëria jonë, ato na zgjerojnë horizontet dhe na bëjnë njerëz më të mirë, më humanë, më të lumtur. Prandaj udhëtoni dhe zbuloni veten e botën./Living/