Memorie.al publikon letrën e vitit 1949 ku Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake Bilbil Klosi, informon sekretariatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së për të gjitha dënimet që kishte dhënë deri në atë kohë, përfshirë dhe ekzekutimin e 14 mirditorëve në shënjë hakmarre për vrasjen e Bardhok Bibës, ku midis të tjerash thotë: “Asnjë vendim me vdekje nuk është aprovuar pa vendimin e Partisë, asnjë vendim me vdekje nuk është zbritur pa pëlqimin e Partisë. Për çdo rast kam biseduar me Enverin, Tukun, Hysniun, Mehmetin etj dhe kam marrë aprovimin e tyre”.
Ngjarja e 7 gushtit të vitit 1949 ku mbeti i vrarë sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Mirditës dhe njëherazi deputeti i asaj krahine në Kuvendin Popullor, Bardhok Biba, si dhe hakmarrja e regjimit komunist të Tiranës për atë që ndodhi që si shpagim për vrasjen e Bardhokut ekzekutoi 14 burra dhe burgosi e internoi me dhjetëra e qindra mirditorë të pafajshëm, që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme ka ngjallur vazhdimisht diskutime të shumta. Ku vihen pikëpyetje të mëdha si rreth ngjarjes së vrasjes së Bardhok Bibës, ashtu dhe se kush ishte udhëheqësi i lartë që vendosi e urdhëroi hakmarrjen brutale ndaj “Mirditës reaksionare”?! Ndërsa që nga viti i largët 1949 kur dhe ndodhi ajo ngjarje e në vazhdim deri në ditët e sotme, ajo gjë i është atribuar Mehmet Shehut, personit që edhe udhëhoqi personalisht operacionin ndëshkues në Mirditë, një dokument arkivor i zbuluar së fundmi, e hedh poshtë atë version.
Kjo gjë bëhet e qartë nga informacioni i Bilbil Klosit, ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake në vitet 1945-1949 (më pas ministër i Drejtësisë e Sekretar i Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor), i cili mban datën 21 tetor të vitit 1949 dhe i dërgohet sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe vetë Enver Hoxhës. Në mes të tjerash në atë raport-informacion, Bilbil Klosi shkruan me dorën e tij se: “Kam gjykuar në Rrëshen në lidhje me vrasjen e shokut Bardhok Biba: Kam marrë në telefon Shokun Komandant dhe më orjentoj për goditjen”.
Pra, njeriu që i ka dhënë orientimet, apo më saktë ka urdhëruar ekzekutimin e 14 burrave në Mirditë, ka qenë vetë Enver Hoxha. Dokumentin në fjalë me raport-informacionin e ish-Kryetarit të Gjykatës së Lartë Ushtarake të asaj kohe, po e publikojmë të plotë dhe pa asnjë shkurtim, edhe për faktin se aty hidhet dritë dhe ndriçohen emrat e disa prej urdhërueseve të mjaft ekzekutimeve me vdekje të atyre viteve (1945-1949), ku Bilbil Klosi i cilëson jo vetëm me emra, por shpjegon edhe debatet apo urdhrat që merrte prej tyre lidhur me dënimet që jepte, kryesisht ato me vdekje.
Për të cilat thotë: “Në asnjë rast, nuk kemi dhënë asnjë dënim me vdekje pa u konsultuar apo pa pyetur Partinë”?! Pra, thënë më qartë; ky dokument “nxjerr zbuluar” krerët kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare të asaj kohe, si: Enverin, Mehmetin, Hysni Kapon, Tuk Jakovën, Bedri Spahiun e ndonjë tjetër, të cilët dilnin mbi gjykatat, duke i orientuar apo urdhëruar në dënimet që ato jepnin.
LETRA E BILBIL KLOSIT PER KOMITETIN QENDROR DHE ENVERin
Për shokun komandant
SEKRETARIATIT
Shoku Tuku më komunikoj trasnferimin t’im për gabimet e mija nga Gjykata Ushtarake në Ministrinë e P. të Jashtëme. I biseduam me të këto gabime që nuk më ishin vënë në dukje; por duke kënduar referatin e shokut Mehmet në Zërin e Popullit, nuk mund të rrijë pa i formuluar me shkrim observasjonet e mija rreth gabimeve që më vuri në dukej shoku Tuk në dukej.
Indipendenca e Gjyqit: Kur më njoftuan caktimin tim si kryetar i Gjykatës së Naltë Ushtarake, Shoku Komandant dhe Shoku Mehmet më bënë pyetjen: Si e kupton ti indipendencën e Gjykatës dhe marrëdhëniet e saja me Partinë?
Kam thënë se Gjykata gjykon simbas ligjës në bashkëpunim dhe nën direktivat dhe kontrollin e Partisë.
Në asnjë rast të vetëm në punën t’ime nuk i kam shkëputur lidhjet me Partinë dhe nuk kam vepruar ndryshe.
Ja gjyqet që kam gjykuar vetë: (Gjykata e Naltë)
Trockistët Hysen Sejdini e tjerë: Jam konsultuar me Shokun Tuk dhe me shokun Bedri për goditjen që duhej bërë.
Kam gjykuar Niko Oparin: Jam konsultuar me shokun Hysni dhe Shokun Komandant.
Kam gjykuar në Rrëshen në lidhje me vrasjen e shokut Bardhok Biba: Kam marrë në telefon Shokun Komandant dhe më orjentoj për goditjen.
Ka gjykuar Gjykata e Naltë në Milot. I kemi dhënë relasjon me shkrim Shokut Hysni dhe ai na tha se si duhej të goditnim.
Ka gjykuar du majora për rrahje (Major Enver Dajçin dhe Sulo Kozelin) kam pyetur shokun Hysni për dënimin.
Kam dënuarë një shofer me vdekje: Kam biseduar me shokun Tuku dhe megjithëse opinion i Juristave ishte se nuk mund të dënohet ligjërisht me vdekje, duke e interpretuar në mënyrë revolusjonare Ligjën, zbatova urdhërin e Partis.
Kam gjykuar Kadri Hoxhën: Kam pyetur Shokun Hysni.
U nis atë shkojë në Vlorë, kërkova udhëzime nga shoku Komandant: u pezullua vajtja për shkak të transferimit.
Këto janë Gjyqet që ka bërë Gjykata e Naltë, për shkak të rëndësisë që kishin.
Në shkallë të dytë (d.m.th. kur kemi parë vendimet e dhëna nga Gjykata e Garnizonit pse ankoohej i dënuari apo prokurori), jam konsultuar me shokun Hysni, Shokun Komandant, dhe njëherë me shokun Tuk, sa herë që ka qenë rasti që shqyrtohesh nji vëndim me vdekje.
Asnjë vendim me vdekje nuk është aprovuar pa vendimin e Partisë; asnjë vendim me vdekje nuk është zbritur pa pëlqimin e Partisë.
Edhe kur e kam gjetur të zorshme të vendos në shkallë të dytë në një process, me dënime më të vogla, kam pyetur Partinë, p.sh. kam bërë relasjon Partisë mbi proceset e nji grupi në Shijak, procese të ngatërruara me plot gabime ligjore.
Nuk kam pyetur Partinë për rastet e shumta dhe të parëndësishëme për të cilat kam menduar se nuk ishin për t’ju shtruar Partisë dhe që nhuk është praktikë dhe as që më është kërkuar nga Partija. Rastet e dënimeve të zakonëshme, me 1, 2, 3, 4, 5, 7, 10, e tjera vite burg.
Edhe kur kam liruar si Gjykatë e Naltë ndonji person (kjo ka ndodhur rrallë) jam informuar mbi rrezikshmërinë e tij; p.sh. para se të vendosja mbi lirimin e Dhimosten Malos, që ishte dënuar me 10 vjet burg, nga Gjykata e Garnizonit Tiranë, kam pyetur Shokun Mehmet Shehu.
Nga të gjitha këto del se unë në praktikë për asnjë moment nuk i kam shkëputur lidhjet dhe konsultimet me Partinë dhe as që e kam menduar dhe e mendoj kurrë që, jo Gjykatat, por cilido sektor tjetër, të mund të eci drejtë pa dorën e Partisë. Këtë mund ta mendonte një anëtar i ri dhe i ulët ideologjikisht, por jo unë anëtar i 1942-it i Partisë. Sado e fortë të ishte Kultura Borgjeze e shkollës që kam kryer, stazhi në parti dhe lufta që kam bërë, më kanë mësuar aq sa e dij se këtë gjë elementare: Partija mbi të gjitha dhe Partija kudo.
Kështu si kam vepruar, kështu dhe kam menduar dhe mendimet e mija, mbi të gjitha problemet dhe punët e Gjyqit ja paraqita në dy relasjone të përmbledhura pothuej identike sekretarjatit me datën 5 dhe 15 korrik 1949, d.m.th. tre muaj e gjysëm, mbasi filluam efektivisht nga puna…